KLSH: Duhet të anulohet kontrata për parkimet me pagesë në Vlorë

504
KONTRATA KONCESIONARE PËR PARKIMIN ME PAGESË NË RRUGËT E QYTETIT VLORË DUHET ANULUAR
– Nëse zbatohet kontrata koncesionare për parkimin me pagesë në rrugët e qytetit, impakti financiar negativ për Bashkinë Vlorë do të jetë i konsiderueshëm(vetëm vlera e të ardhurave të pritshme për të gjithë periudhën e koncesionit, e përllogaritur më pak nga Komisioni i Dhënies me Koncesion, është 218,360,000 lekë, ndërsa subjekti privat përfiton me të padrejtë shumën 184,479,120 lekë) –
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 348/1, datë 31.03.2015, ka audituar subjektet Bashkia Vlorë dhe Prefektura e Qarkut Vlorë, për zbatimin e procedurave ligjore dhe miratimin me koncesion të administrimit të parkimit me pagesë në rrugë, në qytetin e Vlorës.
Në përfundim të këtij auditimi, KLSH me shkresat nr. 348/10 dhe 348/11, datë 30.06.2015, i ka përcjellë subjektit Bashkia Vlorë dhe Prefekturës së Qarkut Vlorë gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare, të shprehura në Vendimin nr. 65, datë 30.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së.
Nga auditimi, u konstatuan shkelje të dispozitave të ligjit nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”, i ndryshuar, të ligjit nr. 8927, datë 25.7.2002 “Për Prefektin”, i ndryshuar, ligjit nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për Pronat e Paluajtshme të Shtetit”, ligjit nr. 8744, datë 22.02.2001 “Për Transferimin e Pronave të Paluajtshme Publike në Njësitë e Qeverisjes Vendore”, ndër të cilat më kryesoret ishin:
1. Bashkia Vlorë me datë 12.01.2015, realizoi procedurën e dhënies me koncesion të partneritetit publik privat të shërbimit të parkimit në rrugë, në qytetin e Vlorës. Gjatë procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertës fituese. komisioni i dhënies me koncesion ka vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, datë 25.04.2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, pasi operatori i vetëm pjesëmarrës dhe fitues i koncesionit nuk plotëson kriteret e përgjithshme dhe të veçanta të pranim/kualifikimit.
Proçesi i përzgjedhjes së ofertuesit fitues nga komisioni i dhënies me konçesion/ partneritet publik privat, është bërë në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, datë 25.04.2013 “Për konçesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar, VKM nr. 575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe dhënies së konçesioneve/partneritetit publik privat” dhe Dokumenteve Standarde të Koncesionit Partneritet Publik-Privat, duke favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomikë.
Në këto kushte, komisioni i dhënies me konçesion/ partneritet publik-privat ka vepruar në kundërshtim me nenet 19 dhe 23 të kreu III-Procedura për dhënien e konçesioneve/partneriteteve publike private, të ligjit nr. 125/2013, datë 25.04.2013 “Për Konçesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”, i ndryshuar, me VKM nr. 575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së konçesioneve/partneritetit publik-privat” dhe dokumentet standarde të koncesionit publik-privat, pasi duhet të formulonte propozimin e vendimit për ndërprerjen e proçedurës së prokurimit, si pasojë e mosplotësimit të kritereve për dhënien e kontratës së konçesionit, kriteret e përgjithshme të pranim/kualifikimit dhe kriteret e veçanta të kualifikimit. apo duke ndryshuar kërkesat e nenit 6 “Dhenia e zones se projektit. 
Nga vlerësimi i koefiçientit të shfrytëzimit të vendparkimeve, i përcaktuar nga komisioni i dhënies me konçesion/ppp për periudhën 10 vjeçare, janë llogaritur të ardhura të pritshme në vlerën 117,142,544 lekë. Ndersa nga llogaritjet e kryera për shfrytezimin e gjashte diteve te javes (plus e shtuna), vlera e te ardhurave te pritshme është 1,171,425,440 lekë, pra e llogaritur më pak nga komisioni, në vlerën 218,360,000 lekë.
