KLSH: Ja shkeljet e ZVRPP-ve në katër vite, dëmet dhe përballja me drejtësinë

1011
Dëmi 2,404,434 mijë lekë, janë rekomanduar: 137 masa “largim nga puna”, 134 masa “vërejte deri në largim nga puna”, si dhe janë kallëzuar penalisht 196 punonjës 
Dëmet që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit përmes shkeljeve të mëdha nga administrata shtetërore janë të shumta. I vetmi organ i cili ka bërë të mundur nxjerrjen e këtyre dëmeve si dhe dërgimin e çdo problemi në organet përkatëse është Kontrolli i Lartë i Sjtetit. Në katër viti ky institucion shtetëror, ka arritur të përmbledh në një raport të posaçëm gjithë auditivet që janë kryer në dy nga institucionet kyçe të vendit siç janë ai i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ALUIZNI-t. Është një informacion i detajuar ku përmblidhen të gjitha të dhënat, shkeljet, shifrat konkrete të ndara ndër vite si dhe rekomandimet përkatëse. Vihet re se Kontrolli i Lartë i Shtetit në çdo raport dhe pas çdo auditivi të përfunduar, ka dërguar pranë organeve ligjzbatuese shkelësit. Ndërkohë që nga ana tjetër kemi një panoramë jo fortë të kënaqshme. Prokuroria si organi i cili ka të drejtën për të hetuar Kontrolli i Lartë i Shtetit në analizë të veprimtarisë dhe angazhimit të tij disavjeçar në luftën kundër paligjshmërisë, korrupsionit dhe antikulturës së pandëshkueshmërisë në administratën shtetërore, ka përmbledhur rezultatet e auditimeve të zhvilluara në dy institucionet e lartëpërmendura për vitet 2013 -2017. në raportin e detajuar thuhet se KLSH ka realizuar në këto institucione 40 auditime nga të cilat 22 në ZVRPP dhe 18 në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t. Gazeta “Telegraf “ sjell për lexuesin e saj, pjesën e raportit që flet për shkeljet e shumta të regjistruara në ZVRPP. Përsa i përket rezultateve të këtyre auditimeve theksojmë faktin që KLSH ka konstatuar një sërë shkeljesh e mangësish në pothuajse të gjitha auditimet e zhvilluara në institucionet e sipërcituara. Në mënyrë të përmbledhur, shkeljet e konstatuara në auditimet e zhvilluara nga KLSH në hipoteka , përgjatë periudhës 2013 – 2017, konsistojnë në: vonesa në administrimin e praktikave dhe trajtimin e kërkesave në proces, regjistrimin e lejeve të ndërtimit mbi truall shtetëror,

regjistrimin e pasurive me ndryshime të zërave kadastral, regjistrimin në bashkëpronësi të paligjshme të pasurive bujqësore, mos regjistrimin e sipërfaqeve të përbashkëta në ndërtimet e reja duke shmangur taksën e kalimit të pronësisë, regjistrimin e pronave me mbivendosje. Në total, për periudhën 2013 – 2017, nga auditimet e KLSH-së në këto subjekte është konstatuar një dëm ekonomik (i matshëm) në vlerën 2,404,434 mijë lekë, janë rekomanduar 137 masa “largim nga puna”, 134 masa “vërejte deri në largim nga puna”, janë kallëzuar penalisht 196 punonjës të këtyre institucioneve përfshi edhe drejtuesit e tyre. Në total thuhet në raport janë realizuar 40 auditime në katër vite. Institucioni i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme ka qenë në qendër të akuzave të shumta. 

Kallëzimet në prokurori
Rreth 197 punonjës përfshi dhe drejtues të këtyre zyrave janë kallëzuar në organin e prokurorisë në katër vite. Dosjet e këtij kontingjenti mbahen në zyrtaret e akuzës, ndërkohë që një pjesë e tyre janë pushuar. Beteja mes KLSH-së dhe prokurorisë për këtë problem ka qenë gjithmonë e ndërtuar mbi bazë dokumentacioni. Pavarësisht se auditivet kanë nxjerrë shkelje tërënda, para akuzës raportet nuk kanë shërbyer për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Në kushtet aktuale, kryeministri Edi Rama është duke u përballur me një lumë akuzësh që qytetarët bëjnë ndaj punonjësve të ZRPPV-e në të gjithë vendin. Por ndërsa raportet e KLSH-së i përmbajnë shkeljet me data dhe emra konkret, madje flasin dhe me shifra, një gjë e tillë nuk merret parasysh. Kryeministri Rama e ka shumë të qartë se ku qëndron problemi, por e vërteta flet ndryshe. KLSH thotë se deri më sot, për aq informacion sa disponojnë në lidhje me ecurinë e kallëzimeve penale, nga ana e Gjykatave është marrë vendimi i formës së prerë për dënimin e një sërë prej ish-zyrtarëve të ALUIZNI-it Shkodër, Vlorë, Sarandë dhe Tiranë ndërkohë që në lidhje me shkeljet e evidentuara në kallëzimet penale të bëra për ZVRPP ende nuk rezulton të jetë marrë si i pandehur apo gjykuar asnjë prej ish-Drejtuesve dhe Drejtuesve aktualë të këtyre institucioneve, madje as në nivelin e specialistit. Në dosje flitet edhe për mënyrën e auditimit dhe sektorët përkatës, janë shënuar saktë se ku qëndrojnë problemet, ndërkohë që thuhet me zë të lartë se prokuroria dhe gjykatat duhet të jenë më të kujdesshme në këtë drejtim. 

