Klosi dhe Nikolla marrëveshje për shkollat: 23 e 24 shkurti shpallen Ditët Kombëtare të Pemëve

879
Datat 23 dhe 24 shkurt të çdo viti, shpallen Ditët Kombëtare të Pemëve ndërsa të gjitha shkollat dhe universitetet në mbarë vendin do të bëhen pjesë e këtyre ditëve kushtuar gjelbërimit dhe pyllëzimit. Për realizimin e kësaj fushate, ministrat Klosi dhe Nikolla nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në prani të nxënësve të gjimnazit “Partizani” në Tiranë.
Ministri Klosi kërkoi mbështetjen e çdo nxënësi, mësuesi dhe prindi që të mbjellin pemë për të rigjeneruar mjedisin dhe jetën në vendin tonë. Vetëm me përfshirjen e të gjithë qytetarëve dhe bizneseve, do të arrihet që Shqipëria të bëhet vendi më i gjelbër në rajon.
“Sot nënshkruam me ministren Nikolla një pakt i cili nuk u takon në fakt institucioneve tona, por i takon të gjitha shkollave të Shqipërisë për të marrë pjesë në aksionin e madh të mbjelljes së 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020 duke e bërë Shqipërinë një nga vendet më të gjelbëruara në rajon. Ky aksion do të vazhdojë gjatë gjithë muajit në të gjitha shkollat e vendit dhe do të kurorëzohet në datat 23 dhe 24 shkurt, ditë të shpallura si Ditët e Pemëve kur do t’u kërkojnë të gjithë qytetarëve, të gjithë bizneseve që të mbjellin një pemë për veten, për njerëzit të cilët i kemi në emigracion, për fëmijët të cilët duam t’i rrisim me dashurinë për natyrën, për të rikrijuar dhe rigjeneruar jetën në Shqipëri”, tha ministri Klosi.
Ministrja Nikolla siguroi mbështetjen e plotë të ministrisë së Arsimit për mbarëvajtjen e aksionit të mbjelljes së pemëve duke përsëritur apelin për përfshirjen vullnetare të të gjithë nxënësve dhe stafit pedagogjik.
Në fund të takimit ministrat e Mjedisit dhe Arsimit, së bashku me mësues e nxënës mbollën fidanët për kurorën e gjelbërt të shkollës “Partizani”. Memorandumi midis dy ministrive, synon organizimin e ditëve të mbjelljes së pemëve për çdo vit nga shkollat dhe universitetet, kryesisht në territoret e shkollave dhe përreth tyre në bashkëpunim me autoritetet vendore, si dhe nxitjen e bizneseve për të dhuruar fidanë pyjorë dhe dekorativë për institucionet shkollore.
Sigal