Kërcënohet me thikë kryetari i Komunës Perondi

1011
Sigal

Pezulloi punimet në një ndërtim pa leje, pranë shkollës 9-vjeçare

Kuçovë- Kryetari i Komunës Perondi, Rexhep Hadëri, duke u përpjekur të kryejë detyrat ligjore për parandalimin e një ndërtimi pa leje në territorin e komunës është kërcënuar me jetë. Burime të policisë bëjnë të ditur për gazetën se është bërë arrestimi i shtetasit Andrea Sherifi, 37 vjeç, lindur e banues në Perondi. Arrestimi i tij u bë, pasi prej disa kohësh, ai po ngrinte një ndërtim pa leje pranë një shkolle 9-vjeçare. Kryekomunari, Hadëri fillimisht ka dërguar përfaqësuesit e komunës për të parandaluar punimet për ndërtimin e objektit, por 37-vjeçari nuk i ka përfillur fare kërkesat e tyre, për pezullim të punimeve dhe pas një debati përfaqësuesit e komunës janë larguar dhe i kanë raportuar kryetarit të komunës për ngjarjen, më pas ka qenë ky i fundit që ka shkuar në vendin, ku kryheshin punimet dhe i ka kërkuar pronarit që t’i ndërpres ato pasi objekti është pa leje. Pas një debati të fortë, i cili ka zgjatur disa minuta midis kreut të komunës, z.Hadëri dhe pronarit të ndërtimit të objektit, Andrea Sherifi, ky i fundit kur ka kuptuar se ndërtimi pa leje do të shembej, ka nxjerr thikën dhe ka kërcënuar kryekomunarin me jetë, nëse ai do të ndërmerrte një veprim të tillë. Në ndihmë të z.Hadëri, kanë ardhur disa banorë, të cilët ndodheshin të pranishëm. Më pas është njoftuar policia, e cila ka bërë të mundur arrestimin e 37-vjeçarit.

____________________________________________________________

REXHEP HADËRI: “DUHEN DËNUAR VEPRIMET ARBITRARE”

Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, kryetari i Komunës Perondi, Rexhep Hadëri, për këtë ngjarje u shpreh: “Ne si komunë jemi të detyruar të zbatojmë ligjin, prandaj vepruar në kohë për të pezulluar punimet që po bëheshin në një objekt që po ndërtohej pranë një shkolle 9-vjeçare, që është në territorin e komunës. Duke u përpjekur të zbatoja ligjin jam kërcënuar me jetë, por tashmë është drejtësia ajo që do të çojë në vend të gjitha veprimet arbitrare që u krijuan nga shtetasi Andrea Sherifi”, tha Hadëri.