Këshilltari kosovar i Edi Ramës, me dosje penale për favorizim kontrabande në dogana dhe me universitet fals

Denoncimet janë bërë nga gazetat “Koha Ditore” e “Kosova Sot”, si edhe nga Dëfrim Gashi, Kryeinspektor i Arsimit dhe kryetarja e Agjencisë së Akreditimit universitar, Ferdije Zhushi 

Kryeministri Edi Rama, dy ditë më parë, prezantoi publikisht në “FB” dhe zyrtarisht në kryeministri, një tjetër këshilltar personal nga Kosova. Ai quhet Lulzim Rafuna, i cili ka qenë më detyra të larta shtetërore në Prishtinë, si Zv/Drejtor dhe Drejtor i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës. Sipas deklarimit të kryeministrit Rama, ish-kryedoganieri i Kosovës, Lulzim Rafuna ka pranuar rolin e Këshilltarit në Kabinetin e Kryeministrit të Shqipërisë, për të “rilindur” sektorin e Dogana-Tatimeve në Shqipëri. kryeministri Rama e ka cilësuar si “Potencial me dije, profesionalist, armik i korrupsionit dhe me suksese të shumta në fushën e doganave e tatimeve në Kosovë”. Por ja, që “bota” (mediat dhe drejtësia në Kosovë), sikur thonë ndryshe për zotin Rafuna, sidomos për punët e korrupsionit në dogana”! këshilltari që ka përzgjedhur Rama për doganat dhe tatimet shqiptare, rezulton se është akuzuar shumë herë për shpërdorim detyre. Zoti Rafuna është kallëzuar penalisht për shmangien e pagesave të taksave doganore për veturën e tij. Është akuzuar nga mediat në Kosovë edhe për vendime në interes të grupeve të Partisë Demokratike të Kosovës apo edhe për marrjen në punë të njerëzve të afërt me të dhe me PDK-në. Sipas dosjes së akuzave dhe hetimit nga drejtësia në Kosovë, këshilltari doganor-tatimor i kryeministrit Rama, rezulton se është ka lejuar e favorizuar me shkelje të hapura të ligjit doganor-tatimor, miniamlisht 40 kompani të oligarkëve, për të kaluar kufirin doganor kosovar, pa iu nënshtruar asnjë lloj kontrolli doganor, por vetëm në bazë të urdhrit të favorizimit, ka lëshuar ish-drejtori i Doganave, Lulzim Rafuna, prej 48 orësh me detyrë shtetërore në Shqipëri, si këshilltar i kryeministrit Edi Rama 

Fakt i denoncuar nga gazeta “Kosova Sot” 

Sipas një denoncimi me shkrim, që ka mbërritur në Redaksinë e gazetës “Kosova Sot”, mbrëmjen e të premtes të datës 26.06.2015, rreth orës 21.45, kontrabanda dhe krimi po ndodh me bekimin e drejtorit të Doganave, Lulzim Rafuna, në të ashtuquajturin “kanali i kaltër”. Në këtë mënyrë, “Kanali i kaltër”, i cili ishte trumbetuar më herët nga kreu i Doganës, Lulëzim Rafuna, si një projeksion për t’iu mundësuar kompanive kalim shumë më të shpejtë, përmes procedurave doganore me kosto më të ulët, është shndërruar në kanalin e kontrabandës dhe krimit. Sipas ligjit, ‘kanali i kaltër’ funksionon për KFOR –in, për ambasadat dhe jo për bizneset, por Doganën e kanë privatizuar, duke na vjedhur dhe duke na shkatërruar ne dhe popullin, si dhe të gjithë Kosovën. Besim Curri tek Amortizatorët, në terminalin e “famshëm” të Devolli-t, na mbyti dhe po na merr nga 200, 500 euro, por edhe 50 euro t’i merr kasapi i Doganës. Besim Curri, së bashku e në sintoni me drejtorin Lulëzim Rafuna, për shumë vite kanë vjedhur bashkë në drejtorinë ligjore për ankesa dhe tashmë janë sërish bashkë duke na dhunuar e plaçkitur ne bizneset e ligjshme dhe po na mbysin e po na shkatërrojnë”. Për më tepër, denoncuesi i kontrabandës dhe krimit të organizuar në doganat e Kosovës e krahason kreun e Doganave, Lulzim Rafuna, me ish- drejtorin e Shërbimit federal doganor, super-mafiozin e kriminelin Mihajl Kertes, i cili e ka marrë famën e keqe, pikërisht për shkak të kontrabandës dhe krimeve ekonomike që ka prodhuar, sa kohë ka qëndruar në krye të Doganës, me urdhër dhe leje të Slobodan Milosheviçit në ish-RFJ. Por, pyetja shtrohet, kush është sot shefi Lulzim Rafunës, pasi shefi i Kertes –it dihet se ishte kryekrimineli serb Milosheviçi?

“Koha ditore”, e mërkurë, 11 Shkurt 2015: Lulzim Faruna, vazhdon një universitet ilegal

Drejtori aktual i Doganave të Kosovës, Lulëzim Rafuna është duke u shkolluar në universitetin ilegal “ECPD”. Ai ka përfituar bursë nga shteti i Kosovës, shkruan Koha Ditore. gazeta “Koha Ditore” ka siguruar se kostoja e shpenzimeve për studimet master a doktoratë për një kandidat ka shkuar deri në 14 mijë euro. Dilemën se ECPD-ja ka funksionuar jashtëligjshëm e kanë hequr në dy institucione – në Inspektoratin e Arsimit dhe në Agjencinë e Akreditimit. “Ne si inspektorat nuk kemi qenë fare në dijeni se e ushtron veprimtarinë arsimore”, ka deklaruar Dëfrim Gashi, Kryeinspektor i Arsimit në MASHT. Ndërsa kryetarja e Agjencisë së Akreditimit, Ferdije Zhushi, ka thënë: “Universiteti ilegal “ECPD”-ja nuk është institucion i akredituar në Kosovë.
“Ne si Agjenci e Akreditimit i kemi kontaktuar disa herë përgjegjësit e këtij institucioni dhe ua kemi bërë me dije, se ata nuk mund të funksionojnë në Kosovë, pa iu nënshtruar paraprakisht proceseve të akreditimit dhe licencimit. Është për t’u befasuar pse diplomatët e ECDP-së nuk i nënshtrohen procesit të nostrifikimit në MASHT”.