“KLSH dhe kontributi ne integrimin e vendit”

628
Fatos Çoçoli
Miratimi nga parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i rekomandimit të Komisionit Evropian për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë, është pa dyshim një proces politik. Megjithatë, këto parlamente, në diskutimet e anëtarëve të tyre, shikojnë çdo lëvizje, ndryshim dhe përparim konkret në të 33 kapitujt e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit të vendit tonë me BE-në. Kapitulli i 32-të, ai i “Kontrollit Financiar”, në një nga të dy pjesët kryesore të tij, atë të auditimit të jashtëm publik, është praktikisht i plotësuar tërësisht. Në ka një institucion transparent, të përgjegjshëm, të hapur me qytetarin (98 për qind e raporteve të auditimit publikohen në kohë reale në faqen e internetit të institucionit www.klsh.org.al ), që gëzon besimin dhe simpatinë e qytetarëve, ky është Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Një fakt i tillë është konstatuar edhe nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si Transparency International, Open Budget Index i International Budget Partnership etj. 

Miratimi i Ligjit të ri të KLSH-së nga Kuvendi i Shqipërisë, me 27 nëntor 2014, mund të konsiderohet pa mëdyshje si reforma më e rëndësishme në të gjithë historinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që nga viti 1992 e këtej, kur ky institucion nisi të funksionojë, pas zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Ky ligj ia shtroi rrugën e reformimit dhe modernizimit të plotë të këtij institucioni, në përputhje të plotë me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (ISSAI-t) te organizatës botërore te institucioneve supreme te auditimit INTOSAI. Në këtë mënyrë është përmbushur me sukses projekt-idea e paraqitur nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë me 14 nëntor 2011 si dhe Strategjia e Zhvillimit 2013-2017 të KLSH, e pasuar nga strategjia e re e zhvillimit të institucionit 2018-2022. Ky ligj, që shënon një arritje të rëndësishme në kornizën ligjore të vendit, përmban amendime të qenësishme në drejtim të forcimit të pavarësisë së KLSH, të drejtave dhe detyrave të tij, statusit të audituesve, si dhe në marrëdhënien me subjektet e audituara.
Me këtë ligj, legjislacioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i përafrohet gjithnjë e më shumë standardeve ndërkombëtare të auditimit INTOSAI dhe legjislacioneve bashkëkohore të institucioneve homologe në vendet e tjera Evropiane dhe më gjerë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka për kompetencë të auditojë edhe përdoruesit e fondeve publike të ofruara nga Bashkimi Evropian ose organizata të tjera ndërkombëtare. Realizimi me sukses i Projektit të Binjakëzimit IPA 2013 për modernizimin e kapaciteteve audituese të KLSH është një tjetër garanci për institucionet evropiane për kontributin e këtij institucioni në rrugën e integrimit. Pasja e një ligji tërësisht në përputhje me standardet INTOSAI ka qenë një kërkese e kahershme e Bashkimit Evropian, e cila gjendet në të gjitha Progres Raportet, që nga viti 2009 e deri në vitin 2013, pa praninë e të cilit Kapitulli i 32-të i Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE-në, as hapej, as edhe mbyllej. 

Duke vlerësuar rëndësinë e miratimit të këtij Ligji integral të KLSH-së, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë është shprehur më 28 nëntor 2014: “…Delegacioni i BE-së e përgëzon Parlamentin shqiptar për vendimin e djeshëm për miratimin e Ligjit mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ai është jo vetëm një hap i madh përpara lidhur me përpjekjet e Shqipërisë për të reformuar auditin e jashtëm të fondeve publike, por gjithashtu i lehtëson rrugën Programit të BE-së për Mbështetjen e Buxhetit për Menaxhimin e Financave Publike”. Prej këtej del qartë kontributi i qenësishëm i KLSH-së në integrimin e vendit. Nëse bëhet tek ne një vlerësim apo garë për institucionet shqiptare më pranë standardeve evropiane, pa dyshim ky institucion kushtetues do të dilte ndër të parët. 
Sigal