Katër muaj pa pensione, invalidët protestë dhe bllokim të rrugëve!

570
Sigal

SARANDË/Për një orë bllokuan dy akset rrugore të qytetit. Më pas, thirrje në kor në sheshe: Veliaj! Na jep pensionet,duam të hamë!

Invalidëve dhe personave që paguhen me ndihmë ekonomike, që u ka ardhur ‘në majë të hundës’ nga vonesa katër mujore e pagesave dhe premtimet e parealizuara, dje kanë dalë në protestë duke bllokuar rrugët e duke thirrur:  Veliaj! Na jep pensionet, nuk kemi çfarë të hamë! Mbi 70 persona që trajtohen me ndihmë ekonomike si invalidë dhe pjesëtar të familjeve të tyre, dje, pasi kanë pritur me orë të tëra për të tërhequr paratë e ndihmës ekonomike të katër muajve të kaluar, kanë protestuar në dy rrugët kryesore që sigurojnë daljen nga qyteti i Sarandës. Ose e thënë ndryshe, kanë bllokuar rrugët numër 1 dhe 2 të qytetit, në segmentin, ku brenda hapësirës midis këtyre dy rrugëve ndodhet edhe filiali i Postës Shqiptare për Sarandën, institucioni që shpërndanë ndihmën ekonomike.

PROTESTA

Protesta e invalidëve, e cila ka zgjatur rreth një orë, ka paralizuar qarkullimin e automjeteve duke krijuar kaos. Të zhgënjyer nga pritja e gjatë prej katër muajsh dhe premtimi i pa mbajtur i kohës së fundit, ku qeveria deklaroi se me heqjen e shpërblimit të Vitit të Ri për pensionistët dhe administratën, do të mundësohet dhënia e ndihmës ekonomike për invalidët, atyre nuk u ka mbetur rrugë tjetër. Ata me bllokimin e rrugëve kryesore të Sarandës i janë drejtuar edhe zyrës së drejtorit të sapo emëruar të Postës së Sarandës dhe pasi kanë rezistuar dhe duke u përleshur edhe me policinë private të postës shqiptare në Sarandë, kanë mundur të hyjnë në mjediset e postës dhe tek zyra e drejtorit. Por pas debatit me ‘të, janë rikthyer përsëri në rrugë. Por këtë radhë, jo me bllokimin e sajë, por me thirrje ndaj ministrit Veliaj që t’u japë paratë.

SITUATA

Pas kësaj proteste, ata janë shpërndarë me shpresën e ditës së nesërme për marrjen e parave. Ata janë shprehur para mediave të pranishme në protestë se sot(dje)janë lajmëruar se do tërheqin paratë e katër muajve, por ende nuk kemi përgjigje. “Njëherë na thonë se nuk ka lekë arka e njëherë nuk ka banka, njëherë nuk i ka firmosur listat drejtori, e njëherë nuk i ka dërguar ministria fondet. Na tallin, kemi që në orën dy të mëngjesit, që mes të ftohtit, mbajmë radhën”,- shtojnë qytetarët e revoltuar. Të interesuar për këtë situatë të krijuar, specialistë pranë filialit të Postës Shqiptare në Sarandë, thonë se, listat janë hartuar prej bashkisë, por nuk ka mbërritur fondi ende në thesar, pra kjo situatë nuk ngarkon me faj postën shqiptare. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim, se mos vonesa është thjeshtë për shkak të procedurave që kërkon thesari i shtetit në lëvrimin e fondeve, apo për shkaqe të tjera.

Radhë në bankomate, qytetarët: Velia na gënjeu për asistencën

 BERAT- Që në orët e parë të mëngjesit të djeshëm, para bankomatëve të qytetit të Beratit, janë grumbulluar një numër i madh familjarësh që jetojnë më përkrahje sociale dhe persona me aftësi të kufizuar, pasi u kanë thënë se do të tërhiqnin paratë. Por në fakt, ata janë mashtruar, pasi nuk u kanë kaluar shumat. Sot, të mërkurën, është festë ditë pushimi, e rrezikohet që paratë të mos jepen brenda vitit. Janë rreth 1500 familje që jetojnë me këtë lëmoshë, pa përmendur këtu dhe invalidët, të cilët presin të marrin ato pak lekë (4800 lekë), me shpresën se do të blejnë diçka për të kaluar festat. Burime për “Telegraf” se e njëjta situatë si në qytetin e Beratit (si pasojë e mashtrimit zyrtar) ka qenë dhe në bashkitë Kuçovë dhe Ura–Vajgurore. “Po na mashtron qeveria dhe ministri Veliaj. Na thanë se paratë kanë kaluar e ne jemi në radhë. Por e shohim që jemi të mashtruar. Më mirë të na thonë se nuk ka para, pritëm 4 muaj e të presim dhe ca të tjera e të mos na gënjejnë. Duam t’u marrim diçka fëmijëve për festë, të shtojmë diçka natën e Vitit të Ri, por nuk po na japin paratë. Nesër është ditë pushimi pastaj vjen e shtuna dhe e diela. Është turp të sillen kështu, me ne të varfrit e njerëzit me aftësi të kufizuar”,- pohon 59- vjeçari N. Kozhina nga Berati.  Julian Xhelili