KLSH, institucion besimi, larg politikës, në mbrojtje të financave publike

614
Nga Ergys ALUSHI
“Po punoj me dosjen e Tiranës”, “Sapo u kthyem nga Elbasani”, “Nesër do shkojmë në Fier”, “Po mbyllim dosjen e kontrollit në Durrës”, “Kërkon drejtori informacion për Beratin”, “Presim kthimin e audituesve nga Dibra”, “Telefonoji atyre në Korçë”, “Printova rezultatet e kontrollit në Gjirokastër”, “Belshi..Mallakastra…Maqellara…|
Në vetëm pak metra korridor, në disa zyra, është e gjithë Shqipëria, dëgjon të flitet për gati të gjitha qytetet e vendit, nga jugu ne veri, institucione të qeverisjes vendore e qendrore, ministri e drejtori të nivelit të parë e të dytë. Ky është realiteti që ndesh përditë në zyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku shumica djem e vajza në moshë të re, tashmë specialiste të zotë në auditime, gra e burra më të vjetër, me thinja, lëvizin nga njëra zyrë në tjetrën, me dosje në duar, plot energji, për të përfunduar punën e nisur, për të marrë detyra të reja.
Dikush që sapo ka ardhur nga një qytet i Shqipërisë, ku ka përfunduar një kontroll dhe prêt të niset për kontroll në një qytet tjetër të vendit. Një tjetër që sapo ka përfunduar dosjen me rezultatet e kontrollit dhe pret firmën e Kryetarit për ta shndërruar në një vendim zyrtar deri dhe në një kallëzim penal. 
Drejtues Departamentesh që hyjnë e dalin në zyrën e Kryetarit të KLSH, për të shkëmbyer mendime, caktuar detyra e dhënë orientime për rritjen e cilësisë së performancës. Në një nga sallat e këtij institucioni mëson se janë duke dhënë intervista për punësim në KLSH, njerëz të profesioneve të ndryshme, jurist, inxhinier ndërtimi, ekonomist e financier, ku ata që presin të intervistohen dridhen prej emocioneve, duke qenë ky tregues i rëndësisë së madhe dhe seriozitetit që tregohet prej komisioneve për punësimin e më të mirëve, më specialistëve. 
Por edhe jashtë mjediseve të KLSH, stafi nuk rresht së zhvilluari veprimtari që i shërbejnë afirmimit të vlerave më të mira të jetës akademike në vend. Kështu, në ambientet e Fakultetit të Gjeologjisë e Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Skënder Osmani dhe Kryetari i KLSH-së Dr. Bujar Leskaj zhvilluan një leksion me temë “Burimet, menaxhimi dhe stafi”. Të pranishëm në leksion ishin dekani i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, Prof. Dr. Vasil Jorgji, ish-dekani Prof. Dr. Përparim Hoxha, pedagogët Prof. Dr. Gafur Muka, Prof. Dr. Thoma Korini, Prof. Dr.Bashkim Çela, studentë si dhe auditues e drejtues të KLSH-së.
Leksioni i Prof. Dr. Skënder Osmani dhe Dr.Bujar Leskaj, përpos një analizimi teorik dhe praktik të menaxhimit si një disiplinë shkencore, përmban një propozim për ngritjen e një Institutit të Menaxhimit, për përgatitjen universitare të menaxherëve në Fakultetin e Gjeologjisë ose në përgjithësi në Universitetin Politeknik me kurrikula të ndara ose jo të ndara me pjesëmarrjen e një ose disa fakulteteve nga Universiteti Politeknik dhe jashtë tij. Sipas lektorëve, kjo është një domosdoshmëri kombëtare duke pasur parasysh që vendi ynë ka një prapambetje relativisht të madhe, madje dhe rolin e projektizimin, të menaxhimit, modelimit, optimizmit, riskut për zhvillimin e vendit.
Leksioni ishte në shenjë homazhi, vlerësimi dhe mirënjohjeje për rektorin e parë të Universitetit të Tiranës, Prof. Kahreman Ylli, për rektorët; Prof. Petrit Radovicka dhe Prof. Osman Kraja si dhe për dekanët; Prof. Eshref Pumo dhe Prof .Rexhep Reka.
Kontrolli i Lartë i shtetit, është ndoshta nga të paktat institucionet me rëndësi të vendit që vazhdon të punojë e të përmbush detyrat kushtetuese pa e ulur për asnjë moment e ditë, ritmin e punës, pavarësisht situatës politike, faktit që shumë pranë derës së këtij institucioni ndodhet çadra e një pjese të politikës shqiptare. 
Objektivi dhe mesazhi është i qartë, financat e shtetit duhet të kontrollohen e të mbrohen, për të ndëshkuar shkelësit e ligjit që shkaktojnë dëm financiar dhe financat të shkojnë në shërbim të komunitetit. Vetëm gjatë vitit 2016, nga 154 auditimet e përfunduara, u konstatua një dëm financiar shkaktuar buxhetit të shtetit me një vlerë prej rreth 534 milion euro. Është ky një mision i nisur 6 vjet më parë, kur në drejtim të KLSH u zgjodh me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, z.Bujar Leskaj, i cili ndryshe nga kryetarët e mëparshëm e bëri publike platformën e tij për të drejtuar e ndryshuar KLSH, ende pa u zgjedhur i tillë, platformë të cilën e ka bërë realitet gjatë këtyre viteve duke e kthyer në metodë pune në të gjithë veprimtarinë e KLSH. Në korridorin e gjatë të KLSH, çdo vizitor i zakonshëm, mund të konstatojë me sy të lirë, ndryshimin në vite e për mirë të këtij institucioni kushtetues, sidomos që nga vitin 2012 e në vazhdim, nëpërmjet stendave të historikut dhe të botimeve. Mjafton të përmendim faktin që vetëm gjatë 6 viteve të fundit janë realizuar rreth 70 botime periodike të veprimtarisë së KLSH nga vetëm 12 të tilla që ishin botuar në të gjithë historinë e mëparshme të këtij institucioni, të cilat janë të zverdhura e të hapura vetëm në një stendë të vetme. Kështu, nga KLSH nuk mund të largohesh pa marrë me vete respektin për të gjithë njerëzit që punojnë aty, të pafjalë e punë shumë, të zotë në profesion, të sjellshëm e të gatshëm për të mbrojtur financat e shtetit, të palodhur e të thjeshtë, jo arrogant e të orientuar për të mos qenë tendencioz dhe politik, në punën e vendimmarrjen e tyre. Sa shumë nevojë ka Shqipëria për të tilla institucione të pavarura, të besueshme nga shqiptarët, larg politikës, në mbrojtje të financave publike.
Sigal