KESH redukton 75 % importin e energjisë, pas reshjeve të dendura në vend

521
TIRANË – Shtimi i ndjeshëm i reshjeve të shiut, ka bërë që Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare të reduktojë me rreth 75 % importin e energjisë elektrike të kontraktuar për periudhën kohore 02-15 janar 2016 për t’i rimarrë në një kohë të përshtatshëm gjatë javëve në vijim. Kjo për shkak se prurjet e mëdha të reshjeve kanë dhënë ndikim pozitiv në rritjen e rezervës energjetikës në Kaskadën e Drinit.
“Shtyrja në kohë e importit të energjisë nuk do të sjellë kosto për Korporatën”, – thuhet në një njoftim zyrtar të KESH.
Në kushtet aktuale me prurje të mëdha dhe pas reduktimit të importit, KESH po prodhon (me kapacitetet gjeneruese të HEC Koman dhe HEC Vau Dejës) për plotësimin e nevojave të konsumatorëve tariforë vendas dhe njëkohësisht për të optimizuar bilancin energjetik mes KESH dhe Koorporatës Elektroenergjetike të Kosovës në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të shkëmbimit.
“Me përjashtim të rasteve kur sistemi do të ketë nevojë për më shumë energji, HEC Fierzë do të mbahet i ndalur me qëllim grumbullimin e rezervës ujore dhe lehtësimin e veprimeve operacionale për menaxhimin e situatës në dy HEC-et e tjerë. Përveç administrimit të riskut hidrologjik në kaskadën e Drinit, KESH sh.a po administron dhe riskun hidrologjik që vjen nga HEC-et e vegjël, private dhe koncesionarë, të cilët kanë katërfishuar kapacitetin e prodhimit të energjisë elektrike brenda një harku kohor prej 24 orësh (nga 50 MË në mbi 200 MË). 
Sipas të dhënave zyrtare të Sektorit te operimit dhe monitorimit te kaskadës në orën 13:00 niveli i HEC Fierzë ishte 277.89 (1.4 m më i lartë se 24 orë më parë) dhe prurjet janë rreth 1800 m3/sec (nga rreth 130 m3/sec 24 orë më parë). Në HEC Koman niveli ishte 173.35 m, (1.8 m më i lartë se 24 orë më parë) dhe prurjet anësore janë rreth 600 m3/sec (nga rreth 120 m3/sec 24 orë më parë). Ndërkohë në HEC Vau i Dejës niveli ishte 75.02 m3/sec, (0.2 m më i lartë se 24 orë më parë) dhe prurjet anësore rreth 440 m3/sec (nga rreth 270 m3/sec 24 orë më parë). 
KESH sh.a. po ndjek dhe monitoron nga afër dhe në vazhdimësi situatën në HEC-et e Kaskadës së Drinit për të menaxhuar në mënyrë optimale prurjet, njëkohësisht duke kontribuar në uljen e rrezikut nga përmbytjet”, – thuhet ne njoftimin e KESH.
Sigal