Këshilli i Qarkut Elbasan, vlerëson me tituj nderi 6 figura të shquara në fushën e diplomacisë

1251
Sigal

Këshilli i Qarkut me iniciativë të kreut të saj Eugen Isaj, ka vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut” disa figura të shquara të Qarkut të Elbasanit paraditen e djeshme. Të përzgjedhurit janë personalitete, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e diplomacisë, kulturës si dhe në konsolidimin e demokracisë dhe Shtetit Ligjor. Në këtë ceremoni morën pjesë drejtues të pushtetit vendorë nga i gjithë qarku si dhe prefekti Shefqet Deliallisi. Në ceremoninë e organizuar z. Isaj ka deklaruar: “Sot pas disa vitesh ne bëjmë një vlerësim ndoshta të vonuar në kohë, por është më se i merituar dhe jam i bindur që do të çojë në vend dinjitetin jo vetëm të këtyre figurave, por edhe të familjarëve të tyre, duke i nderuar ata me titullin “Mirënjohje e Qarkut Elbasan”. Në këtë ceremoni janë vlerësuar me këtë titull:

-Abdyl Xhaja, i cili ka ushtruar detyrën si ambasador dhe zëvendësministër i Energjetikës. Në vitet 1991-1992 ai ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër në Qeverinë Teknike dhe në vitet 1997-1998 Këshilltar i Unionit të Investitorëve të Huaj në Shqipëri.

-Lublin Dilja, profesor i asociuar, Doktor i Shkencave, në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe në Universitetin e Tiranës, Ambasador i Jashtëzakonshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

-Ilia Janku, diplomat që dha kontributin e tij si ambasador në shtetin e Kilit dhe të OKB-së, si dhe punoi si konsull në shtetin e Nevv York-ut në vitin 1980. Ai kujtohet edhe për meritat e tij si sportist Elite, ku shquhet për numrin rekord të golave të shënuara asaj kohe si dhe kapiten skuadre.

-Kujtim Myzyri, ambasador i Shqipërisë në Argjentinë (1974-1979 ) brenda këtij mandati ai përfaqësoi Shqipërinë si ambasador me qendër në Buenos Aires, Ambasador i Shqipërisë në Peru si dhe Ambasador i Shqipërisë në Meksikë. Më pas për arsye të forta familjare u kthye në Shqipëri duke punuar për politikën e jashtme. Është nderuar nga shteti shqiptar me dekorata për kontributin e tij në Luftën Antifashiste. Ai ka qenë Invalid i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

-Nezir Muzhaqi, ndër intelektualët dhe nacionalistët e shquar që dhanë kontributin në Luftën Antifashiste kundër pushtuesve italo-gjerman. Me gjithë përkushtimin e tij, regjimi i kaluar e persekutoi dhe më 4 gusht 1945 e varën në Rrapin e Babollës në Elbasan duke prerë në mes jetën e një nacionalisti dhe intelektuali të ri shembullor. Ai ishte njeriu i përkushtuar ndaj idealeve për liri dhe demokraci.

-Sadi Halili, i cili u nda nga jeta para disa muajsh me kontribut të shquar në fushën e artit dhe të kulturës në rrethin e Librazhdit edhe pse ishte pa këmbë. Për periudhën 40-vjeçare si krijues ai ka vënë në skenë rreth 70-80 valle me motive të trevave të Librazhdit si dhe të rretheve dhe krahinave të tjera. Përveç  vlerësimeve me diploma dhe certifikata të ndryshme në aktivitete brenda dhe jashtë vendit, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor ai ka marrë edhe këto dekorata: Urdhrin “Naim Frashëri”, klasi II, Titullin “Artist i Merituar” dhe “Qytetar nderi” i Bashkisë se Qytetit Librazhd. Si dhe “Mjeshtër i Madh”, në vitin 2005, titull i dhënë nga Presidenti i Republikës, z.Alfred Moisiu.