Si rezultat i ndryshimit të kushteve të kontratës, shtesë të objektit të saj për parkimin në ditët e shtuna, për 13 rrugë, për të gjithë periudhën e konçesionit, impakti financiar negativ që i krijohet buxhetit të njësisë vendore është 3,764,880 lekë, ndërsa subjekti privat përfiton me të padrejtë shumën 184,479,120 lekë
Për më tepër, afati i koncesionit u rrit nga 10 në 15 vite.
Nga pikëpamja e menaxhimit me efiçiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve të qeverisjes vendore, bashkisë së qytetit Vlorë i mohohen fonde të rëndësishme financiare, nëse kjo kontratë koncesionare zbatohet. Po ashtu, Bashkia mund ta kryejë këtë shërbim shumë mirë vetë, ose me ndihmën e ndërmarrjeve të varësisë. 
Për këto shkelje, KLSH i ka kërkuar Kryetarit të Bashkisë Vlorë, përmes përcjelljes së rekomandimeve me shkresën nr. 348/10, datë 30.06.2015, fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim deri në largim nga Shërbimi Civil” të gjashtë punonjësve, konkretisht për tre zv/Kryetarë të Bashkisë A.M, I.B dhe A.B, për Drejtorin e Infrastrukturës G.SH, si dhe për dy specialistë të Bashkisë Vlorë M.M dhe P.TH.
2. Institucioni i Prefektit të Qarkut Vlorë ka shprehur ligjshmërinë e konfirmimit të dy Vendimeve të miratuara nga Këshillit Bashkiak Vlorë për këtë koncesion, përkatësisht Vendimi nr. 45, datë 09.10.2014 “Për miratimin e dhënies së koncesionit për administrimin e shërbimit të parkimit me pagesë në rrugë”, konfirmuar nga Prefekti i Qarkut Vlorë dhe Vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 57, datë 11.12.2014 “Për miratimin e dhënies së koncesionit për administrimin e shërbimit të parkimit me pagesë në rrugë”, konfirmuar nga Sekretari i Përgjitshëm i Prefekturës Vlorë.
Këto vendime, të cilat kanë lejuar Bashkinë që të vijojë me procedurat e dhënies me koncesion, janë në kundërshtim me nenet 27, 37 dhe 38, të ligjit nr. 125/2013 ““Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”, i ndryshuar, të ligjit nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, ligjin nr. 8744, datë 22.02.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike në Njësitë e Qeverisjes Vendore”, pasi në bazë të VKM nr. 639, datë 29.9.2007 “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Vlorë, të Qarkut Vlorë” dhe nuk duhej të konfirmoheshin, pasi rrugët e qytetit i janë transferuar kësaj njësie vendore në përdorim dhe jo në pronësi. Në këto kushte, Bashkia Vlorë, duke mos qenë pronare e kësaj pasurie publike, por vetëm administratore, nuk ka tagrin ligjor për ta dhënë me koncesion.
Për këtë shkelje, KLSH i ka kërkuar Prefektit të Qarkut Vlorë, përmes përcjelljes së rekomandimeve me shkresën nr. 348/11, datë 30.06.2015, fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore “Largim nga Shërbimi Civil” të Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës D.H.
Gjithashtu, KLSH i ka rekomanduar Kryeministrit të vendit fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim deri në largim nga detyra”, për Prefektin e Qarkut Vlorë E.H.
Institucioni, me Vendimin nr. 65, datë 30.06.2015 të Kryetarit të KLSH, ka rekomanduar pavlefshmërinë e vendimeve të Këshillit Bashkiak Vlorë për dhënien me koncesion të administrimit të parkimit me pagesë në rrugë, në qytetin e Vlorës, si dhe ka kërkuar njëkohësisht anulimin e kontratës së koncesionit, si kontratë që i sjell dëm të konsiderueshëm ekonomik Buxhetit të Shtetit, në rast se zbatohet.
Sigal