Këshilli dhe shtabi ushtarak i Lidhjes

367

Prof. As. Bernard Zotaj

 (Në kuadrin e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit)

E drejta për mobilizimin e forcave vullnetare

Jeta dhe veprimtaria 3-vjeçare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, përbën një epope të madhe e të lavdishme të kombit shqiptar. Në programin e saj, Lidhja konsideroi të domosdoshme krijimin e një ushtrie. Nisur nga kushtet historike, politike dhe ekonomike, ajo filloi punën me përgatitjen e terrenit të përshtatshëm për organizimin e saj. Me përpjekje këmbëngulëse, Lidhja mundi t’i shkëputë Portës së Lartë të drejtën për mobilizimin e forcave vullnetare të vetëmbrojtjes nga agresionet e ushtrive fqinje. Me mënyrën e organizimit, Lidhja synonte të zbatonte masa për të mënjanuar skemat dhe shabllonet e ngurta organizative-ushtarake feudale e mesjetare. Lidhja bëri një organizim të plotë ushtarak, ku format e luftimit u vendosën në themel të veprimtarisë së rregullt, duke i ngritur në shkallën strategjike, ku në themel të tyre u mbështet në format organizative popullore e tradicionale.

Këshilli dhe shtabi ushtarak

Organizimi më i lartë i Lidhjes në sistemin e drejtimit, ishte seksioni i Financave dhe i Mbrojtjes. Ky mori formën e një këshilli dhe shtabi ushtarak madhor dhe, si i tillë, veproi deri në prill 1881, kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp me dhunë nga ushtria osmane. Detyrat që i ishin ngarkuar seksionit të Mbrojtjes ishte në hartimin e planeve dhe të urdhrave për mobilizimin dhe plotësimin e formacioneve të armatosura, në organizimin dhe kontrollin e gatishmërisë, në drejtimin dhe bashkërendimin e veprimeve luftarake strategjike për gjithë vendin etj. Sfera e veprimtarisë drejtuese u shtri vetëm në Shqipërinë Verilindore, Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit, Lumë, Dibër, Shkup për përgatitjen dhe organizimin e luftimeve mbrojtëse. Përbërja e organi ishte e vogël dhe e thjeshtë. Kryetar ishte Sulejman Vokshi, pak anëtarë dhe personel me disa nëpunës të shërbimit të financës dhe të ndërlidhjes. Si një organ i Udhëheqjes Qendrore, mbeti në nivelin e një grupi drejtimi operativ. Ndërsa organe drejtuese politike dhe ushtarake në një shkallë më të vogël ishin “Komitetet e Mbrojtjes” të degëve kryesore të Lidhjes. Këto komitete që kishin formë e funksione ushtarake, morën barrën e organizimit dhe të drejtimit të luftës mbrojtëse. Këto organizuar shtabe ushtarake të posaçme. Në Vilajetin e Kosovës shtabi u përbë nga prijës popullorë dhe kuadro ushtarakë që kishin shërbyer në ushtrinë osmane. Kryetari i tij u caktua Ali Pashë Gucia. “Komiteti i luftës” u formua me 37 anëtarë edhe në Vilajetin e Janinës në shtator 1879 për të bërë përgatitjen dhe organizimin ushtarak në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Në Vilajetin e Shkodrës, Komiteti Ndërkrahinor i Mbrojtjes formoi shtabin ushtarak me kryetar Hodo Sokolin, ish-kolonel i karrierës në ushtrinë osmane. Në shtab bënin pjesë përfaqësues të qytetit dhe krerë malësorë të krahinave të ndryshme. Këto organe organizuan dhe drejtuan veprimtari ushtarake në drejtime të caktuara, si në Plavë e Guci, në Hot e Grudë, në Ulqin, në Artë e Prevezë etj. Nga detyrat e ngarkuara dhe rolin që luajtën, u emërtuan “Komitete-Shpëtimi”. Detyrat më kryesore të tyre ishin thirrja dhe mobilizimi i forcave vullnetare në rast kërcënimi, organizimi i kontingjenteve të grumbulluara, sigurimi i mjeteve materiale, armatimit, ushqimit, organizimi i luftimit dhe drejtimi i tij, vendosja e rregullit, disiplinës, stërvitja etj.

 

