Katastrofa e Marinzës “tremb” belshakët e Dumresë

213
Ajo që ndodhi në Marinzë, ka gjasa të ndodhë një ditë edhe në Dumre (Belsh) të Elbasanit, në rast se nuk menaxhohen mirë teknikat e nxjerrjes dhe prodhimit të karburanteve atje. Qysh nga viti 1997 në zonën e Dumresë janë kryer dhjetra e dhjetra shpime me sonda të fuqishme për të zbuluar naftë, nga një kompani amerikane, pastaj një çeke e kanadeze. Dhe rezultatet nuk kanë munguar, pasi kompania SKY-Petrolium INC, ka hasur në tre breza me afërisht 1 miliardë fuçi nafte secila. Fakti është se asokohe banorët e Dumresë kanë shfaqur shqetësime lidhur me punimet, shpimet dhe teknikat e përdorura, mungesën e sigurimeve teknike pasi ato janë kryer në pothuajse gjithë fshatrat e asaj zone. Por ajo që ndodhi në Marinzë disa ditë më parë, i ka futur në merak banorët e zonës së Dumresë, të cilët shprehen se “mirë nafta do të dalë, por ne jemi në rrezik pasi në rast se kompania e huaj vjen dhe nis punimet, mund të na gjejë si ata që mbetën pa shtëpi e katandi, ndaj Ministria e Energjitikës duhet të marrë masa qysh tani dhe jo të kujtohet kur të ndodhë gjëma edhe tek ne”. Pavarësisht se shumica e banorët kanë nisur të kenë frikë, ka edhe shumë prej tyre që i tremben rikthimit të kompanisë së huaj, pasi sipas tyre “dakort jemi se do të na hapë vende pune, por ne fare pranë piketave ku janë shënuar puset e naftës, kemi banesat, tokat, të mbjellat, bagëtitë, ndaj qeveria duhet ta mendojë këtë kur t’i japë lejen e shfrytëzimit”. 
REZULTATET E KËRKIMEVE DERI TANI 
Fakti është se një kompani amerikane ka zbuluar se nëntoka në zonën e Dumresë (e cila duhet thënë se edhe sot vuan për ujë) ka rezerva të paparashikueshme nafte. Pak vite më parë kompania amerikane ka njoftuar qeverine shqipetare se “në Dumre ka gjasa të ketë mbi 5 miliardë fuçi nafte, dhe kjo padyshim mbetet një mrekulli”. Sipas burimeve zyrtare mësohet se, “Sky Petrolium INC, kompani nafte me qendër në Austin Teksas SHBA, ka bërë të ditur se ka zbuluar miliarda fuçi nafte në zonën e Dumresë që në të vërtetë është vetëm një nga tre brezat e kërkimit”. Zbulimi është kryer duke mbajtur parasysh edhe studimet e mëparshme në këtë zonë. Në fakt, deri në vitin 1997 në zonën e Dumresë janë kryer dhjetëra kërkime për naftë. Por thellësia e shpimeve nuk ka shkuar më shumë se 5 mijë metra. I vetmi pus që u shpua rreth 8 mijë metra është ai që ndodhet në fshatin Xibrakë të Shalsit. Banorët thonë se “në Xibrrakë para disa viteve ka qenë një kantier i vërtetë, u shpua deri në 6400 metra, hasën në gaz, por jo në gurë gëlqerorë, më pas erdhi një firmë e huaj, çeke dhe pastaj amerikane, bëri shpime të tjera, pasi solli aparatura të fundit”. Kompania e huaj arriti në naftë, vulosi pusin dhe u largua. Që atëherë ky pus që ka ende hekurin e shpimit nga firma e huaj vazhdon të jetë i bllokuar. Banorët e Dumresë mendojnë se “nëntoka ku banojmë është e pasur me naftë dhe se zbulimi i kësaj sasie do të sillte dobi për komunitetin, Dumrea ka naftë dhe kjo është e vërtetuar në Pekisht ku vazhdon të nxirret, e mirëpresim pasi kështu mund të punësohemi, por edhe kemi frikë se mund të na ngjasë një ditë si Marinza”.