Klik Ekspo Group & Panairi Ndërkombëtar i Tiranës në rrugën e më të mirëve

697
Tirana, kryeqyteti i Ballkanit Perëndimor edhe në fushën e eventeve
Klik Ekspo Group & Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, në pritje të edicionit të 24-t të Panairit në datat 23 deri në 26 nëntor në Pallatin e Kongreseve, prezanton projektet më të reja që e shohin të angazhuar në arenën ndërkombëtare. Në një fazë ripërtëritjeje për Panairin e parë e më solid të Tiranës, teksa ka arritur të puqë standarde e vija finishi të patjetërsueshme, e me fizionomi të ndryshuar, rrugët takohen me një prej Panaireve më të rëndësishme ndërkombëtare, atë të Romës, qytetit të përjetshëm tek i cili të çojnë të gjitha rrugët e kulturës, religjionit, biznesit të së shkuarës dhe të së ardhmes po ashtu. Ne këtë kuadër, Klik Ekspo Group & Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, do të presin në Tiranë, Administratorin e Fiera di Roma, Ing. Pietro Piccinetti.

Me Panairin e Parë Ndërkombëtar në Shqipëri, organizuar nga Klik Ekspo Group për herë të parë në Tiranë, në Nëntor 1994, në Piramidën e sapokthyer në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, një shteg i ri hapej në atë kohë kur profanë të ekonomisë së tregut të lirë dhe nocioneve të marketingut, pionierët e sipërmarrjes shqiptare dhe të parët investitorë të huaj të guximshëm, përqafuan edicionin e parë. Që prej 94, me anëtarësimin në organizmat botërore (UFI – Organizata Globale e Ekspozitave dhe Panaireve Ndërkombëtare; CEFA – Aleanca e Panaireve të Evropës Qendrore; EASE – Organizata e Panaireve të Evropës Juglindore), me konsolidimin e partnership-ve e me besueshmërinë e qindra ekspozuesve të huaj, përligjet nevojshmëria për të fortifikuar themelet si pikë referimi për mbarë Ballkanin Perëndimor, teksa është duke parë përtej në zgjerimin e partnershipeve që e shohin pjesë të Komunitetit Evropian. Klik-u, ishte enti i vetëm shqiptar që zgjoi interesin e së mirënjohurës E.A. Fiera del Levante drejt Shqipërisë që në 1996, duke e sjellë në Tiranë pas përpjekjeve të shumta në realizimin e përbashkët të edicionit të parë të Fiera del Levantes në Tiranë. Që nga njohja si i Deleguar Zyrtar i Fiera del Levantes për Shqipërinë dhe Ballkanin në 1998, vazhdoi ngushtë bashkëpunimin në projektet “shqiptare” të Entit Puljez, si Edil Levante in Albania, Expo Biz, Italian Style etj. Pas bashkëpunimeve me Rajonin e Puljas, Marke dhe Bazilikata, sot pritshmëritë janë ato të zgjerimit të fushëveprimin edhe në Rajonin e Lazios, Lombardisë, Toskanës, Veneto, Friuli Venezia Giulia etj.

Në këtë vizitë dyditore në Tiranë, Presidenti i Panairit të Romës, Z.Pietro Piccinetti, do të diskutojë nga afër Projektin ambicioz të organizimit të Panaireve Joint-Venture me Klik Ekspo Group dhe Panairin e Tiranës, që do të plotësojnë portofolin e panaireve simbol të dy kryeqyteteve. Bashkëpunimi mes veprimtarëve të panaireve dhe të ngjashmeve në industrinë e eventeve, ka qëllim të shohë të përmbushur misionin e nxitjes së komunikimit jo vetëm mes sipërmarrjes dhe institucioneve qeverisëse, por mbi të gjitha të krijoje lëvizje dhe konsonancë mes popujve: dy kryeqytete, Roma dhe Tirana, pika referimi për dy skajet e një Zone gjeografike unike për nga diversiteti dhe shumëllojshmëria, i sjellin ekspozuesit më pranë organeve vendimmarrëse duke i ofruar panoramën më të qartë ekonomike e sociale, iniciativave dhe programeve lehtësuese qeverisëse, bëjnë vend strategjive të zhvillimit të ndërsjella në sektorë prioritare si Turizmi, Bujqësia, unifikimit të tregjeve duke e zgjeruar konceptin lokal në atë rajonal e më tej global. Panairi i Romës, projektuar që në vitet e Pasluftës së dytë botërore, me inaugurimin e kuartierit të ri ne 2006, enti po gëzon rritje dhe ekspansion duke u kthyer në polin e ekspozimit më të rëndësishëm të mbarë Evropës. Një vepër e rrallë arkitektonike e Ark. Tommaso Valle, e kthyer në një qendër futuristike biznesi dhe kulturore, e njëherazi dhe pikë referimi turistike me famë ndërkombëtare, në zemër të Romes, zemra ekonomike mes jugut dhe veriut të Italisë, por dhe Jugut dhe Veriut të Evropës. Mes epiteteve te tjera si Caput Mundi, Romës i shtohet dhe Kryeqyteti i Mesdheut, udhëkryq i domosdoshëm kulturash e ndërveprimesh. E Tirana nga ana tjetër, Porta natyrale drejt Ballkanit, është kundërpesha e nevojshme që me hope galopante zhvillimi, inkurajuar edhe nga partneri më i afërt Italia me të cilën këmben përvoja e realitete njerëzore të dëshmuara edhe nga “fluksi i ndërsjellë i emigrimit”, kaq pranë hyrjes në Familjen e EU, është më e gatshme se kurrë më parë për t’iu përshtatur epokës së globalizimit dhe mendësisë “think international”, duke eksportuar jo vetëm produkte, por edhe evente, dituri dhe know-how. Projektet e para pilot, ato të organizimit të ALMEX – Albanian Military Exhibition me ambicien dhe kurajën për të sfiduar distanca dhe paragjykime, do të prezantohen në një takim-show ditën e enjte, ora 17:30, në Sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve. Një prej ndalesave të vizitës së Ing. Piccinetti do të jetë njohja me realitetin e sipërmarrjes vendase duke pasur takime pune me autoritetet drejtuese të komunitetit të biznesit dhe Institucionet e Tiranës. 
Sigal