KLSH drejt formatimit të plotë profesional

1316
Sigal

Nga Albana Agolli, ish-audituese në KLSH

Kush do të lexojë këto rreshta, mund të mendojë se kam konflikt interesi, duke qenë ish-punonjëse e këtij institucioni. Ndoshta mund ta lehtësojë këtë fakti që po shkruaj e ndodhur me punë jashtë shtetit, në vendin më të zhvilluar të kontinentit tonë, Gjermaninë. Edhe pse jam jashtë Atdheut, mendjen dhe vëmendjen e kam gjithnjë tek lajmet që përcjellin mediat tona. Me Kontrollin e Lartë të Shtetit(KLSH) më lidhin shumë vite pune, eksperienca jete dhe përvojë në auditim, që nga vitit 1997. Së bashku me kolegët, jam rritur profesionalisht me institucionin, sidomos në periudhën 2012-2017, kur u kryen reforma të gjera, në dobi të plotë të ne, audituesve. Nga tradita e trishtë e një kohe kur standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t i njihnin vetëm një grusht njerëzish në institucion, që numëroheshin me gishtat e njërës dorë, u arrit që praktikisht secili auditues të shkojë të paktën një deri tre herë jashtë shtetit në vit, për të marrë trajnim me kolegët e tij auditues të institucioneve supreme të auditimit në Evropë. Tani moto “Experentia mutua Omnibus prodest” (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë) e INTOSAI-t njihet nga të gjithë audituesit e KLSH, madje edhe nga punonjësit mbështetës. Prandaj dhe gëzohem, kur lexoj në mediat e Shqipërisë, se institucioni dhe drejtuesi i tij marrin vlerësime maksimale për punën e kryer nga ajo strukturë e Parlamentit, e caktuar ta mbikëqyrë, nga Komisioni për Ekonominë. Kjo ndodhi dje, më 6 qershor, në mbledhjen e këtij Komisioni për të diskutuar performancën e KLSH. Po ashtu mendoj se një Këshilltar i Lartë i SIGMA-s, Joop Vrojlik kishte plotësisht të drejte katër ditë më parë, kur në një aktivitet të këtij programi të OECD-së dhe BE-së në Tiranë, për marrëdhëniet e institucionit auditues me Parlamentin, ju drejtua audituesve të KLSH: “Ju keni bërë një progres të paimagjinueshëm, që në kujtesën time, asnjë institucion auditimi, të paktën në Evropë, nuk ka mundur ta bëjë. Në vitin 2011, ju ishit me 2 ditë trajnimi për auditues në vit. Mesatarja e institucioneve evropianoperëndimore më të zhvilluara të auditimit është 20 ditë trajnimi në vit. Ju keni arritur në 29 ditë!”. Këtë unë e kam përjetuar vetë. Nga mediat, mësova për paraqitjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i raportit të tij të performancës për vitin 2017. Deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit vlerësuan profesionalizmin e punës së kryer nga institucioni, por edhe mënyrën e raportimit transparent, bazuar në Kornizën e Matjes së Performancës së institucioneve supreme të auditivit (SAI-ve). Ky dokument u miratua si standard për t’u përdorur nga të gjitha SAI-t në Kongresin e INTOSAI-t, INCOSAI i XXII-të në dhjetor 2016 në Abu D’habi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai dëshmon përgjegjësinë e KLSH ndaj rolit dhe misionit të vet, si dhe cilësinë e lartë në ofrimin e një pasqyre për të shikuar objektivisht rezultatet e punës. Më ka bërë përshtypje dhe një frazë e një deputeti gjerman, anëtar i delegacionit të Parlamentit Evropian që në maj të këtij viti vizitoi KLSH-në:”Po të kishit si vend një stafetë për flamurin e institucionit më pranë BE-së, me siguri do ta kishit fituar stafetën!”. Kuptohet konotacioni negativ që kanë stafeta apo flamuri tek ne, për shkak të diktaturës së gjatë komuniste në Shqipëri. Tingëllojnë si fjalë të emulacionit socialist të atij regjimi të shëmtuar. Por ngelet vlerësimi që deputetët e Parlamentit Evropian i bënë ligjit të ri të KLSH, si kontribut real dhe i fortë për integrimin e vendit, si dhe standardeve të integritetit dhe të profesionalizmit që ky institucion zbaton. Në Sofje, Bullgari më 15 maj 2018, dy ditë përpara Samitit Evropian, KLSH dhe Kryetari i tij morën vlerësime nga i gjithë komuniteti i SAI-ve evropiane për pavarësinë reale dhe tërësisht funksionale të institucionit. Institucioni shqiptar i auditimit të jashtëm është në pararojë të zhvillimeve integruese të vendit dhe këtë e dëshmojnë jo vetëm vlerësimet nga Transparency International, nga SIGMA apo nga Raportet e Progresit të Bashkimit Evropian, por janë vetë qytetarët që me shtimin e letrave të tyre drejtuar KLSH, shprehin besimin se ky institucion bie era shtet dhe mund t’u ndihmojë të zgjidhin hallet që kanë. Kjo më bën të ndjehem krenare, për institucionin ku kalova një pjesë të jetës dhe karrierës sime.

Nga ana tjetër, jam në kontakte të shpeshta me koleget dhe kolegët e mi atje dhe të gjithë me konfirmojnë atë që e kam përjetuar për 5 vite rresht 2012-2017: kultura e punës dhe mjedisi është inkurajues për karrieren dhe zhvillimin profesional të audituesve të vjetër dhe të rinj. Institucioni po “rinohet”(në 6 vjet ka ulur moshën mesatare nga 50 në 42 vjeç!), pa humbur nga eksperienca e audituesve me stazh të gjatë pune, por duke marrë mendësinë, qasjet e reja dhe energjinë e audituesve të rinj. Në nivel të dijeve shkencore dhe profesionalizmit, KLSH është një institucion me 8 drejtues me titullin “Profesor”, “Profesor i Asocuar” apo “Doktor i Shkencave”, me 19 drejtues dhe auditues që kanë një diplomë të dytë, ose diploma dhe certifikata ndërkombëtare në kontabilitet dhe auditim. Institucioni ku kam punuar përcjell përgjegjshmëri, progres dhe integritet. E bën këtë nëpërmjet cilësisë së punës audituese, por edhe përmes 86 titujve të librave të botuar brenda gjashtë viteve e gjysmë, apo 521 artikujve, analizave dhe shkrimeve të botuara në shtypin tonë nga audituesit dhe drejtuesit e institucionit në 5 vjet 2013-2017. Kjo përgjegjshmëri, frymë e përhershme reformimi dhe progresi, transparence dhe pune në ekip, më bën të shprehem me bindje se KLSH përfaqëson strukturën publike drejt formatimit të plotë profesional.