KLSH dhe sfidat e Institucioneve Supreme të Auditimit në menaxhimin e burimeve njerëzore

919
Sigal

Nga Mimoza BEDINI

Audituese e Lartë në KLSH

Roli dhe sfidat e Institucioneve Supreme të Auditimit në menaxhimin e burimeve publike.

 

Vendimet për mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike ndërmjet agjencive dhe aktiviteteve, pasqyrojnë qëllimet e qeverisë për politikat dhe ofrimin e shërbimeve. Por vendimet se ku duhet të shpenzohen paratë janë efektive vetëm nëse këto para shpenzohen për destinacionin e përcaktuar dhe nëse këto para shpenzohen në mënyrën e duhur. SAI-t janë ndër institucionet më të rëndësishme për të siguruar që kjo të ndodhë. Megjithëse vetë qeveria luan rolin parësor në zbatimin e buxhetit, SAI-i kontrollon nëse buxheti është zbatuar në mënyrë të duhur dhe sipas prioriteteve. Në shumicën e vendeve legjislatura duhet të luajë një rol të rëndësishëm në zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit. Megjithatë, është SAI që gjeneron hetimet për ekzekutimin e buxhetit të qeverisë dhe diagnostikon problemet e mundshme. Për më tepër, raportet e SAI janë burimi i vetëm i pavarur i informacionit mbi zbatimin e buxhetit. Si të tilla, ato shpesh janë burimi i vetëm i informacionit të besueshëm, mbi efikasitetin dhe efektivitetin e qeverisë, në dispozicion të publikut. Deklarata e Limas e vitit 1977, deklaron se përmes punës së tyre të auditimit, SAI-t duhet të ndjekin katër objektiva kryesore:

-komunikimin e informacionit me autoritetet publike dhe publikun e gjerë nëpërmjet publikimit të raporteve objektive.

-zhvillimin e menaxhimit të shëndoshë financiar.

-ekzekutimin e duhur të aktiviteteve administrative.

-përdorimin e duhur dhe efektiv të fondeve publike.

Llojet e ndryshme të auditimeve për diagnostikimin e problemeve janë; Auditimet financiare, vlerësojnë saktësinë dhe drejtësinë e procedurave të kontabilitetit të përdorura nga një agjenci qeveritare dhe pasqyrat financiare të prodhuara. Pyetja kryesore që heton është: “A japin deklaratat ose raportet e audituara në mënyrë të saktë gjendjen financiare dhe/ose aktivitetin e subjektit të audituar?” Pa auditime të tilla, është shumë e vështirë që ne të dimë se çfarë bën qeveria me burimet publike, nëse dokumentet me këtë informacion do të publikoheshin ndryshe.

Auditimet e përputhshmërisë, vlerësojnë nëse fondet janë përdorur për qëllimet për të cilat janë ndarë nga legjislativi dhe në përputhje me ligjet dhe rregulloret përkatëse. Pyetja kryesore që ata kërkojnë është: “A është subjekti i audituar në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi?” Transaksionet rishikohen për të përcaktuar nëse departamentet qeveritare dhe agjencitë janë në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret përkatëse. Pa auditimet e përputhshmërisë nuk do të dimë, për shembull, nëse burimet e buxhetuara janë shpenzuar për artikujt e miratuar nga legjislativi. Disa SAI-të kryesisht në vendet e zhvilluara, kanë filluar të lëvizin përtej këtyre funksioneve themelore të auditimit për të vlerësuar “përdorimin e duhur dhe efektiv të fondeve publike”. Kjo ka çuar në hulumtimin e auditimeve të performancës, të njohura edhe si auditime për vlerën e parave që analizojnë kosto-efektivitetin, efikasitetin operacional dhe efektivitetin e përgjithshëm të programeve qeveritare në arritjen e objektivave të tyre. Të gjitha SAI e Shteteve Anëtare të BE-së kryejnë auditime të performancës, ndërsa auditimi i performancës përgjithësisht interpretohet duke iu referuar ekonomisë, eficiencës dhe efektivitetit, shtete të ndryshme e interpretojnë këtë në mënyra të ndryshme. Në Francë, fokusi është në arritjen e objektivave të dëshiruara nëpërmjet vlerësimit të programit. Në Portugali, auditimet e performancës kanë tendencë të përqendrohen në zhvillimet kundër performancës së kaluar, në vend që të jenë tregues të praktikës së mirë. Pa auditime të vlerës së parave, nuk do të dimë nëse agjencitë zbatuese kanë përdorur burimet publike në mënyrën më efikase dhe efektive të mundshme. Prandaj, ato janë një pjesë integrale e procesit të sigurimit që procesi i zbatimit të buxhetit ndjek objektivat e politikave në masën më të madhe të mundshme.

