Kisha Ortodokse shpëndan ndihma për të prekurit nga tërmeti

1374
Sigal

Konkretisht pranë atyre që u goditën nga tërmeti

Tragjedia natyrore e datës 26 nëntor 2019, që ndodhi goditi fort njerëzit dhe shtëpitë, por solli edhe një mrekulli, hapjen e zemrave në një garë të paparë solidariteti dhe dashurie për të afërmin e prekur nga fatkeqësia. Madje, ky solidaritet i kapërceu kufijtë dhe përfshiu të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë, si asnjëherë më parë

Edhe Kisha jonë shpejtoi të ofrojë çdo mundësi që disponon për lehtësimin e të prekurve nga tërmeti. Që atë ditë, 26 nëntor, Kryepiskopi Anastas shkoi në qytetin e Durrësit për të qenë afër njerëzve më të goditur dhe kontaktoi me shtabin e emergjencës për të ofruar gjithë ndihmën e mundshme.

Që në çastet e para, Kisha Katedrale e qytetit i çeli dyert për të gjithë, pa asnjë dallim dhe oborri i saj u ofrua për vendosjen e çadrave, duke qëndruar i hapur 24 orë pa ndërprerje. Po kështu ndodhi edhe me mjediset e Akademisë Teologjike, të kishës së Shën Vlashit dhe të skitit të Miroprurëseve, të cilat mikpritën dhjetëra të prekur nga tërmeti, ndërsa Radio “Ngjallja”, pa ndërprerje, nxiste dhe vazhdon të nxisë për mbështetje konkrete.

Veçanërisht Rinia Orthodhokse është vënë në lëvizje për mbledhjen e ushqimeve, përgatitjen dhe shpërndarjen e tyre, si dhe për mbledhjen e ndihmave monetare, veshjeve etj. Gjithashtu të rinjtë, studentët e shkollave të Kishës dhe klerikët u vunë në shërbim për të ndihmuar me çdo mënyrë njerëzit e strehuar.

U krijua edhe një shtab i posaçëm i drejtuar nga Mitropoliti i Apollonisë, Hirësi Nikolla, për të koordinuar ndihmën në të gjitha aspektet e saj. Kështu, mbi 130 persona u strehuan në Manastirin e Shën Vlashit dhe mjediset e tjera të tij, ku iu siguruan kushte të mira strehimi, ushqim në mensën e shkollës etj. Disa dhjetëra persona u strehuan në mjediset e Katedrales së Durrësit, ndërsa në kishat orthodhokse mblidheshin ndihma për të dëmtuarit. Një numër llogarie u hap nga Kisha jonë për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë me vlera monetare.

Ky impenjim është i vazhdueshëm dhe do jetë konkret edhe në të ardhmen. Ai mbështetet edhe nga solidariteti i Kishave të tjera Orthodhokse dhe të krishtera, që nëpërmjet mesazheve drejtuar Kryepiskopit Anastas dhe autoriteteve, kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre.

Në orët tronditëse të sprovës, zgjohen brenda nesh ndjenja fisnike dhembshurie, mirësie, dashurie, të cilat qëndrojnë të strukura në thellësitë e shpirtit njerëzor. Të mos i lëmë t’i zërë gjumi përsëri. Përkundrazi, le të kujdesemi t’i përdorim për të fuqizuar solidaritetin social, respektin e ndërsjellë dhe mbështetjen mes popujve.

Kishat Orthodhokse shprehin solidaritet me vendin tonë

I menjëhershëm ka qenë dhe solidariteti i Kishave të tjera Orthodhokse dhe të krishtera, të cilat, nëpërmjet mesazheve drejtuar Kryepiskopit Anastas dhe autoriteteve, kanë shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e tyre.

Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, i kryesuar nga Patriarku Ekumenik Vartholomeu, i dërgoi mesazh ngushëllimi Kryepiskopit Anastas dhe Presidentit të Republikës, Z. Ilir Meta , duke shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen përballë këtij tërmeti shkatërrues.

Kryepiskopi Jeronimos i Athinës dhe i gjithë Greqisë i telefonoi Kryepiskopit Anastas, duke i shprehur mbështetjen e plotë të Kishës së Greqisë për Kishën e Shqipërisë dhe popullin e saj, që u prek rëndë nga tërmeti vdekjeprurës që u kushtoi jetën dhjetëra njerëzve.

Kryeiskopi Jeronimos tha se “Apostoli”, zyra e ndihmës sociale e Kryepiskopatës së Athinës, do të ndihmojë Kishën e Shqipërisë. Drejtori i saj i Përgjithshëm tashmë ka kontaktuar me Kryepiskopin Anastas, për koordinimin e ndihmave për viktimat e tërmetit.

Gjithashtu, ndihmat më të domosdoshme dhe immediate po mblidhen edhe me nismën e kishave të zonave të ndryshme. Kështu, në të gjitha kishat e Mitropolisë së Patras po mblidhen ndihma për vëllezërit shqiptarë të goditur nga tërmeti, ndërsa të dielën, 1.12.2019, dhisku do të shkojë në ndihmë të tyre.