Auditimet e kryera në ZVRPP

1)Administrimi i praktikave dhe kërkesave në proces 
Vonesat dhe zvarritjet e praktikave në proces janë evidente në të gjitha zyrat e regjistrimit, përmendin këtu auditimet e kryera në ZVRPP Tiranë, Kukës, Dibër, Gjirokastër, ku janë konstatuar praktika të papërfunduara që prej 5 vitesh pa dhënë shërbimin e faturuar, të cilat kanë sjellë si pasojë mungesën e transparencës së punës së ZVRPP-ve ndaj publikut, mos administrimin në arkiv të dokumentacionit, mbajtjen e praktikave të aplikimeve nga specialistët për afate të gjata në kundërshtim e ligjin nr. 9154, datë 6.1.1993 “Për arkivat”. Nuk ka një përcaktim të kryerjes së detyrave lidhur me përgatitjen e evidencave informacionit në tërësi, shërbimit të IT dhe sidomos lidhur me trajtimin dhe ndjekjen e kërkesave të qytetarëve, me mënyrën e marrjes së shërbimit të ofruar qytetarëve nga kjo zyrë, si dhe lidhur me marrjen e opinionit të tyre për cilësinë, afatin e shërbimit dhe sidomos lidhur me evidentimin tërësor, raportimin e praktikave në proces evidentimin e afateve të zgjidhjes së tyre, nxjerrjen e përgjegjësisë së zgjatjes dhe shkeljes së afateve, pra mungon instalimi i Sistemit të Mekanizmave të Kontrollit të Brendshëm (SMKB), në kundërshtim me ligjin nr. 10296, datë 8.7.2010 “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”.
2) Regjistrimi i lejeve të ndërtimit mbi truall shtetëror 
Nga ZVRPP-t janë pranuar e regjistruar leje ndërtimi objektesh mbi truall shtetëror, me mangësi në formë e përmbajtje të dokumentacionin përbërës, duke mos refuzuar e kthyer dokumentacionin e mangët, mos kërkuar ndaj Bashkive zgjidhjen e marrëdhënies së truallit me pasojë detyrimet e rrjedhura nga vlera e shitjes së truallit si dhe vlera e qerasë nga përdorimi dhe zënia me ndërtim pa titull pronësie, për të cilat ZVRPP-t nuk kanë vendosur as barrë mbi pronë mbi pasuritë ndërtimore të paktën në vlerën përkatëse të qirasë së përdorimit, duke shkaktuar dëm ekonomik të konsiderueshëm për buxhetin e Bashkive. 
3) Regjistrime pasurish me ndryshime të zërave kadastral
Regjistrimi i pasurive me ndryshime të zërave kadastral pa dokumentacionin përkatës pra pa kërkuar dokumentet për vlerësimin apo kompetencën nga DAMT Qarkut, veprim në tejkalim të kompetencave të regjistruesit dhe në kundërshtim me ligjin nr. 8752, datë 26.3.2001”Për krijimin e strukturave për mbrojtjen dhe administrimin e tokës bujqësore” ndryshuar me ligjin nr. 10 257, datë 25.3.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8752, datë 26.3.2001, veprime këto që kanë sjellë si pasojë zhvlerësim i paligjshëm i vlerës së aseteve, resurseve nga zbritja në kategori e zërit kadastral, veprime këto me rezultate të pritshme evazioni, në ulje të vlerës së detyrimit nga taksa vendore e tokës, taksë e cila diferencohet sipas kategorisë së zërit kadastral. 
4) Regjistrimi në bashkëpronësi të paligjshme të pasurive bujqësore
Regjistrimi në Bashkëpronësi të paligjshme i pasurive bujqësore në Kartelat Pasurive të Paluajtshme (KPP) të çelura nga NJMP dhe pranuar e marrë në dorëzim nga ZVRPP-t, për të cilat nuk janë identifikuar e hapur KPP-të përkatëse sipas sipërfaqeve përcaktuar në AMTP-të, në kundërshtim me ligjin nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me ligjin nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, veprime këto që kanë sjellë si pasojë lindjen e bashkëpronësisë së pa ligjshme, pengesa e regjistrimit të pasurive nga pamundësia e lëshimit të certifikatave të pronësisë qytetarëve kërkues me cenim të së drejtës së pronësisë, në mënyrë të pa nevojshme, çuarjen e zgjidhjes së problemit në gjykata, në vend të zgjidhjes në rrugë administrative nëpërmjet ZVRPP, ZQRPP dhe DAMT-ve të NJQV-ve; pra humbje e kohës dhe shpenzime për qytetarët pa shkak ligjor, rritjen e praktikave në proces, shteg për veprime të paligjshme korruptive mbi pasuritë në KPP, si dhe pamundësinë e mos konfirmimin e gjendjes juridike të pasurive të kërkuara për verifikim e vlerësim të titujve, mos shkëmbimin e informacionit nga ZVRPP për KVVTP Prefektit Qarkut.
