Kimikatet në ish-Kombinatin e Tekstileve, rrezik për banorët

1198
Sigal

BERAT- Mes 31 zonave, të cilësuara si “Hot-Spote” nga Ministria e Mjedisit, është edhe ish-Kombinatin e Tekstileve në qytetin e Beratit. Në këtë Kombinat ndodhen 126 ton kimikate, të shpërndara në kapanone të ndryshme, ndërkohë që, 80 kg Amoniak që ishte i vendosur në 2 cisterna është larguar nga ky territor rreth 3-vjet më parë. Punimet për ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat filluan në vitin 1965, në kohën e lulëzimit të miqësisë së madhe ndërmjet Shqipërisë dhe aleatit të saj të madh Kinës. Kombinati, i cili zë një sipërfaqe prej 40 hektarësh, mbaroi së ndërtuari në vitin 1968. Qeveria e Enver Hoxhës i vendosi këtë emër pikërisht për nder të udhëheqësit të Revolucionit Kinez,në nderim të marrëdhënieve të mira midis Republikës së Kinës dhe Shqipërisë. Kapaciteti i të punësuarve në këtë Kombinat, i cili i ngjante një “mini qyteti” ka qenë rreth 11.000 punëtorë, duke përbërë potencialin më të madh ekonomik të qytetit dhe gjithë Rajonit. Kombinati, i cili punësonte kryesisht gra nga qyteti i Beratit dhe zonat përreth, prodhonte tekstile të pambukta për gjithë tregun shqiptar. Tashmë janë vetëm rrënojat e kësaj ndërtese të madhe,ku brenda ambienteve të kapanoneve të këtij kombinati ka ende mbetje te ndryshme kimike dhe bojëra që përdoreshin për repartin e ngjyrosjes, kimikate këto që përbëjnë jo vetëm ndotje të theksuar të mjedisit përreth por edhe rrezik për jetën e banorëve që jetojnë në këtë zonë.