Klodi Stralla: Tarafi osman dhe metamorfozat e tij në kohën tonë

186

Ajo që ndryshon më ngadalë se çdo gjë tjetër në shoqërinë njerëzore është mentaliteti

Tarafi osman dhe metamorfozat e tij në kohën tonë

Klodi Stralla

Këtë trashëgimi të keqe historike shfrytëzojnë Fuqitë e Mëdha që, në këmbim të sigurimit të pushtetit për elitat vendase, i kanë kthyer ato në klientela të interesave të tyre

 Kushdo që dëshiron të kuptojë sadopak mentalitetin dhe mënyrën e funksionimit të shteteve të sotëm të botës islame, përfshirë këtu edhe vendin tonë, duhet të njohë paraprakisht sistemin klientelist të Tarafeve, një mekanizëm që na vjen nga koha e Perandorisë osmane, pjesë e së cilës kanë qenë të gjithë këto vende për disa shekuj, mekanizëm sipas të cilit përzgjidheshin nëpunësit publikë që administronin metropolin ose krahinat e perandorisë. Që të bëjë karierë në politikë, në ushtëri, në administratë, a kudo gjetkë, duhet t’i përkisje një tarafi (klani) të caktuar. Tarafi osman ishte një bashkësi njerëzish të lidhur mes tyre mbi baza fisnore (gjaku) ose vendi (krahine), që kishte një të parë të njohur nga Sulltani apo vartësit e tij. Ky taraf (klan) garantonte qetësinë publike, mblidhte taksat dhe furnizonte me ushtarë sulltanin në rast lufte dhe, në këmbim të saj, merrte nga pushteti politik, qendror ose lokal, poste publike për njerëzit e vet. Ky post shihej si burim fitimesh të kundraligjshme dhe në këmbim të besnikërisë ndaj tarafit (klanit) politik, në shërbim të së cilit duhet ta vije postin, nëpunësi kishte detyrimin t’i jepje kreut të tij një pjesë të fitimeve të nxjerra në mënyrë të kundraligjshme. Pra forca lëvizëse e këtij sistemi ishte, që në gjenezë, korrupsioni. Në kohët moderne, pas shpërbërjes të Perandorisë osmane dhe pavarësimit të tyre, të gjitha këto vende adaptuan Kushtetuta demokratike (në letër), dhe rolin e tarafit të dikurshëm osman e zunë Partitë politike. Kryetari i partisë është i pari i tarafit, anëtarët e saj janë anëtarët e tarafit, por ‘viktima’ mbetët e njëjtë – buxheti i shtetit, që përdoret dhe vidhet në mënyrë klienteliste. Nuk është rastësi që ‘vota’ në zgjedhje, shitet e blihet, jo vetëm me lek në dorë, por sidomos me premtime për vende pune në administratë, mundësisht në ministri, dogana, tatime, ipoteka apo në sistemin gjyqësor; kudo ku ka para për të administruar. Cikli është i tillë: Zgjedhësit (antarët e tarafit) mbështesin një kandidat (të fortin e zonës apo të parin e tarafit) dhe votojnë familisht për të. Kur ai vjen në pushtet mbush gjithë administratën e tij me njerëzit e tarafit të vet, që e kanë mbështetur. Këta nëpunës, duke shpërdoruar detyrën, korruptohen duke shitur të mirat publike që administrojnë dhe një pjesë të fitimeve ia rikthejnë Partisë, si ‘karburant’, për të fituar zgjedhjet e ardhëshme dhe për të ruajtur postin e tyre. Kështu mbyllet cikli. Një mekanizëm korruptiv, i sofistikuar por shumë i dëmshëm jo vetëm për atë pjesë të shoqërisë që nuk i përket asnjë tarafi, por edhe për gjithë shoqërinë. Tek ne, me Rilindjen, u kalua në një fazë më të avancuar: Partia përzgjedh PPP-të, të cilat financojnë fushatat elektorale të saj, blejnë vota, dhe pastaj, si kundrashpërbim përfitojnë tendera publikë pa garë ose të paracaktuara. Ky është shteti që, ndonëse demokratik në letër, nuk ka asnjë lidhje në përmbajtje me natyrën e shtetit perëndimor. Të shkëputesh nga ky sistem tarafi, ku kemi jetuar historikisht disa shekuj me rradhë, nuk është e lehtë. Ajo që ndryshon më ngadalë se çdo gjë tjetër në shoqërinë njerëzore është mentaliteti. Këtë trashëgimi të keqe historike shfrytëzojnë Fuqitë e Mëdha që, në këmbim të sigurimit të pushtetit për elitat vendase, i kanë kthyer ato në klientela të interesave të tyre.