Kërcënonte dhe rrihte ish-gruan për 5 vite, e detyronte të kryente marrëdhënie se*suale. Kush është 34 vjeçari i arrestuar sot

100

Policia e Shtetit ka vënë në pranga tre persona me qëllim ekstradimi në operacionin policor “Last call”, pasi ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni nga DVP Berat, DVP Elbasan dhe DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana.

Shërbimet e DVP Berat kapën dhe ndaluan shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: G. B., 31 vjeç. Gjykata e Arezzos, Itali ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër-arresti ndërkombëtar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në mënyrë të përsëritur”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nga periudha 01.12.2017 deri 24.06.2018 është i përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Në qershor 2018, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë kishte marrë 139 doza me lëndë narkotike kokainë, me qëllim për ta shpërndarë në qytetin e Arezzos.

Shërbimet e DVP Elbasan kapën dhe arrestuan shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Dritan Kllogjeri, 34 vjeç. Gjykata e Firences, Itali e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet burg për veprën penale “Krime seksuale”.

Ky shtetas nga viti 2007 deri në 2012, në Firenzuola dhe Firenze e ka detyruar duke e kërcënuar dhe rrahur ish-gruan e tij për të kryer marrëdhënie seksuale.

Nga ana e shërbimeve të Seksionit të Kërkimit pranë Sektorit F.P. të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në rrugën “Hamdi Sina”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi i shtetasit Ernest (Nasi) Kaçi., 45 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në 19 nëntor 2019.

Autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër-arresti më datë 28 tetor 2019, pasi Gjykata e Sienas, Itali e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja e sendeve të vjedhura”.

Procedurat e mëtejshme për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë do të kryhen nga Zyra Kombëtare e Interpolit në Tiranë.