Katastrofa turistike në vitet e tranzicionit

703
Plazhet shqiptare, prej më se 20 vitesh po përjetojnë përballjen me një “çudi” që po i asfikson këtë biznes kombëtar me të ardhura gjigante e që po i çon pronarët e tyre drejt ankthit dhe frikës për të investuar e punuar qetësisht, duke përjetuar edhe falimentimin, ose aktivitetin sa për të “ngrënë bukë” (siç shprehen vlonjatet). Janë disa qëndrime zyrtare anormale e dhe akte që bëhen nga qarqe të “padukshme” ekonomike-turistike mafioze, që manifestohen e vazhdojnë masivisht e ashpërsisht në nisje të plazhit dhe gjatë gjithë muajve të stinës së verës, duke i tjetërsuar plazhet shqiptare në mjedise me pak pushues, me pushues kalimtarë e shëtitës buzë bregut, me pushues spontan ditor, ose pothuajse bosh. Çfarë ka ndodhur prej më se 20 vitesh me plazhet shqiptare, që ndodhi e po vazhdon të ndodh edhe në këtë nisje sezoni plazhi në bregdet e në brigjet liqenore në Shqipëri? 
“Çudi”, që sa afrohet e nis sezoni veror, në plazhe vërshojnë fadromat për prishje objektesh
“Çudia” , të cilën po e trajtojmë si një problem që mendojmë se duhet hetuar nga drejtësia shqiptare, ka lidhje me disa “raste rastësore” qëndrimesh zyrtare, që ndodhin pikërisht në prag të sezonit turistik veror dhe vetëm në bregdet, ose në liqenet që kanë vlera të mëdha rustike dhe frekuentohen si plazhe kombëtare me pushues masiv shqiptar e turistë të huaj. Në fillim të muajit maj, në mes të muajit maj e madje edhe dje, në bregdetin e Vlorës u vërsulën fadromat dhe brigadat e”çetat” shtetërore të tritolit, duke shkatërruar shtëpi, lokale, pista, pishina, restorante, tenda lojërash, parqe argëtimi e gjithçka të ndërtuar në prona private, në prona publike, me leje, pa leje, me qira nga pushteti lokal! Nuk themi që ndërtimet pa leje, apo ndërtimet që janë “pengesë” për zhvillimin e territorit të mos rrafshohen nga fadromat e tritoli i shtetit, sepse bregdeti shqiptar ka nevojë për profil të ri, për funksionalitet modern, për pan urbanistik të studiuar në aspektin tregtar, komunitar, social e estetik. Por e kemi fjalën për “çudinë”, se përse këto prishje objektesh bëhen pikërisht në nisjen dhe muajt e sezonit të plazhit, kur bregdeti, apo bregliqenet shqiptare mbushen me pushues vendas e të huaj? A duhet hedhur dyshime dhe duhet nisur hetimi, se përse plazhet shqiptare, qytetet dhe fshatrat e bregut kthehen në sheshe gërmadhash pikërisht sa nis plazhi e aq sa gjatë plazhit?! Nëse duhen bërë shkatërrime objektesh të ndërtuar jashtë standardit planit urbanistik kombëtar apo zonal, apo pa leje, logjika të bën të pyesësh: Përse nuk rrafshohen në muajt e tjerë, por në fillim të sezonit e në muajt muajin maj, qershor, korrik, gusht e shtator kur bregdeti është i mbushur me pushues e turistë?! Ky qëndrim absurd, duket sikur shkatërron ndërtimet e paligjshme e sikur i shërben zhvillimit të turizmit, por në fakt shkatërron turizmin lokal e kombëtar! E themi këtë, mbasi nëse janë 4 muaj plazh, janë 8 muaj të tjerë që mund të ndërhyhet veprohet për të “pastruar” ndërtimet pa leje e për të zbatuar plane zhvillimi urban! Por çuditërisht kjo ndërhyrje bëhet në prag të nisjes e në vazhdim të plazhit. Aq i dukshëm është skenari i qëllimshëm në këtë rast, sa fadromat futen në zonat bregdetare kur nis plazhi deh ikin kur përfundon plazhi e nuk duken deri sa të nis plazhi vitin tjetër! Kjo “çudi” po ndodh prej mëse 20 vitesh. 
Sa herë nis plazhi, anijet “çahen” e derdhin mazut e mbetje kimike vetëm në detin… shqiptar!
Nuk është rasti i parë, që pjesa e detit shqiptar në Adriatik e Jon nxihet dhe helmohet nga nafta, mazuti e mbetjet kimike, që “befasisht” e “çuditërisht” derdhen vetëm në pjesën shqiptare të këtyre dy deteve nga Velipoja në Sarandë! E për më tepër “çudi”, këto janë anije të huaja e anije të firmave të huaja koncesionare që janë licencuar nga shteti shqiptar, po “çuditërisht pësojnë defekt e u çahen cisternat” pikërisht në pjesën e territorit detar shqiptar dhe vetëm pranë bregdetit shqiptar, fenomen që ndodh vetëm në nisje dhe gjatë muajve të sezonit të plazhit! Kjo ndodhi edhe 6 ditë më parë në detin dhe plazhin e Zvërnecit në Vlorë, ku një anije e firmës “Petrolifera” shkarkoi cisternat me mazut e solar “helmues” në det duke helmuar 3 kilometër vijë detare e plazhi dhe u gjobit vetëm 1 milionë lekë të reja nga shteti shqiptar, ose sa 3 ditë pushimi ministri shqiptar, në plazhet e Korfuzit! Ndërkohë, që këtë plazh me ujë e rërë vrasëse, nuk do ta frekuentoj asnjë turist! Kujtojmë, që vitin e kaluar i njëjti krim mjedisor ndaj detit, ndodhi në 2.5 kilometër në plazhin e Durrësit, ku një anije cisternë shkarkoi mbetje nafte e hidrokarburesh dhe nga shtetit shqiptar nuk iu tha “gjysmë fjale”! Kujtojmë që 4 vite më parë, në detin dhe bregdetin e Vlorës një anije cisternë derdhi një “lumë solari” që helmoi dhe shkatërroi plazhin! Si shpjegohet kjo “çudi” që çdo fillim sezoni plazhi, madje jo vetëm në vijën bregdetare, por edhe në plazhet liqenore në Shqipëri, deti e rëra mbulohen nga mazuti, nafta bruto, mbetjet kimike industriale, ose nga plehrat dhe mbetjet e tjera urbane siç ndodh në liqenin e Kukësit, të Shkodrës, të Prespës e Ohrit të Pogradecit ku derdhen ujëra të zeza, plehra e mbetje urbane?! Po kaq çuditërisht, këto gjëra nuk ndodhin në pjesët e brigjeve detare e liqenore të fqinjëve tanë në Mal të Zi, Itali, Maqedoni e Greqi! 
