Kisha e Valëshit dhe të tjera si ajo mbeten të kërcënuara

1015
Sigal

Flet Elisabeta Shqau, banore e Gjinarit, diplomuar për Teologji dhe Filologji: “Shkatërrim barbar që na prek të gjithëve”

E pyetur nga gazeta “Telegraf”, për shkatërrimin barbar që iu bë kishës së Shën Premtes në Valësh të Elbasanit, Elisabeta Shqau banore e Gjinarit dhe e diplomuar për Teologji dhe Filologji shprehet se, shkatërrimi i afreskeve të Onufrit në Valësh ishte një akt barbarie ndaj vlerave shpirtërore të kulturës sonë fetare dhe kombëtare. “Ky akt intolerance pa dyshim quhet si një nga sulmet më të rënda ndaj artit dhe ikonografisë kishtare shqiptare, me të cilat krenohemi”, tha ndër të tjera ajo.

Cili është mendimi juaj për shkatërrimin e Kishës së Onufrit?

Në një kodër piktoreske, larg shtëpive të banimit, ndodhet kisha e Shën e Premtes në Valësh të Elbasanit. E ndërtuar në shek. XVI dhe e pikturuar me afreske nga mjeshtri i madh i asaj kohe, Protopapë i Neokastrës, Onufri, kjo kishë është një thesar kulturor për fshatin Valësh dhe zonën përreth tij. Asnjëherë në këtë vend të shenjtë nuk munguan vizitorët e shumtë, të cilët vinin për të parë këtë trashëgimi kulturore që na lanë të parët. Por, përveç vlerave kulturore, kjo kishë përmban së pari vlera shpirtërore për besimtarët, të cilët me shumë besim e shpresë kërkojnë ndihmën dhe ndërmjetimin e shenjtores. Nuk mund të lë pa përmendur dy panairet të mëdha që bëhen në këtë kishëz, me pjesëmarrjen e gjithë banorëve, një herë 8 gusht, për nder të shenjtores emrin, e së cilës mban kisha dhe një herë tjetër për kremtimin e festës së Lindjes së Shën Marisë, 21 shtator (kalendari i vjetër, Julian). Fatkeqësisht, para pak kohësh, një lajm shkaktoi dhimbje shpirtërore për të gjithë komunitetin e Shpatit të Sipërm. Në prag të Vitit të Ri 2013, dy herë radhazi u dëmtuan rëndë afresket e kishës dhe ende nuk ka asnjë përgjegjës për këto vandalizma. Vlerat e rralla të kësaj kishe, që prej kohësh është shpallur edhe monument kulture, u ruajtën, jo vetëm nëpër shekuj, por madje i rezistuan edhe persekutimit më të egër të regjimit komunist.

Si mendoni juve si banuese e kësaj zone?

Duke qenë banuese e kësaj zone, me këtë intervistë dua të transmetoj dhimbjen e madhe dhe dërrmimin shpirtëror të banorëve shpresëtarë dhe kulturëdashës të Shpatit të Sipërm. Shkatërrimi i afreskeve të Onufrit në Valësh ishte një akt barbarie ndaj vlerave shpirtërore të kulturës sonë fetare dhe kombëtare. Ky akt intolerance pa dyshim quhet si një nga sulmet më të rënda ndaj artit dhe ikonografisë kishtare shqiptare, me të cilat krenohemi. Të gjithë banorët, e në veçanti më të moshuarit, duke qenë se kanë një lidhje të gjatë dhe të gjallë me këtë kishë, ndihen tashmë të tronditur. Madje, disa prej tyre, edhe të përlotur, habiten para brutalitetit të kësaj ngjarjeje, e cila për ta ende është e pabesueshme dhe kujtojnë me nostalgji kohën kur u munduan në periudhën komuniste që ky thesar të ruhej. Për këta banorë, as fundi i vitit e as fillimi i tij, nuk mund të ishte festivë.

Sipas mendimit tuaj a do të vazhdojë edhe shumë moskujdesja dhe shkatërrimi i këtyre afreskeve?

Deri kur do të vazhdojë ky shkatërrim i vlerave shpirtërore dhe thesareve kombëtare? A do të ruhen këto vende kulti si e meritojnë, apo do të vijë një ditë që do të bastisen e përdhosen të gjitha? A do të jenë të gjalla e aktive organet kompetente për gjetjen, demaskimin dhe dënimin  e autorëve, sepse deri me sot nuk kemi parë asnjë rezultat në luftën kundër kësaj barbarie? Janë këto pyetjet dhe shqetësimi i thellë jo vetëm i imi, por i çdo banori të kësaj zone. Edhe pse Komuna e Shpatit të Sipërm u mobilizua në mënyrë private, me kontributet e vetë banorëve të zonës, për ruajtjen e afreskeve të shenjta të mbetura, kjo nuk mjafton pa rolin që duhet të lozë Shteti dhe sërish fati i kësaj kishe dhe të tjerave si ajo mbetet i kërcënuar. Gjithsesi, detyrë e ne të gjithëve mbetet që t’i ruajmë këto pasuri të paçmuara dhe nëse nuk mundemi të ndihmojnë për rregullimin e tyre, të paktën të mos i dëmtojmë. Le ta shohim kishën si shtëpinë tonë të përbashkët, si vend adhurimi dhe prehjeje shpirtërore. Të mos lejojmë që vlerat të bëhen antivlera dhe e kundërta. Le ta duam të bukurën, të mirën, artin, le t’i jemi mirënjohës të parëve tanë dhe le të përpiqemi të vendosim një gur në murin që ata ndërtuan.