Këndej nga Skrapari ka njerëz…

1951
Enver CAKAJ 
Sefedin MET’HOXHA
Këto vitet e fundit në Skrapar qarkullojnë nja dy pyetje, që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Një pjesë, kur shikojnë godinën e bukur, por bosh të spitalit, thonë: “Çfarë do të bëhet me këtë spital?” Pala tjetër ka një tjetër gjykim. Ata thonë: “More, ndërtesën e spitalit e prishim dhe e ngremë sërish, po këtij populli të lëshuar në çolt, çfarë do t’i bëjmë?” Të dytët, që kanë mbajtur mbi supe peshën më të rëndë të Luftës, i kanë skërmitur me thonj e me dhëmbë këta male, që kthyen në produktivitet edhe shkëmbin. E, këta njerëz kaq të duruar e përkushtuar, që i kishin të gjitha shërbimet atje ku jetonin, sot u drithëron shpirti kur u dridhet telefoni në xhep e marrin lajmin e kobshëm, se i sëmuri që u nis në Berat vdiq në mes të rrugës! Përse vdiq dhe kush e vdiq? Të sëmurët kardiakë dhe me hemorragji cerebrale s’duhet të lëvizin nga vendi, sepse ajo është baras me vdekjen. Por i njëjti fat i pret edhe duke ndenjur. Në Skrapar mungon prej vitesh mjeku kardiolog, neurologu, pediatri, që janë kryesorët për të mos vazhduar më tutje. Përse nuk ka mjekë? Qeveritë e pas viteve 1990, kanë ndjekur një politikë mjekësore anarkiste. Asnjë specializim, asnjë studim, se si do të sigurohej shërbimi mjekësor në ato zona ku u braktisën nga mjekët. Shteti kishte shpenzuar për ata mjekë dhe duhet t’i detyronte duke lidhur kontrata,ndryshe të mos u jepte licencë. Shteti investoi për ta jo që t’i braktisin popullin, po të shlyenin atë investim me punën e tyre. Ka pas qenë një ligj dikur, që çdo mjek ishte i detyruar të jepte ndihmën mjekësore edhe jashtë orarit të punës. E keqja është se Skrapari nuk ka mjekë. Sa paraqiten të sëmurët në spital, lajmërohet shoferi për t’i shpënë në spitalin e Beratit. Ata dy-tre mjekë që kanë mbetur ende në spitalin e Skraparit, shërbejnë vetëm për të plotësuar shkresa shoqëruese. Vetëm njërit nga shoferët, që kanë transportuar të sëmurë në Berat, i kanë vdekur katër prej tyre në rrugë! Në spitalin e Çorovodës e kanë ndryshuar drejtorin,po këtu nuk mungon drejtori. Ky i riu, që ka filluar punë këto ditë, kur vajtëm të pyesnim se çfarë gjëra po ndryshonte, ngriti duart përpjetë. E quajnë Astrit Dyrmishi, që i ka bërë një skaner të gjithë gjendjes së spitalit,po nuk ka mundur të zgjidhë më kryesoren,mjekët e munguar. Me iniciativën e tij ka dërguar një djalë për specializim,që të mos mungojë kardiologu. Në të vërtetë ministria ja ka lënë në patronazh Beratit Skraparin,por Berati është në hall për vete. Drejtori i Skraparit po lufton vetëm me rrethet e tjerë,me mjekët skraparas që janë larguar,që të vijnë dy herë në muaj për të mos vdekur të sëmurët rrugëve. Kanë ikur gjithë këto vite në tranzicion pa fund, po për Skraparin nuk ka menduar njeri, që të shpinin nëpër shkolla mjekësore e profesionale mjekë e infermierë. Po të ishin interesuar e të punonin për popullin asnjë rreth nuk do të kishte mungesa mjekësh e personel të mesëm. Mirë mjekët që duan katër vjet që të dalin në shërbim, po infermierët përse duhet të mungojnë? Pas vitit 1990 nuk mbajmë mend të jetë hapur një shkollë për infermierë. E keqja është se nuk po shikojmë as tani ndonjë përpjekje për kualifikimin e tyre. Ministria e shëndetësisë dridhet e përdridhet pas atyre infermierëve që ekzistojnë. Çuditërisht në konkursin që ka organizuar ministria për infermieret nga Skrapari ka marrë pjesë vetëm një infermiere, por dhe ajo s’dihet a do të fitojë. Kush e krijoi dhe lejoi këtë gjendje kaq të rëndë në sektorin e