Këshilli Mbikëqyrës i Bankës: Nuk e shkarkojmë Guvernatorin Fullanin

191

Propozimi i Ermelinda Meksit rrëzohet nga 5 anëtarë. Argumenti i mosshkarkimit: Të përfundojnë hetimet!

TIRANË– Këshilli Mbikëqyrës dhe Guvernatori Fullani do të mbajnë qëndrim pasi të përfundojë hetimi i plotë i Prokurorisë për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.  Detajet e mbledhjes urgjente me dyer të mbyllura i kanë bërë të ditura burime brenda Këshillit Mbikëqyrës. Në këtë mbledhje ku priteshin të analizoheshin përgjegjësitë që Këshilli Mbikëqyrës dhe Guvernatori Fullani kishte për super skandalin, mësohet të jetë hedhur poshtë propozimi i anëtares Ermelinda Meksi për shkarkimin kreut të BSH-së, Ardian Fullani. Mësohet gjithashtu se BSH do kontaktojë me institucione ndërkombëtare për të forcuar luftën ndaj krimit ekonomik. Ndërsa në deklaratën përmbledhëse Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vëren se në vjedhjen e thesarit, vetë KM nuk ka bërë shkelje ligjore, ndërsa përgjegjësia bie mbi veprimet e elementit njerëzor, që sipas KM-së ka çaluar. Banka e Shqipërisë bën gjithashtu me dije e do bëhet edhe njëherë rivlerësimi i rregullave dhe procedurave te sigurisë. “Në këtë mbledhje, anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës, zonja Meksi, në përputhje me nenin 47, pika 2, germa (c) të Ligjit ‘Për Bankën e Shqipërisë, propozoi shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (5 anëtarët e tjerë të pranishëm) nuk e pranoi propozimin e saj”- thuhet në deklaratë. Më pas, Këshilli Mbikëqyrës, jep detaje të analizës dhe detyrat për të ardhmen, të përmbledhura në 10 pika… “Banka e Shqipërisë ka reaguar menjëherë pas konstatimit të vjedhjes, duke kryer kallëzimin penal dhe duke vënë në dispozicion të organit të akuzës të gjithë dokumentacionin dhe provat e kërkuara prej tij…Grupet e punës të ngritura për të bërë vlerësimin administrativ të respektimit të procedurave, kanë arritur në përfundimin se nuk ka shkelje ligjore nga ana e Këshillit Mbikëqyrës dhe Administratorëve, se i gjithë kuadri ligjor dhe rregullator është i plotë dhe garanton administrimin e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë dhe të sektorit bankar…. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se është elementi njerëzor, i cili me veprimet apo mosveprimet e tij ka lehtësuar punën e elementit kriminal për të realizuar vjedhjen… Falë teknologjisë së instaluar në ambientet ku ruhet dhe administrohet paraja cash, është mundësuar zbardhja e shumë prej fakteve dhe e elementeve mbi të cilat është ngritur akuza nga ana e prokurorisë për grabitësin e parave në Bankën e Shqipërisë… Po punohet për rivlerësimin e rregullave, procedurave dhe praktikave që lidhen si me përpunimin dhe ruajtjen fizike të parasë cash, ashtu dhe me çdo hallkë të zinxhirit të kontrollit dhe inventarizimit… Do të vazhdojmë të jemi të hapur dhe të informojmë Kuvendin e Shqipërisë, ekzekutivin, sistemin bankar, shoqatat e biznesit si dhe grupe të tjera të interesit në lidhje me zhvillimet, ndikimin dhe masat që kemi dhe do të marrim në vazhdimësi.