Disa vëzhgues e shohin auditimin e performancës si një luks që vendet e varfra nuk mund të përballojnë dhe argumentojnë se puna kryesore e SAI-ve duhet të mbetet auditimi financiar dhe përputhshmërisë. Duke pasur parasysh se shqetësimi kryesor i qytetarëve është ofrimi i shërbimeve nga qeveria, është e vështirë të shihet se si SAI-të mund të shmangin vlerësimin e performancës në një periudhë afatgjatë.

Por cilat janë sfidat që përballet një SAI?

Sfidat me të cilat përballet një SAI, klasifikohen në institucionale, teknike dhe politike.

Sfida institucionale, SAI-t shfaqin disa sfida si çdo institucion në vendet në zhvillim. Sfida kryesore është kapacitet i ulët për përmbushjen e funksionit të tyre kryesor. Zakonisht SAI-et nuk janë të financuara sa duhet dhe nuk kanë numrin e duhur të stafit.

Sfida teknike, Zhvillimet në teknologjinë e informacionit dhe qasjet e reja në menaxhimin e financave publike kanë krijuar sfida të reja teknike për SAI-t. Për të kryer funksionet e tyre të auditimit financiar bazë, aftësitë e teknologjisë së audituesve duhet të forcohen në mënyrë që ata të mund të monitorojnë në mënyrë efektive transaksionet elektronike, të tilla si prokurimi elektronik dhe të kenë qasje në sistemet dhe të dhënat e qeverisë.

Sfida politike, Sfidat politike me të cilat ballafaqohen SAI janë të dyfishta: ata duhet të mbrojnë pavarësinë e tyre dhe të imponojnë rekomandimet e tyre mbi ekzekutivin.

SAI-t mund të mbahen nën kontroll nga ekzekutivi që kontrollon buxhetet e tyre. Kontrolli mbi buxhetet e SAI, i jep ekzekutivit aftësinë jo vetëm për të ndikuar drejtpërsëdrejti në atë që duhet audituar dhe raportuar, por edhe fuqinë për të kontrolluar në mënyrë indirekte fushën e punës së SAI-ve. Buxheti i një SAI përcakton numrin dhe nivelin e pagave, numrin e auditimeve që mund të kryhet dhe shkallën në të cilën raportet e auditimit mund të shpërndahen dhe komunikohen. Në këtë mënyrë, kontrolli mbi financat i jep qeverisë një kontroll jo të shëndoshë mbi aftësinë e SAI-ve për të audituar agjencitë dhe ministritë e tyre.

Sfida e dytë politike që hasin SAI-t është se ata nuk kanë autoritet të mjaftueshëm për të siguruar që gjetjet dhe rekomandimet e auditimeve të zbatohen brenda procesit të menaxhimit të burimeve publike. Në shumë raste SAI-t arrijnë të kryejnë auditime në kohë dhe të bëjnë rekomandime të mira për veprime korrigjuese, por ato mund të injorohen ose të mos zbatohen plotësisht nga ekzekutivi duke u shoqëruar me pandëshkueshmëria politike, do të thotë që këto rekomandime ende injorohen ose që zyrtarët e atakuar nuk janë sanksionuar.

Niveli i zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucionit të auditimit të jashtëm publik në Shqipëri, është i kënaqshëm, në shifrat 60-70 % (referuar statistikave te KLSH) i ngjashëm me nivelet e SAI-ve të rajonit dhe atyre të zhvilluara, por problematikë ngelet zbatueshmëria e ulët e propozimeve të KLSH për largim nga puna të zyrtarëve të lartë të denoncuar nga institucioni. KLSH nëpërmjet bashkëpunimit me Parlamentin, veçanërisht me Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, si edhe me Qeverinë, shoqërinë civile dhe median do të rrisin efektivitetin dhe pavarësinë reale të KLSH-së duke zbatuar rekomandimet e dhëna, si një tregues i drejtpërdrejtë i vullnetit politik për luftën reale ndaj korrupsionit.