shëndetësisë? Në Skrapar ekzistojnë nja tre a katër drejtori në sektorin e shëndetësisë,veç atyre që janë qendra shëndetësore. Në esencë ato nuk janë drejtori, por karrige. Në Çorovodë ekziston një Drejtori e shëndetit Publik, që ka 28 punonjës. Secili prej tyre ka një vend pune, po i pari që “ngrohet” në diell është drejtori Sinan Hysi. E kanë lënë në diell, apo rri vetë, këtë le ta zgjidhë Ministria e shëndetësisë. Kjo drejtori, që dikur lozte një rol të rëndësishëm për higjienën dhe ndjekjen e fëmijëve që të vaksinoheshin, tani është kthyer në mbledhës statistikash. Ministria e shëndetësisë ka nxjerrë një farë statuti, që u jep pavarësi të gjitha qendrave shëndetësore, të cilat kanë dhe buxhetin e tyre. Ne do t’i quanim punonjës hergjele, sepse ata e kanë varësinë direkt nga Ministria e Shëndetësisë. Jemi të ndërgjegjshëm se në këto situata e me ca drejtorë qendrash shëndetësore false, ende nuk kemi punonjës aq të formuar e ndërgjegjshëm për ta kryer detyrën siç i duhet popullit. Ata quhen drejtorë të qendrave shëndetësore, po të gjithë e kanë qendrën në qytetin e Çorovodës. Le të marrim infermieret e fshatit. Janë të rralla ato që qëndrojnë në vendin e emëruar, sepse janë nga qyteti dhe rrallë u bie të venë në punë. Na treguan një rast për një infermiere, që është nga Çorovoda, por e emëruar në fshatin Rovicë. Kryeplaku i fshatit dërgon informacion, se ajo nuk vete në punë, por veç se i kanë prerë një muaj rrogën, nuk e pushojnë dot, se varet nga Ministria! Duke qenë me vartësi të ndryshme të gjitha drejtoritë e shërbimit shëndetësor në Skrapar, nuk bashkëpunojnë për mbarëvajtjen e punës. Në fshatin Vërzhezhë punojnë deri tani tri infermiere. Kur ky fshat kishte 200-shtëpi punonte në mënyrë shembullore vetëm një mami. Tani që fshati nuk ka mbetur as çereku, nuk e dimë çfarë bëjnë këto infermiere atje. Na thanë, se njëra u marrka me vaksinat, njëra me fëmijët e tjetra me të rriturit! Ky është super modernizim po të ishin të tria në punë. Ky është një marifet për t’u gjendur Kola në punë. Nuk e themi që është vjedhje, se është vjedhje shtetërore, që e kemi dhuratë nga fillimi i demokracisë. Në shëndetësinë e Skraparit ka shumë çudira, për të cilat kontrolli i shtetit, ose përton të vijë deri këndej, ose është mjedisuar me to. Në fshatin Zabërzan i Poshtëm me 20-shtëpi janë ndërtuar dy ambulanca. Njëra funksionon, tjetra nuk dihet kush e ngriti e pse u ngrit. Por një gjë dihet. Ato janë ngritur me taksat e popullit. Në mes të qytetit të Çorovodës na u ngrit një godinë, që u quajt ambulancë, kur spitali ishte krejt bosh dhe godina e ish-shtëpisë së lindjes ishte bosh. Ajo vazhdon të jetë bosh. Ky kontrolli ynë i shtetit, nuk e gjen dot kush urdhëroi për ngritjen e tyre dhe kush i pagoi lekët? Spitali i Çorovodës ka disa autoambulanca, por vetëm një është në gjendje pune. Dikur ka pasur një mekanik, që i mirëmbante këto makina me fare pak shpenzime. Ndonjë riparim që kanë bërë me të famshmet tenderë, makinat kanë ardhur siç kanë vajtur, po lekët nuk janë kthyer më. Ne na folën shumë mirë për Ministren e re, e cila po bën ca lëvizje, por boshllëqet e mbetura nga vitet, ia vështirësojnë punën për të arritur atje ku do. Të gjitha rrethet kanë mungesë mjekësh specialistë. Ne mendojmë se nuk është vonë, që nga çdo rreth të planifikohen specialitete, që të paktën,të mos e kemi këtë gjendje pas katër vjetëve. E nderuar ministri, këndej nga Skrapari ka njerëz si në Tiranë, që duan të jetojnë. Nuk duan as karrige, as kolltukë, por vetëm një shërbim të specializuar mjekësor.
Sigal