Katër vjet para drejtësisë, historia e akuzës ndaj Imamit Shefqet Krasniqi

745
Ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, pas katër vitesh prej kur kanë nisur hetimet ndaj tij për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi, sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, u shpall i pafajshëm.
Por si kishte ndodhur gjithë rasti i ndjekjes së insitucioneve të drejtësisë ndaj tij?
Shefqet Krasniqi u arrestua në shtator të vitit 2014, gjatë një aksioni të gjerë ku u kapën edhe 11 imamë të tjerë.
Atë kohë ai ishte kryeimam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë dhe Fakultetin e Studimeve Islame.
Ai dhe shumë kolegë të tij u arrestuan nën dyshimin për nxitje të ekstremizmit fetar, përçarjes kombëtare dhe veprimtari të tjera që bien ndesh me sigurinë nacionale dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Policia gjatë bastisjes së shtëpisë së Krasniqit, përveç parave, konfiskoi edhe disa dokumente të Republikës së Serbisë, përfshi një pasaportë serbe.
Përveç kësaj policia konfiskoi edhe 8 mijë euro kesh, mbi 7 mijë franga zvicerane, 2 mijë e 300 dollarë, denarë – shuma e të cilave nuk dihet, monedha arabe, rupi të Pakistanit.
Pas hetimeve, porkuroria në muajin shkurt të vitit të kaluar ngriti aktakuzë ndaj Krasniqit për tri vepra penale, “Për shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar” dhe “për shmangie nga tatimi”.
Sipas aktakuzës për “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, ai akuzohej se nga viti 2013 e deri më 2014, në cilësinë e imamit të Xhamisë së Madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, kryesisht në mënyrë indirekte, mesazhe të cilat kanë shtyrë të tjerët të marrin rrugën për Siri dhe Irak dhe të ndërmarrin veprime terroriste në ato vende.
Gjithmonë sipas aktakuzës, nga ligjëratat e Krasniqit janë ndikuar shumë persona që të bëhen pjesë e organizatave terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”, e ku përmenden Venera Ademi, Ilir Mustafa e Blerim Heta. Sipas prokurorisë, Blerim Heta, më 25 mars 2014, kishte kryer një veprim terrorist vetëvrasës, rast në të cilin kishin mbetur të vrarë 52 persona në Irak.
Sa i përket pikës së aktakuzës për ikje nga tatimi, pretendohej se Krasniqi si pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë tё dhëna tё pasakta, si dhe nuk i deklaruar tё dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë tё përgjithshme prej 20,208.57 €.
Këtë veprim sipas aktakuzës e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.
Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm për veprat për të cilave e ngarkonte prokuroria, shkruan “insajderi”.
Aktgjykimi ndaj Krasniqit, është shpallur sot nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra.
Sipas tij, Gjykata ka gjetur se për tri veprat penale nuk ka pasur prova për ta bërë të besueshme se i akuzuari ka kryer vepër penale.
Ai ka thënë se deklarata e një dëshmitari që është dëgjuar ka qenë kundërthënëse, pasi sipas tij, ky dëshmitar në fund të dëshmisë së tij, kishte deklaruar se nuk e kishte shtyrë askush atë që të shkojë në Siri.
Për veprën penale të shmangies nga tatimi, gjykatësi Kalludra ka thënë se si trup gjykues janë informuar se të gjitha obligimet tatimore janë paguar.
“Element i veprës penale është fshehja e të dhënave dhe në bazë të inspektorit tatimor, që ka dëshmuar ka treguar se i pandehuri ka bashkëpunuar me ATK për të bërë pagesën”, ka thënë gjykatësi Kalludra me rastin e shpalljes së aktgjykimit.
Sigal