Këshilli i Bashkisë Vlorë miraton buxhetin 2015

637
Sigal

Këshilli i bashkisë Vlorë, ka miratuar ditën e enjte projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2015, me 27 vota pro, 1 kundër dhe 4 abstenim. Edhe pse viti 2015 është një vit elektoral, përsa i përket zgjedhjeve lokale, drejtori i sektorit të financave në bashkinë e Vlorës, Taullah Zanaj, ka sqaruar këshilltarët se me një shkresë të datës 19 janar të vitit 2015, Ministria e Financave ka udhëzuar të gjitha njësitë vendore që projektbuxheti nuk do të ndikohet nga zgjedhjet, por do të jetë një projektbuxhet i plotë vjetor. Këshilltarët e djathtë në këshill, kanë bërë prezent shqetësimet e tyre në lidhje me disa pika të buxhetit. Kështu, këshilltari i Partisë Demokratike, Hysni Sharra, ka folur për gjendjen skandaloze të investimeve në qytetin e Vlorës, ndërsa këshilltarja e tjetër e PD-së, Arta Musaraj, e ka konsideruar të paligjshëm projektbuxhetin e bashkisë duke kërkuar kthimin e tij për tu riparë për shumë paqartësi që ai ka. Këshilltari i LSI-së, Kujtim Sulçe, është deklaruar dakord në parim por ka evidentuar disa çështje teknike që lidheshin me investimet dhe rikonstruksionin e rrugëve të qytetit. Në prezantimin e projektbuxhetit, përfaqësues të administratës së Bashkisë kanë bërë me dije se gjatë planifikimit të investimeve për vitin 2015, në buxhet, do të mbahen parasysh këto prioritete

 -Investimet në proces nga viti 2014-2015.

– Bashkë financimet e buxhetit të tyre me projektet me donator.
– Investimet sipas prioriteteve sektoriale të miratuara në projekt-buxhetin afatgjatë  2015-2018.
– Të ardhurat nga transfertat e pakushtëzuara dhe nga ato të trashëguara nga viti  2014, kanë qenë si më poshtë
– Plani për vitin 2014 ka qenë – 1.302.760
– Janë realizuar – 1.010.807
– Plani për vitin 2015 – 1.093.353.

Në mbledhjen e radhës së këshillit të bashkisë, nuk është diskutuar në lidhje me problematikën më të fundit për klubin e futbollit Flamurtari, ku përfaqësuesi ligjor i presidencës turke, Sinan Idrizi, ka deklaruar se do të ikë nga drejtimi nëse nuk merr garanci e mbështetje nga këshilli i Bashkisë. Në lidhje me këtë, interesimit të mediave, kryetarja e Këshillit të Bashkisë Vlorë, Evis Allushi, i është përgjigjur se presidenca e re turke ka të gjithë mbështetjen e Këshillit të Bashkisë, garancinë dhe besimin, që është treguar kur Këshilli i Bashkisë ka miratuar në mënyrë unanime dhënien në administrim për një periudhë dy vjeçare, klubin e futbollit dy kompanive turke. Kryetarja Allushi ka shtuar se ngjarja e ndodhur në fushën e blertë nuk ka lidhje me Këshillin e Bashkisë dhe as me cenimin e mbështetjes që ky këshill i ka dhënë presidencës së re turke, duke ftuar z. Sinani që të punojë i qetë e të presë me qetësi përfundimin e hetimeve të nisura.