Katastrofë mjedisore në Durrës, banorët kërcënojnë me bojkot zgjedhjesh

473
Sigal

SHQETËSIM/ Jetesa mes ujërave të zeza. Kryetari i bashkisë nuk mban fjalën për zgjidhjen e situatës

Disa ditë më parë në gazetën “Telegraf” është shkruar mbi një situatë të vështirë që vihet re në qytetin e Durrësit mbi “ruajtjen” e objekteve arkeologjike në brendësi të ujërave të zeza. Banorët që kishin lexuar artikullin në gazetë mbi situatën katastrofike kanë bërë telefonata në redaksi pasi jo vetëm objektet që ndodhen poshtë ujërave të zeza janë drejt asgjësimit, por edhe shëndeti i tyre dhe i fëmijëve është i tej rrezikuar. Banorët kanë protestuar disa herë, por askush nuk u a ka “fërshëllyer” për të bërë diçka mbi situatën katastrofike, ku ndodhen realisht, mes një mjedisi thuajse kënetor të molepsur me ujëra të zeza të gjithë lagjes që grumbullohen poshtë bodrumit thuajse të hapur të pallatit të tyre në qendër të Durrësit. Kjo gjendje skandaloze në qendër të qytetit të Durrësit vihet re edhe kur kalon rrugës nga Muzeu i Dëshmorëve deri tek Gjykata, pasi era e ndotjes është e rëndë dhe të shoqëron në një distance të konsiderueshme. Bodrumet e papërfunduara të një pallati në lagjen Nr. 11, janë kthyer në një basen ujërash të zeza. Është një sipërfaqe me rreth 800 m2 dhe thellësi mbi 3 metra e tejmbushur nga kanalizimet e zonës. Ujërat mund të jenë edhe burim epidemish. Poshtë këtyre ujërave janë edhe disa objekte arkeologjike mjaft të rëndësishme për kulturën kombëtare të cilat janë të dëmtuara tërësisht. Kjo i ka revoltuar banorët, të cilët janë të zhgënjyer nga premtimet e bëra për t’ju a rregulluar situatën dhe deklarojnë se në se nuk ndërhyhet ata do të braktisin votimet.

Banorët

Një banore e kësaj zone të ndotur dhe të braktisur nga personat përgjegjës për t’u shërbyer atyre, Nadire Trimi tërheq vëmendjen se si mund të lihet kjo pjesë e një qyteti nga më të bukurit dhe me histori në këtë gjendje të keqe. Ajo pasi thotë se, nuk duhej të lejohej nga Bashkia ndërtimi i pallatit aty pasi ai është me themele poshtë nivelit të rrugës dhe nuk ka se si të rrëshqasin ujërat. Tashmë shtyllat e themeleve të tija janë në aciditetin e ujërave të ndotura shton ajo. Po pallati sipas saj është jo vetëm i ndërtuar në vend të keq, të papërshtatshëm, por është edhe pa hipotekë, pasi banorët kanë paguar fillimisht dhe kanë hyrë ndër banesa, ndërkohë firma që ka falimentuar dhe ata janë të pa hipotekuar sikurse kanë pasur kontrata me firmën. Për këtë thotë ajo, tashmë po mbetemi nën retë e mushkonjave gjatë gjithë stinëve, pasi rezervati i tyre ndodhet mjaft i madh poshtë themeleve të pallatit, rezervat që mbledh gjithë ujërat e zonës në pjesën e sipërme të rrugës. Nadirja thotë se, u ka premtuar edhe Bashkia për t’ju a zgjidhur, por kjo kur kanë pasur nevojë për vota. Këtu, thotë ajo, ka ardhur dhe ka pas ngritur shtabin edhe Vangjush Dako dhe ne atë periudhe na ka premtuar se do të na e zgjidhte situatën. Po me këtë gjendje që jemi nuk kanë pse të vinë më për vota tek ne. Nuk ka vota.

Lida Lelo: Gjendja ka degraduar

Banorja tjetër Lida Lelo, ish-punonjëse e monumenteve të kulturës, thotë se megjithë përpjekjet e shumta ata janë gënjyer vazhdimisht për ndërhyrje, ndërsa gjendja thuajse ka degraduar në prag epidemie. Kam pritur 6 ditë rresht të vijnë me mjete të ndërmarrjes për t’i larguar ujërat e ndenjura, por askush nuk e çan kokën për situatën, ku ndodhemi. Ajo thekson se, edhe gjendja e monumenteve poshtë ujërave të zeza është e rëndë dhe nuk duhej lejuar që të ndërtohej pallati mbi to. Banorët shprehen se pallati ndonëse në mes të qytetit është i pahipotekuar dhe  se gjendja e banoreve është në prag të katastrofës mjedisore. Prandaj, po nuk na u zgjidh problem, askush të mos na trokasë për vota.