Kiço Milo:Eksploziv drejtësisë në Sarandë, dihet autori, policia ka frikë ta arrestojë

169

Shkatërrohen 10 zyra avokatie dhe noterie. Flet për “Telegraf”, kreu i Dhomës së Avokatisë, Kiço Milo

I gjithë imazhi i krijuar nga procesi zgjedhor në qytetin jugor të Shqipërisë, Sarandën, për një proces të rregullt, duke treguar qytetarinë e bashkëjetesës multisociale, është tronditur mëngjesin e së enjtes nga shpërthimi i një lënde eksplozive. Këtë radhë ka qenë drejtësia në shënjestër të terroristëve në qytetin jugor. Ka qenë ora 04 e mëngjesit kur shpërthimi ka tronditur banorët afër Gjykatës së Faktit dhe zgjuar gjithë qytetin. Lënda eksplozive është vendosur tek blloku i zyrave të avokatëve dhe noterëve të qytetit, vetëm 5 metra përballë gjykatës dhe Prokurorisë së Sarandës dhe pikërisht tek dera e blinduar e avokates Albana Husi dhe si rezultat janë dëmtuar edhe zyrat e avokatëve dhe noterëve që ndodhen në këtë ndërtesë. Dyert, kompjuterat dhe materiale të tjera kanë dalë jashtë përdorimit. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet. Por ajo që bie më shumë në fokusin e përfoljes së këtij krimi është se autorët kanë shfrytëzuar festën e socialistëve për fitoren e zgjedhjeve që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit në Kalanë e Lëkursit dhe vëmendje qe përqendruar pikërisht aty. Me gjithë dëmtimin e 10 zyrave dhe tronditjen e goditjen që ka pësuar drejtësia sot, sipas kreut të Gjykatës së Faktit Sarandë, z.Alltun Çela dhe kreut të Dhomës së Avokatisë së Sarandës, z.Kiço Milo, procesi i gjyqësorit ka funksionuar normalisht, pa u bërë pengesë në mbarëvajtjen e gjyqeve të programuara. Opinioni i Sarandës është i shokuar dhe e sheh veten të pasigurt në ditët në vijim. Ai dënon ashpër aktin terrorist dhe kërkon nga organet kompetente zbardhjen e plotë të motiveve dhe autorëve të këtij krimi dhe vënien para drejtësisë. Lidhur me ngjarjen gazeta “Telegraf”, kontaktoi me kreun e Dhomës së Avokatisë Sarandë, z.Kiço Milo, i cili u shpreh me tone të ashpra ndaj krimit të ndodhur dhe kërkoi që të kapet autori, i cili sipas tij, dyshohet personi dhe është shpallur në kërkim, por policia nuk bën me dije detaje të pistave dhe autorëve të mundshëm për arsye hetimi.

-Z. Kiço! Një koment mbi ngjarjen e ndodhur, ku krimi nuk ka kursyer edhe drejtësinë, madje pjesën mbrojtëse të saj. Çfarë mund të thoni për këtë akt të shëmtuar me elemente kriminale dhe terroriste?

-Jo vetëm mendimi im, por i gjithë opinioni i Dhomës së Avokatisë së Sarandës, shpreh mendimin se ky veprim është një akt i shëmtuar. Janë veprime të elementëve kriminal, ku mendimi ynë është se nuk kanë vënë në objektiv avokatët. E themi këtë, sepse edhe në rastin konkret, avokatja Albana Husi, ku është objekti i veprimit goditës të elementit kriminal, ka qenë avokatja e këtij personi, ka mbrojtur këtë, pa pagesë ekstra, por me pagesë të caktuar nga shteti.

Më fal zoti avokat Kiço, dihet personi?

-Personi është i dyshuar dhe është i njohur se ka pasur edhe konflikte me drejtësinë dhe është person në kërkim. Pra ne jemi shumë të indinjuar dhe ky është një veprim jo kundër nesh, por kundër drejtësisë, sepse autori është në kërkim, është në ndjekje penale.

-Z. Avokat, a është dëmtuar sot procesi gjyqësor në Gjykatën e Faktit Sarandë, meqenëse janë dëmtuar shumë zyra avokatie?

-Jo deri tani, por në orët e vona të pasdites do mblidhemi si dhomë avokatie dhe do t’i kërkojmë gjykatës të merren masa shumë të rrepta.