KEMP-i, vendi i korrupsionit

619
Sigal

DURRËS/ Ja si tallen komisionerët me personat që u caktohet datat e paraqitjes në KEMP, duke iu rishtyrë afatet pambarimisht

Në zyrat e KEMP-it të qytetit të Durrësit, ditën e premte (dje) kishte mjaft lëvizje. Njerëzit kishin ardhur rreth një ore para komisionit dhe ishin të shqetësuar se në listat e afishuara sipas tyre ishin vetëm 24 emra, ndërsa të sëmurët që kishin pritur kaq ditë për të dalë në KEMP ishin të shumtë. Salla, ku mblidhet komisioni ishte tejmbushur dhe rreth 20 vetë ndodheshin jashtë saj. Ky numër me kalimin e orëve sa vinte dhe bëhej më i shumtë, pasi vinin të sëmurë nga periferitë. Po shumë prej tyre ishin të revoltuar, por e kishin të vështirë që flisnin nga frika e “hakmarrjes” në rrugë të tërthorta. Kërkonin të thonin shumë, por nuk flisnin.

Rasti

Një person kishte shoqëruar të shoqen e sëmurë megjithëse edhe vetë ai është mjaft i sëmurë. Dhe ishte mjaft i revoltuar. Në letrën e Epikrizës Përcjellëse për Invaliditet, Petrit K., banor i një lagjeje qendrore të Durrësit, kishte të shënuar nga mjeket e KEMP-it datën një për tu paraqitur, por as me datën tetë nuk u ishte listuar emri në listën e datës tetë shkurt, kur duhej që të dilnin, sipas rregullave të këtij institucioni. Datën 1.02.2013 për t’u paraqitur në KEMP e kishin edhe shumë të tjerë, por nuk ishin të listuar as me këtë datë, ndonëse sipas tyre u kishte kaluar me nga tetë ditë dhe për disa të tjerë edhe më shumë afati. Janë mbi 20 të tillë më thanë, që kanë ardhur, por nuk u ka dalë emri dhe që tashmë duhet të presin javën tjetër për të dalë para komisionit. Nëse do të kenë fatin që t’ju a nxjerrin emrin në listë. Si ai kishte shumë të tjerë. Të tjerë që më dhanë fletët e firmuar për paraqitje me datën 1 shkurt, por që ishin të detyruar që të ktheheshin pas, pa mbaruar punë dhe duke shpresuar që t’u dilte emri radhën tjetër. Në Epikrizat Përcjellëse që të gjithë kishin të shënuara nga specialistët e rekomanduar më parë me vula dhe firma përcjellëse mjekësh ekspertë, të cilët i kishin ekzaminuar ata më parë dhe u kishin ndjekur ecurinë e sëmundjeve nga kontrollet e fundit të KMCAP, analizat përkatëse dhe ekzaminimet e kërkuara gjatë kësaj periudhe dhe të rekomanduara nga mjekët, ekzaminimet objektive sidomos për sistemet e interesuara, për të cilin merrnin pensionet si dhe zbatimin e këshillave mjekësore për mjekim si dhe për riaftësim. Po nuk janë të sigurt se edhe ditën tjetër kur do të mblidhej KEMP-i do të kalonin në sitën e komisionit. Duke u nisur nga Epikrizat e plotësuara, të sëmurët thoshin se nuk kishin realisht edhe aq punë mjeket e komisionit, pasi sëmundjet e tyre dhe shkalla e invaliditetit te secilit dihet, prandaj po zvarriteshin kot.

Sorollatjet e të sëmurit me cerozë

Ndërkohë brenda në dhomë ajri ishte i tej i rënduar. Një person shkëputet dhe flet me mjaft mllef:  “Si nuk u vjen turp”. Ai dukej i sëmurë që në pamje të zakonshme . E kishte ndjerë veten keq brenda duke pritur dhe kur i kishin thënë se duhej të vinte radhën tjetër megjithëse radha i kishte kaluar që me datën 1 shkurt sipas rekomandimeve, kishin filluar t’i merreshin mentë. “Jam me cerozë”,- thotë dhe shkund fletën e skanerit me firmat e specialistëve të mjekësisë. Ai mbante në duar një rekomandim analize, ku shkruhej se ishte me cerozë. “Më kishin thënë që të paraqitem që me datën 1, por nuk me priten”, thotë ai. E quajnë Bastri Cekaj. Është tepër i revoltuar dhe të tjetër afër e këshillojnë që të mos flasë ose më saktë të mos shajë. Po ai u thotë të heshtin atyre. “Më ngritën nga krevati dhe vij nga Plazhi deri këtu për tu kthyer mbrapsht”, thotë ai. Një tjetër thotë se këto vonesa janë edhe të qëllimshme , për të përfituar diçka. Kur i kërkojmë të flasë më konkretisht, ai ngre supet dhe largohet duke të lënë të kuptosh se është hallexhi dhe se sado ta shajë, tek ky komision do të takojë përsëri…