KFW, 50 milionë euro për rrjetin e ujësjellës – kanalizimeve

653
Sigal

Adriatik Mema

Në vijim të investimeve nga donatorë të huaj, ekipi drejtues i UK Berat – Kuçovë zhvilloi në datën 07.06.2019 një takim me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës – Kanalizimeve, Alqi Bllako, ku u diskutua rreth projekteve që parashikohen në sektorin ujësjellës -kanalizime për bashkitë respektive.

Ishim të pranishëm në këtë takim, përveç stafeve respektive të bashkive të Beratit dhe Kuçovës, edhe ekipi drejtues i Bankës Gjermane KFW për investime në sektorin e ujit dhe të kanalizimeve.

Shoqëria e UK Berat – Kuçovë vitet e fundit ka rritur performancën e saj në shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm të abonentëve. Prej dy vjetësh, gjysma e qytetit të Beratit furnizohet me ujë 24 orë në 24. Gjysma tjetër e qytetit me rreth 16 orë në 24, nga 8 -12 orë në 24, që furnizohej deri në vitin 2016, duke përmirësuar dukshëm furnizimin dhe cilësinë e ujit të pijshëm. Është përmirësuar gjithashtu edhe niveli i matjes së konsumit për konsumatorët, duke instaluar matës në 80% të abonentëve. Përmirësimi i treguesve, si dhe sensibilizimi i qytetarëve për domosdoshmërinë e pagesës së ujit, ka sjellë rritjen e volumit të ujit të shitur. ( pagesa e faturave, 92%).

Kjo ka bërë që shoqëria të mbulojë 100% koston e mirëmbajtjes dhe të krijojë mundësi për investime në përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Si rezultat i treguesve financiarë shumë të mirë, shoqërinë e kanë mbështetur me investime donatorë të huaj, ndër më kryesorët Banka Gjermane KFW.

Projekti i rehabilitimit të rrjetit të ujësjellës – kanalizimeve Berat – Kuçovë është planifikuar të zhvillohet në disa faza.

  • Në fazën e parë u krye rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit për Uznovën dhe ndërtimin e linjës prej 11 km për Kuçovën me vlerë 15 milion euro.
  • Në fazën e dytë është bërë rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit nga Uznova deri te Ura e Varur me vlerë 8.5 milion euro.
  • Është planifikuar dhe faza e tretë dhe e katërt e investimit me vlerë 10.8 milionë euro, e cila do të fillojë në shtator të këtij viti, ku do të rehabilitohen rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimeve nga Ura e Goricës, (duke përfshirë dhe lagjen “Goricë”), deri te rrethrrotullimi i ish – ushqimores.

Po ashtu është planifikuar nga KFW edhe faza e pestë e investimit me vlerë 15 milion euro. Gjatë kësaj faze do të ndërtohet rrjeti i ujësjellësit nga rrethrrotullimi i ish – ushqimores deri në Otllak, si dhe rrjeti i kanalizimeve bashkë me impiantin e ujërave të përdorura.

Bashkia e Beratit është ndër të vetmet Bashki që ka mundur të përthithë një investim të tillë, me vlerë 49.3 milion euro nga KFW, duke kompensuar kështu mungesën e investimeve për Beratin nga ana e qeverisë.