KLD/ Propozohen 3 gjyqtarë për në Gjykatën e Krimeve të Rënda

1128
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pezulluar nga detyra dy gjyqtarët e Sarandës Rasim Doda dhe Parashqevi Ademi të akuzuar për korrupsion. Vendimi u mor sot në mbledhjen e radhës të KLD.
Gjyqtari Rasim Doda ishte në hetim që prej prillit të 2015, ndërsa gjyqtarja Parashqevi Ademi u arrestua në flagrancë në zyrën e saj më 11 qershor 2015.

Njoftimi i plotë i mbledhjes së KLD 
Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 10.07.2015, mbledhjen plenare, e cila nisi me shqyrtimin e kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e 3 (tre) vendeve vakant, në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Duke pasur në konsideruar natyrën e veçantë dhe rolin shumë të rëndësishëm te Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Këshilli i Lartë i Drejtësisë në përzgjedhjen e gjyqtarëve që do të jenë pjesë e kësaj trupe gjyqësore u fokusua rigorozisht vetëm në kandidatët me pikët më të larta sipas sistemit të pikëzimit.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës këto kandidatura:
Znj. Daniela Shirka
Znj. Miliana Muça
Z. Bib Ndreca
Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e KLD-së, diskutuan dhe shqyrtuan propozimin për emërimin e një inspektori pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pasi diskutimeve me shumicë votash anëtarët e KLD-së, vendosën të emërojnë inspektor pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë z. Ndue Gjura, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Seanca plenare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë vijoi me shqyrtimin e informacionit të ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me procedimet penale ndaj gjyqtarëve R.D. dhe P.A. Pas diskutimeve rreth statusit të këtyre gjyqtarëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të pezullojë nga detyra këto gjyqtarët R.D. dhe P.A, deri sa të merret një vendim gjyqësor i formës së prerë, për çështjen penale në ngarkim të tyre. 
Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për 3 (tre) gjyqtarët e mëposhtëm:
Ariola Kristo, Rrethi Gjyqësor Korçë;
Flora Hasimi, Rrethi Gjyqësor Durrës; 
Shpetim Reka, Rrethi Gjyqësor Durrës.
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.
Sigal