Patriarku Kirill i Moskës dhe Gjithë Rusisë i shprehu ngushëllimet Kryepiskopit Anastas:
“Ju lutemi pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta për fatkeqësinë që i ndodhi vendit tuaj. Në thellësi empatizuese me të gjithë ata që preken nga kjo fatkeqësi, veçanërisht me ata që humbën të afërmit dhe të dashurit e tyre në këtë tragjedi, unë i lutem Zotit të Mëshirshëm të dërgojë ngushëllim për ata që vajtojnë, t’u dhurojë sa më shpejt shërimin e të plagosurve dhe t’u japë forcë njerëzve që punojnë për të kapërcyer pasojat e katastrofës natyrore.”

Patriarku i Serbisë Irineu i dërgoi një mesazh ngushëllimi popullit shqiptar dhe Kryepiskopit Anastas me rastin e tërmetit fatal të 26 nëntorit. “U informuam për pasojat shkatërruese të tërmetit. Në emër të të gjithë Kishës Orthodhokse Serbe, ju ngushëlloj ju, familjet e viktimave dhe popullin shqiptar. Jam prekur thellësisht nga ky tërmet vdekjeprurës dhe e lus Zotin për ruajtjen e jetës së të plagosurve dhe fuqizimin e atyre që kanë humbur shtëpitë e tyre”, theksoi ai në mesazh.

Zyra e Shtypit e Patriarkanës Rumune doli me një deklaratë të martën duke kërkuar solidaritet me popullin shqiptar dhe duke u bëri thirrje njerëzve me vullnet të mirë të mbledhin para për ata që vuajnë dhe kanë mbetur pa strehë. Në të thuhej: “Si shenjë e dhembshurisë së sinqertë për të gjithë ata që preken nga tërmeti, që ndodhi sot, më 26 nëntor 2019, në Shqipëri, Patriarkana Rumune i dërgon Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe gjithë popullit shqiptar një mesazh solidariteti nga kleri dhe besimtarët e Kishës Orthodhokse Rumune. Përballë tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti që plagosi qindra njerëz, duke marrë shumë jetë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, i lutemi Zotit për shpirtrat e të ndjerëve dhe për shërimin e të plagosurve. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje të gjithëve të ndihmojnë ata që kanë mbetur pa strehë, duke dhënë numrat e llogarisë së Patriarkanës, ku mund të kontribuohet për Shqipërinë.”

Një mesazh ngushëllimi erdhi edhe nga Kisha Orthodhokse e Bullgarisë, nga Patriarku Neofit: “U trishtuam kur dëgjuam për tërmetin tragjik këtë mëngjes në Shqipëri, i cili vrau shumë njerëz dhe plagosi qindra të tjerë. Në këtë kohë, kur shpirtrat dhe zemrat tona janë të mbushura me pikëllim për fatkeqësinë, i lutemi Zotit Jisu Krisht që paqja dhe stabiliteti të vijnë në atë tokë. Zoti i qetësoftë shpirtrat e të humburve, për t’i fuqizuar të dashurit e tyre shpirtërisht dhe për të shëruar të plagosurit “.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave (WCC), Rev. Dr Olav Fykse Tveit, në një letër drejtuar Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, përcolli ngushëllime në emër të WCC: “Ju shkruaj me trishtim të madh pas marrjes së lajmeve për tërmetin e fortë që goditi Shqipërinë, ndërsa vazhdojnë operacionet e shpëtimit, të njerëzve që kanë humbur dhe shumë të plagosurve”, thuhet në letrën e Tveit për Kryepiskopin Anastas. “Imazhet tronditëse të shkatërrimit na hidhërojnë shumë, ashtu si edhe rrëfimet e familjeve të mbetura pa asgjë nga kjo ngjarje, veçanërisht tani që afrohet acari i dimrit.” Tveit përcolli lutje dhe ngushëllime për popullin shqiptar dhe për të gjithë ata që kanë humbur familjarët e miqtë në këtë katastrofë. “Ju kërkojmë të ndani mesazhin tonë të mbështetjes dhe ngushëllimit me të krishterët dhe me të gjithë njerëzit me vullnet të mirë në Shqipëri, përfshirë komunitetet fetare të besimeve të tjera me të cilët punoni kaq ngushtë,” përfundon letra.

Pas tërmetit vdekjeprurës që goditi Shqipërinë, Presidenti i Konferencës Evropiane të Kishave, Rev. Christian Krieger, ka përcjellë ngushëllime dhe lutje: “Me trishtim të thellë kemi marrë lajme në lidhje me tërmetin në Shqipëri. Në emër të KEK, ofroj ngushëllime dhe lutje të sinqerta të gjithë njerëzve dhe komuniteteve, të cilët kanë humbur të dashurit e tyre në këtë incident tragjik,” shtoi ai.

Mesazhe ngushëllimi e mbështetjeje kanë dërguar edhe Patriarku i Aleksandrisë, Kryepiskopi i Qipros etj.

 

Kryepiskopi Anastas përsëri në Durrës

Të dielën, 1 dhjetor 2019, Kryepiskopi Anastas do të rikthehet në Durrës, pas vizitës së datës 26 nëntor, ku u njoh nga afër me gjendjen e rëndë të krijuar nga tërmeti dhe shprehu gatishmërinë e Kishës sonë për të kontribuar konkretisht për njerëzit që humbën gjithçka.

Fortlumturia e Tij do ta kryejë Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit, të qytetit të Durrësit, ku janë strehuar të dëmtuar nga tërmeti.