—————————————————–
Ndoshta është “rastësi”… por që duhet hetuar si “çudi” 20 vjeçare
Nuk do dëshironim të besojmë, se kjo “çudi rastësore” po bëhet qëllimisht për të asfiksuar e shkatërruar aktivitetin dhe imazhin e plazheve shqiptare për të larguar turistët vendas e për të mos afruar turistët e huaj. Por fakti, që shumë “raste” ndodhin në plazhet tona detare e liqenore vetëm në filim e gjatë sezoni të plazheve, të nxit të dyshosh se kjo bëhet nga “duar e mendje të pista” e pse jo edhe anti-kombëtare, të cilat siç thuhet nga burime brenda zyrave të shtetit, kanë si mision të financuar nga përtej kufirit shqiptar, shkatërrimin e sektorit të turizmit bregdetar veror shqiptar, duke inskenuar e realizuar helmimin e detit dhe rërës me lejen dhe heshtjen e shtetit shqiptar! “Çuditë rastësore”, që prej mëse 20 vitesh ndodhin vetëm në plazhet shqiptare, nuk po ndalen. Dje, në pyllin e bregdetit të Semanit, “befasisht” ra zjarri që e kthehu këtë park e vijë bregdetare në “tokë të djegur”! 
Ja 10 skenarë të tjerë paniku, të hedhur qëllimisht në veprim në çdo sezon plazhi
1. Nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përhapet paniku i qëllimshëm sikur në restorantet, lokalet, piceritë, qendrat ambulatore, furrat e bukës, qendrat tregtare etj, tregtohen produkte mishi, peshku, gatime, produkte bulmeti, sallamra, akullore e fruta me produkte të skaduara, me hormone (kimikate) dhe me përmbajtje kancerogjene, panik ky që transmetohet në media shoqëruar me aksione “speciale sekuestrimi”.
2. Nga institucionet e kontrollit të shëndetit publik, çdo fillim e gjatë gjithë sezonit, jepet alarmi i “kancerit që shkakton uji me akull” që përdoret në lokale, duke bërë thirrje për të blerë ujë të ambalazhuar!
3. Çdo vit, në plazhet shqiptare, jepet alarmi për ndotje të rënda e masive higjienike dhe mungesë totale mjedisesh higjieno-sanitare.
4. Çdo vit, në nisje dhe gjatë sezonit veror, në të gjithë plazhet shqiptare, madje deri në vijën bregdetare dhe në mjediset çlodhëse rrotull hoteleve, nisin gërmime nga pushteti lokal duke krijuar baltë, pluhur e zhurma me punime edhe natën.
5. Çdo vit, në nisje dhe gjatë sezonit të plazhit, Policia e Shtetit jep “haberin”, se në të gjithë plazhet shqiptare janë shfaqur banda që plaçkitin makina, dhoma hotelesh, bizhuteri e çanta turistësh, madje edhe që në… “zonat e plazheve strehohen kriminelë të rrezikshëm”!
6. Çdo vit, në nisje dhe gjatë sezonit të plazhit, “çuditërisht” kabinat elektrike dhe stacionet e ujësjellësve pësojnë defekte të rënda javore e mujore, që lënë plazhet pa ujë e pa energji elektrike. 
7. Çdo vit, në nisje dhe gjatë sezonit të plazhit, ndërmarrjet e ujësjellësit dhe shëndeti publik, me “kopje tekst”, njoftojnë se uji publik në zonat e plazheve është i ndotur dhe me infeksione që dëmtojnë lëkurën.
8. Çdo vit, në nisje dhe gjatë sezonit të plazhit, drejtuesit e mjedisit e të shëndetit publik përhapin alarmin se në zonat e plazhit ka depërtuar një “mushkonjë që mbart e transmeton infeksion vdekjeprurës”.
9. Çdo vit, në nisje dhe gjatë sezonit të plazhit, policia rrugore krijon bllokazhe të trafikut rrugor ne gjithë segmentet rrugore nacionale të vijës bregdetare e pikat hyrëse të tyre, gjoja sikur bënë “kontrolle për kriminelë”!
10. Çdo vit, në nisje dhe gjatë sezonit të plazhit, qeveria nxjerr urdhëresa e vendime, që heq plazhet publike dhe ua jep privatëve të cilët i rrethojnë me gardhe e nuk të lejojnë as ta kalosh në rërë e të futesh në det… pa paguar!
Sigal