Këshilltarët demokratë çojnë në gjykatë rritjen e çmimit të biletës nga Erion Veliaj

661
Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, Reila Bozdo dhe Fabian Topollaj, dorëzuan sot padinë në Gjykatën e Apelit Administrativ, në lidhje me rritjen e çmimit të biletës së transportit publik. Kjo padi kundërshton vendimin e marrë nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj, për ta çuar biletën 400 lekë.
Pas dorëzimit të padisë këshilltari i Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Fabjan Topollaj, u shpreh për mediat.
“Sot në emër të Partisë Demokratike dorëzova në Gjykatë kërkesën për shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të Erjon Veliajt për rritjen me rreth 40% të çmimit të biletës së transportit urban qytetas në Tiranë, si një akt abuziv që do të rëndojë më tej xhepat dhe jetën e qytetarëve të Tiranës.
Që në fillim Partia Demokratike, e ka konsideruar këtë akt si një afere të pastër korruptive të lidhur në fushatën elektorale midis operatorëve të transportit urban dhe Erjon Veliajt, e cila do t’u kushtojë qytetarëve të Tiranës nga xhepat e tyre plot 6 milionë dollarë më shumë çdo vit.
Përveç të tjerave, Erion Veliaj ka vendosur të vjedhë edhe si një xhepist ordiner duke futur duart në xhepat e të gjithë qytetarëve të Tiranës që përdorin transportin publik.
100 lekë më shumë do të marrë nga xhepi i secilit qytetar të Tiranës Erion Veliaj për një udhëtim të vetëm me transportin urban.
Nevoja e këtij xhepisti për ta kryer aktin me shpejtësi dhe pa u pikasur, ka bërë që vendimi i Këshillit Bashkiak për rritjen e çmimit të biletës të jetë i pavlefshëm për shkak se nuk janë zbatuar afatet dhe procedurat ligjore për t’i dhënë vlefshmëri juridike këtij akti.
Gjithashtu ne kemi kërkuar nga Gjykata marrjen e masës së sigurimit të padisë dhe pezullimit të efekteve të këtij vendimi të paligjshëm e abuziv deri në shqyrtimin e çështjes në themel për shkak se pasojat që sjell për qytetarët ky akt, janë të rënda dhe të parikuperueshme”, tha Topollaj.
Këshilltarët demokratë u bënë thirrje qytetarëve të Tiranës të rezistojnë e të refuzojnë këtë akt korruptiv të Erion Veliajt. Partia Demokratike thekson sërish se sapo të ketë në dorë vendimmarrjen do të reduktojë çmimin e biletës në 300 lekë si dhe do të heqë akcizën e naftës për transportin urban në Tiranë e në çdo qytet tjetër.
Sigal