Katër HEC-e të tjera në “kurriz” të Vjosës, miratohet përqendrimi i kompanive investitore

700
Sigal

Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar në muajin maj përqendrimin për krijimin e një kompanie të përbashkët “Shushica Hydropower” sh.p.k, mes tre investitorëve: “Trema Engineering 2” SHPK, “GR Albania” SHPK dhe “ALB-STAR” SHPK. Këto të fundit një vit më parë fituan një procedurë koncesioni për ndërtimin e katër hidrocentraleve në kaskadën mbi lumin Shushicë, e cila është degë e lumit Vjosë në Jug të vendit.

Autorizimi i Konkurrencës

Në një dokument zyrtar të bërë publik, Autoriteti i Konkurrencës ka gjykuar se përqendrimi nuk shfaq probleme për tregun. “Shushica Hydropower” SHPK nuk ka filluar ende prodhimin. Kjo shoqëri do të ketë në pronësi të saj 4 Hec-e, të cilat janë Hec Drashovica, Hec Kote, Hec Gjorm dhe Hec Brataj. Në tregun e prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, Shushica Hydropower SHPK pritet të ketë një prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej XXXX MWh, duke zotëruar XXX % të tregut, thotë Konkurrenca. Ky transaksion do të ketë efekte pozitive mbi konkurrencën në treg pasi pritet hyrja e një konkurrenti të ri, vlerëson Autoriteti. Asnjë nga palët pjesë në këtë transaksion nuk vepron në tregun e prodhimit, tregtimit të energjisë elektrike dhe si rrjedhojë, ky përqendrim nuk do të sjellë kufizim të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese” përfundon argumentet Autoriteti.

Detajet e koncesionit

Referuar dokumenteve zyrtare të koncesionit vlerësohet se ndërtimi i hidrocentraleve do të bëhet në rrjedhën e lumit Shushicë në Qarkun e Vlorës. Kaskada përfshin zonën midis fshatrave Brataj dhe Drashovicë që ndodhen në afërsi të brigjeve të lumit Shushica. Kaskada e hidrocentraleve do të zhvillohet midis kuotave 200.00 m.m.n.d (metra mbi nivelin e detit) – 58.00 m.m.n.d. Kohëzgjatja e kontratës është 35 vjet dhe kompanitë që po e zhvillojnë këtë projekt janë një bashkim i përkohshëm i shoqërive “GR Albania” sh.p.k., “Trema Engineering 2” sh.p.k. dhe “Alb – Star” sh.p.k. Investimi parashikohet të ketë vlerë 17.9 milionë euro dhe punimet do të zgjasin të paktën 36 muaj. Fuqia e instaluar në kaskadë do të jetë 14 900 kilovat.