KLSH kallëzim penal për 10 zyrtarë komunash ‘dëmi në buxhet 2.2 mln $’

487
Sigal

TIRANË – Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht në Prokurori 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të 4 komunave të vendit pasi akuzohen se me veprimet apo mosveprimet e kundërligjshme kanë shkaktuar një dëm prej  228.5 milionë lekë ose mbi 2.2 milionë dollarësh në Buxhetin e Shtetit.
 
Kallëzimet penale të KLSH-së për 3 zyrtarë të komunës Rremas në Lushnjë
KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për përgjegjësin e Zyrës së Financës N.Ç, përgjegjësin e Zyrës së Tatim Taksave F.K dhe Përgjegjës i Zyrës së Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës A.B në komunën Rremas në Lushnjë. Tre zyrtarët e kësaj komune janë paditur nga KLSH pasi ka rezultuar pas auditit të bërë se Veprimet dhe mosveprimet, që janë shoqëruar me skualifikime/kualifikime të gabuara të kryera nga Autoriteti Kontraktor, prej llogaritjes së vlerës kontratës deri në shpalljen e fituesit për pesë tendera, i kanë shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit në vlerën 10,868,076 lekë. Gjithashtu ata akuzohen se prej lidhjes së kontratës deri në likuidimin e saj në 5 tenderat e kryer në këtë komunë është shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit në vlerën 3,961,068 lekë. KLSH i ka kërkuar Kryetarit të komunës Remas fillimin e procedurave administrative e ligjore për marrjen e masës disiplinore “Ndërprerjen e marrëdhënieve të punës” për këta nëpunës të kësaj komune.
 
KLSH:Ish-kreu i komunës Udënisht leje ndërtimi në zonë turistike
KLSH ka kërkuar procedim penal për ish-Kryetarin e Komunës Udenisht në Pogradec,N.D, ish-Përgjegjësin e Zyrës Urbanistikës A.SH dhe ish-kryetarin e e këshillit të Komunës Udënisht H.H. Tre ish-zyrtarët e Komunës Udënisht akuzohen për shpërdorim detyre pasi kanë dhënë leje ndërtimore në zonë turistike, në pronësi shtetërore, në bregun liqenor, si dhe brenda vijës mbrojtëse përgjatë bregut të liqenit.  
 
KLSH: Në Komunën Shënkoll janë firmosur punime të paralizuara 
Nga auditimi i kryer në Komunën e Shënkollit në Lezhë u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore në fushën e zbatimit të investimeve publike, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal per A.I. dhe R.K., qe te dy me detyre Mbikëqyrës Punimesh. Sipas KLSH-së të dy personat akuzohen për shpërdorim detyre për mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale. Nder shkeljet kryesore zë bërë nga mbikëqyrësit A.I. dhe R.K. është nënshkrimi për  punime të kryera për ndërtimin e Ujësjellësit në fshatin Shënkoll,  kur në fakt rezulton se këto punime janë të pakryera. Nga audtimi i KLSH-së rezulton se kjo shkelje i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik në vlerën 12,5 milion lekë. Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Komisionit të dhënies së Licencave, pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, fillimin e procedurave administrative e ligjore për “Heqjen e Licencës, për një afat prej 1  viti”, për dy mbikëqyrësit e mësipërm të punimeve të ndërtimit.
 
KLSH: Shkelje në Komunën e Thumanës me vlerë 200 milionë Lekë
Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë këtij auditim në Komunën Kodër Thumanë ka konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë. Shkeljet e kryera janë realizuar sipas KLSH nga ish- Kryetar i Komunës dhe në cilësinë e ish-Kryetarit të KRRT-së me inicialet G.K. dhe nga sh- Përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës dhe në cilësinë e ish-Sekretarit të KRRT, me iniciale M.K. Mësohet se shkeljet e tyre kanë sjellë për pasojë abuzimin dhe përdorimin jo me efektivitet të fondeve publike të vëna në dispozicion, cënimin e pronës publike dhe shtetërore, si dhe të ardhura të munguara në Buxhetin e Shtetit në vlerën 200 milionë lekë.