5) Regjistrimi i sipërfaqeve të përbashkëta në ndërtimet e reja
Në regjistrimin e pasurive të llojit “pallat” nga firmat ndërtuese, nuk është llogaritur e kërkuar dokumentacioni për arkëtim dhe shlyerje detyrimi për regjistrimin e hapësirave të përbashkëta dhe tarifës së shërbimit R-11, në kundërshtim me kërkesat e Ligjit Nr. 10 112, datë 09.04.2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit.”,dhe Ligjin Nr. 33/2012, datë 29.04.2012 për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, neni 50, “Regjistrimi i mjediseve të përbashkëta në ndërtesa”, veprime këto që kanë sjellë si pasojë shmangien e taksës së kalimit të pronësisë nga shoqëritë ndërtuese, ndërkohë që apartamentet dhe njësitë e shitura qytetarëve përfshijnë në çmimin dhe vlerën e këtyre ambienteve të përbashkëta, kufizimi i veprimeve mbi pasuritë nga qytetarët për shkak të vendosjes së kufizimeve mbi to.
6) Regjistrimi i pronave me mbivendosje
Nga ZVRPP-t nuk ka një evidencë të saktë të pasurive me mbivendosje, mungon identifikimi, raportimi, vendosja e një databaze, pasqyrimi në harta përkatëse si dhe ndjekja e procedurave ligjore të pasurive të rezultuara me mbivendosje, njoftimin e palëve të interesuara, orientimin drejt zgjidhjes gjyqësore, shpeshherë duke stimuluar përparësinë jo reale nëpërmjet kundërshtimit të paligjshëm dhe krijimit së vonesës së regjistrimit të parë, veprime këto që kanë sjellë si pasojë përfitime të dyfishta titujsh të paligjshëm pronësie nga mbivendosjet, duke stimuluar përparësinë jo reale, mos ndjekur procedurat ligjore për zgjidhjen e mbivendosjeve, trajtim të pabarabartë e favorizim të njërës palë, duke cenuar paanësinë e ZVRPP, moszbatimin i afatit 1 mujor të Kodit të Procedurave Administrative, mos nxjerrjen e urdhrit administrativ për refuzimin e regjistrimit, të pjesëve të mbivendosura, krijimin problemeve sociale ndërmjet palëve.
7) Mos bërja e bilancit AMTP-LN, listave printim III dhe listave të trojeve sipas kryefamiljarëve
Nga ZVRPP-t nuk është bërë bilanci AMTP-Libri i Ngastrave, Listave Printim III, si dhe listave të trojeve sipas kryefamiljarëve duke mos veçuar e regjistruar “Shtet” sipërfaqen tepër mbi normë, në kundërshtim me ligjin nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme“ dhe me nenin 25 të ligjit nr. 33, datë 21.3.2012, dekretin e Presidentit nr. 5747 datë 29.06.1978, si dhe Rregulloren nr. 184, datë 08.04.1999, ndryshuar nr. 7, datë 07.01.2000 “Për punën e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, veprime këto që kanë sjellë si pasojë përfitimin e padrejtë të pasurisë shtet nga individët pa titull pronësie, kryerja e transaksioneve dhe tjetërsimi i saj duke sjellë të ardhura të munguara dhe dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. Përveç sa më sipër, theksojmë që nga KLSH administrohen çdo vit një numër i konsiderueshëm ankesash të ardhura nga qytetarë të ndryshëm (mesatarisht 300 ankesa në vit) në lidhje me problemet e pronësisë, transaksionet e paligjshme të kryera me to, falsifikimet e dokumentacionit të pronësisë me qëllim përfitimin padrejtësisht të titujve të pronësisë në zonat turistike dhe bregdetare, të cilat janë shqyrtuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm në një seksion të veçantë në Raportet Përfundimtare të Auditimeve të ushtruara nga KLSH në ALUIZNI apo ZVRPP. Vetë numri i madh i këtyre ankesave që qytetarët kanë paraqitur dhe vazhdojnë të paraqesin në KLSH në lidhje me paligjshmërinë dhe parregullshmërinë e veprimtarisë së ALUIZNI-eve dhe ZVRPP-ve tregon jo vetëm për besimin që qytetarët kanë karshi KLSH-së dhe auditimeve të tij por edhe për shkallën e lartë të paligjshmërisë dhe parregullshmërisë në këto institucione.
Sigal