Furnizimi dhe pajisja me armatime

Problemi kryesor për sigurimin material u bë furnizimi dhe pajisja me armatime e formacioneve luftarake. Lidhja kërkoi të siguronte sa më shumë armë këmbësorie. Kontingjenti i parë i pushkëve të kërkuara për nevojat e mbrojtjes në Shqipërinë e Jugut shkonte nga 20.000-30.000 copë. Ndërsa nga Kosova, Dibra dhe krahina të tjera u kërkuan sasi më të mëdha armësh. Për të plotësuar nevojat e mbrojtjes, Lidhja parashikoi dhe rrëmbimin me forcë të armatimeve nga depot shtetërore dhe ushtarake osmane. Ndër masat e para për sigurimin e armëve, Lidhja kërkoi ndalimin e qarkullimit të armëve nga administrata shtetërore dhe nxjerrja e tyre jashtë viseve shqiptare. Por kjo nuk ishte rrugë shumë e sigurt, u bë e pamundur për shkak të kundër masave të forta ruajtëse që u morën nga administrata ushtarake osmane në Shqipëri. Në vitin 1881 Lidhja ishte futur në rrugën e konfliktit të hapur e të armatosur me Portën e Lartë dhe në këtë kohë zotëronte në Kosovë dhe Shkup rreth 10.000-15.000 pushkë, ku u shfrytëzuan rreth 50 për qind për luftë. Nisur nga këto arsye, degët e Lidhjes morën urdhër të bënin regjistrimin e përgjithshëm dhe të plotë të sasisë dhe llojeve të armëve që kishte popullsia e krahinave përkatëse. Bazë e rëndësishme furnizimi me armë dhe municione ishin qendrat tradicionale shqiptare të prodhimit dhe të riparimit të armëve të zjarrit, të armëve të ftohta dhe të municioneve. Mjaft qendra, megjithëse në rënie, ruanin ende aftësinë prodhuese, madje për shkak të rrethanave të reja luftarake ato edhe u gjallëruan si Shkodra, Prizreni, Tetova, Gjakova, Peja, Dibra, Mati, Lezha, Tirana, Elbasani, Vlora, Gjirokastra, Delvina, Janina, Preveza etj. Ndërsa furnizimi me ushqim, pajisje, veshmbathje dhe strehim të forcave të Lidhjes u mbështet tërësisht me burimet e vendit dhe në mundësitë vetjake të luftëtarëve dhe prijësve. Kosova, Shkodra, Shqipëria e Jugut, por sidomos rajonet e kërcënuara dhe ato të afërta, dhanë ndihma të vlefshme. Nga Gjakova, përveç armatimit dhe municionit, për të mbajtur forcat e Lidhjes në Plavë e Guci, u grumbulluan 21.000 lira turke, ndërsa nga qyteti i Shkodrës u mor zotimi për mbajtur me shpenzimet rreth 10.000 vullnetarë që ishin në mbrojtje të Hotit e Grudës. Ndihma dhanë dhe udhëheqësit e Lidhjes dhe prijësit popullorë si Avdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ali Gucia, Jakup Ferri, Ahmet Gjakova, Haxhi Zeka etj., që vunë në dispozicion të mbrojtjes gati të gjithë pasurinë dhe mbajtën me shpenzime të tyre kontingjente të mëdha të vullnetarëve, sidomos në dimrin e viteve 1879-1880.

 

Ushtrinë e mban populli, vetë kombi

Parimi ku u mbështet Lidhja Shqiptare e Prizrenit për plotësimin e nevojave materiale të ushtrisë ishte “Ushtrinë e mban populli, vetë kombi”. Mbështetur tek ky parim, Komiteti Qendror i Lidhjes drejtimin dhe sistemin e furnizimit e përqendroi në duart e veta. Ndërsa veprimtarinë praktike ua ngarkoi organeve; si seksioni i financës, rrjeti i degëve të Lidhjes dhe Komiteteve të Mbrojtjes, shtabeve ushtarake etj. Në këtë mënyrë, u bë dhe sigurimi i nevojshëm materialo-teknik për ushtrinë dhe luftën. Kështu Lidhja ndoqi rrugën e një sistemi të rregullt dhe të njësuar. Organet e ngarkuara për grumbullimin e armatimit dhe të mjeteve materiale për pajisjen dhe furnizimin e trupave ishin Komitetet e Mbrojtjes së degëve dhe nënkomitetet e kazave. Veprimtaria e tyre u krye sipas udhëzimeve të veçanta të administratës qendrore të Lidhjes. Këto organe kryenin drejtpërdrejtë ose me komisione të posaçme veprimet administrative ekonomike, për blerjen e ushqimeve e të municioneve, sigurimin e transportimin e tyre në frontin e luftimeve, regjistronin dhe ndanin plaçkën e luftës etj. Në çastet e para të mobilizimit dhe gjatë dhënies së kushtrimit, në urdhrat e Lidhjes përcaktohej se çdo vullnetar duhej të merrte me vete një sasi me fishekë, si dhe ushqime për tri ditë. Transporti për nevoja të ushtrisë dhe të luftës u bazua kryesisht në kafshët, si dhe me mjete të tjera, si qerre e mjete lundrimi në liqene e lumenj. Në dobi të frontit të luftimeve në Plavë e Guci u grumbulluan dhe u shfrytëzuan 1.000 kafshë ngarkese nga rajonet e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës. Ndërsa në dërgimin e ushqimeve dhe të municioneve nga Shkodra dhe rrethinat e për në Hot e Grudë u përdorën qindra kafshë dhe mjete transporti. Kurse transporti i afërt u krye me njerëz, kryesisht me gra dhe vajza. Është e njohur botërisht se në Hot dhe Grudë shumë gra shkuan në ndihmë të burrave, duke mbajtur ujë e bukë, mjekuar e mbajtur të plagosurit dhe tërhequr të vrarët.