Klaudia Krasnika: “E vendosur të çoj para ligjit abuzuesit me detyrën”

924
Sigal

Drejtorja e Postës në Elbasan zonja Klaudia Krasnika, në një prononcim për “Telegraf” ka deklaruar se, “mbetem e vendosur në dërgimin para ligjit të çdo punonjësi të këtij filiali që ka abuzuar dhe kërkon të abuzojë me ligjin dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë”. Nisur nga rastet e fundit të zbulimit të dy ish-punonjësve të Postës Elbasan, që kishin abuzuar me paratë e faturave të energjisë elektrike apo edhe pensioneve, të cilët sot gjenden të arrestuar, zonja Krasnika ka shprehur besimin e saj tek organet kompetente të zbatimit të ligjit. Sipas saj, në Postën e Elbasanit, tashmë ka nisur një frymë e re, puna në ekip, e cila ka zbuluar problemet e mbartura prej vitesh, duke zbuluar edhe nxjerrë para ligjit dhe përgjegjësive penale abuzuesit me paratë e shtetit dhe taksapaguesve. Rasti më i fundit i arrestimit të arkëtarit të postës së Bradasheshit , 50- vjeçarit Kujtim Kacabunja, nën akuzën e vjedhjes së 750 mijë lekeve të faturave të energjisë, ka detyruar filialin e Postës të marrë masa radikale dhe të forcojë rregulloren e këtij institucioni. Drejtorja Krasnika tha se, “po kalohen në “sitën” e kontrolleve tona të gjitha periudhat e punës së punonjësëve tanë dhe atje ku dyshohet dhe zbulohen shkelje ne kemi kërkuar dhe po kërkojmë bashkëpunimin me organet e drejtësisë.  Është e pafalshme që një punonjës i Postës, të mendojë dhe guxojë të abuzojë dhe përvetësojë paratë e qytetarëve, pasi ky është një krim që kërkon ndëshkim ligjor”. Tashmë sportelet e Postës së Elbasanit janë nën monitorimin e përditshëm nga drejtoresha e këtij institucioni, po ashtu edhe të gjitha shërbimet që ky filial kryen pas firmosjes së kontratave bashkëpunuese me institucionet e tjera të qarkut. Aktualisht radhët e gjata në sportele janë një kujtim i largët, dhe qytetarët shprehen të kënaqur nga shërbimet postare të ofruara si dhe bashkëpunimi mes tyre dhe filialit. Gjithashtu zonja Klaudia tha se: “Posta e Elbasanit pas miratimit edhe nga DPPSH, ofron për qytetarët dhe abonentët e saj shërbime të tjera shtesë, duke rritur jo vetëm numrin e tyre por edhe cilësinë për tu gjendur pranë dhe për të lehtësuar zgjidhjen e problemeve të klientëve tanë”. Tashmë Posta Elbasan është në fazën përfundimtare të reformimit të stafeve në zyrat postare në komuna e fshatra dhe shumë shpejt do të shtrijë atje edhe shërbimet e reja duke synuar të jetë de fakto pranë çdo klienti duke ofruar cilësi, shpejtësi, siguri.