KLP hap garën për Kryeprokuror të Përgjithshëm

587
Sigal

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është hapur gara për të zgjedhur prokurorin e Përgjithshëm.
Në axhendën e publikuar nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë thuhet se “Do bëhet miratimi i rregullores ‘Mbi kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokurorë të Përgjithshëm’”. 
Hapja e garës ishte paralajmëruar që më 1 shkurt nga drejtuesi i KLP-së, Gent Ibrahimi, i cili është shprehur se në fillim të muajit qershor, do bëhet e mundur emërimi i kryeprokurorit të ri, post që mbahet aktualisht nga prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Prokurori i ri i Përgjithshëm do të ketë një mandat 7-vjeçar.
Mësohet se për postin e kryeprokurorit kanë shprehur interes për të garuar disa prokurorë, madje dhe kryeprokurorja aktuale e Përkohshme, Arta Marku.
Përveç kandidimit të Arta Markut, mësohet se prokurorët e tjerë që pritet të garojnë për këtë post janë Olsian Çela, Adnan Xholi dhe Plarent Ndreca.
Kriteret për të përzgjedhur kryeprokurorin e ri:
Disa nga kriteret që duhet të plotësohen nga kandidatët për Prokurorë të Përgjithshëm janë: të kalojnë me sukses verifikimin e plotë të pasurisë dhe figurës së tyre, të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990.
Të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të asnjë shërbimi sekret. Të mos jenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale dhe të mos jenë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi. Sipas ligjit, Këshilli do të rendisë tri kandidatët që plotësojnë kriteret dhe më pas do të dërgohen në Kuvend për votim.
Gjithashtu, KLP do vlerësojë edhe rezultatet e vlerësimit profesional të kandidatit në fushën e drejtësisë penale, integritetin moral dhe profesional, si dhe aftësitë organizative dhe drejtuese. Në rastet kur kandidatët kanë të njëjtën meritë, vlerësohet vjetërsia në ushtrimin e profesionit dhe eksperienca profesionale.