Kasaphana e grabitjes së fondeve në rrugën Korçë-Kolonjë

608
Ndryshe nga më parë publikimi i realizimit të “Treguesit fiskal, sipas buxhetit të konsoliduar 2016” për 5-mujorin, është bërë që në javën e dytë të muajit pasardhës, pra në kohën e duhur, sipas kalendarit të botimit. Nga leximi i të dhënave të pasqyrës, rezultojnë disa dukuri. Në muajin maj, nuk u vu re prirja e rënies të të ardhurave buxhetore, krahasuar me të njëjtën muaj të vitit paraardhës, siç kishte ndodhur për muajt mars dhe prill. Por përkundrazi ato u rritën me një ritëm të kënaqshëm prej 9.65%, thuajse sa ritmi mesatar i rritjes të të ardhurave buxhetore për 2016. Për rrjedhojë dhe realizimi i të ardhurave buxhetore gjithsej si 5-mujor, karakterizohet nga një ritëm relativisht i mirë prej 7.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë të tërheq vëmendjen se të ardhurat tatimore që është dhe zëri kryesor e më vital i të ardhurave buxhetore ka pësuar si 5-mujor një shtesë prej 16.4 miliard lekë ose një ritëm rritje prej 12.2 %. 

Me këtë ecuri pozitive të të ardhurave tatimore, pavarësisht nga disa mosrealizime, garantohet dhe realizimi i të ardhurave buxhetore për 2016. Ndërkohë, kjo rritje është koracuar nga një tejkalim i ndjeshëm i mbështetjes buxhetore, e cila arrini nivelin e 15 miliard lekë, nga 7 miliard lekë të parashikuar për periudhën ose 14 miliard lekë të parashikuara për gjithë vitin. Në këtë situatë, buxheti i shtetit dhe Qeveria, noton në para e bollëk. Për rrjedhojë si rrallë ndonjëherë në historinë 25 vjeçare, buxheti i shtetit është me sufiçit, që në fund të 5 mujorit arriti, 18.2 miliard lekë, nga 1.1 miliard lekë i programuar. Nuk është vështirë të shihet se një situatë e tillë ka ndodhur për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve buxhetore. Kështu të bie në sy se “Shpenzimet korente” si 5 mujor, janë realizuar 131.6 miliard lekë nga 131.9 miliard lek të realizuara në vitin e kaluar. Ndërkohë shpenzimet gjithsej janë realizuar në masën e 145.6 miliard lekë nga 161.7 miliard lekë që kanë qenë ato në vitin e kaluar ose 16.1 miliard lek. Një situatë e tillë, ka ndodhur se këtë viti nuk janë as programuar as realizuar shpenzime për detyrime të prapambetura, efekti i të cilave kap shumën e 12.1 miliard lekë. Ky efekt mundësonte rritjen e investimeve kapitale, të cilat janë realizuar vetëm 13.9 miliard lekë nga 17.6 miliard lekë të realizuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 17.8 miliard lekë të programuara për pesë-mujorin e këtij viti.

Ngërçi i kreditimit të bizneseve 

Kjo do të thotë se jemi në situatën noliane, pranë sofrës i pangrënë… Në këtë situatë, nuk po shfrytëzohet një nga stimujt e mundshëm reale për nxitjen e zhvillimin e ekonomisë ai i politikave fiskale nëpërmjet kryerjes në kohë të investimeve, pa bërë fjalë për realizimin e politikave kejnesiane për nxitjen e konsumit, sidomos në kohën kur politikat monetare nuk po japin efektin e vet dhe kredimiti i biznesit prej tre vjetësh ka mbetur në vend. Por mos realizimi i këtyre politikave nuk është vetëm një çështje makroekonomie dhe aq më pak statistikash. Ajo është një çështje konkrete e prekshme për qytetarët e fermerët. Mos realizimi i investimeve do të thotë ndërprerje e punimeve në X apo Y investim. Një e tillë është dhe ndërprerja e investimeve në rrugën Korçë –Kolonjë. Këtu nuk e kam fjalën thjesht për ndërprerjen e investimit të rrugës Korçë- Kolonjë, i cili kërkon një analizë të posaçme. Por si rezultat i saj Rruga-Korçë ose me saktë Drenovë- Floq, kthesa e Vithkuqit është kthyer në një stërmundim i vërtetë, për banorët e kësaj zone por dhe për këdo që udhëton në ato anë. Gropat dhe pluhuri jo vetëm që po copëtojnë makinat por sidomos po stërlodhin e bezdisin njerëzit, pa bërë fjalë për fermerët që duan të shesin prodhimet e tyre. Kësaj i thonë ta kërkosh belanë me para.
Në se midis firmës ndërtuese të rrugës Korçë-Kolonjë kanë lindur probleme të mëdha, atë s’kanë përse ta heqin në kurriz qytetarët, fermerët apo turistët që duan të kalojnë sidomos në rrugën Drenovë -Floq. Asfalti i prishur, çakulli i hedhur dhe gropat e mëdha, pluhuri që të futet në mushkëri presin shtrimin e asfaltit. Vera dhe sufiçiti buxhetor e mundësojnë plotësisht atë. Ndërsa pritja deri në vitin elektoral, do të ishte një ndëshkim i paparë, për çdo udhëtar që halli e detyron të marre atë rrugë. Nëse jeshillëku dhe era e barit të freskët të rrethon nga Kolonja në Korçë, pluhuri dhe gropat e stërmëdha dëshmojnë se çfarë mund të të bëjë burokracia lakmia për para, apo thjesht moszabtimi i detyrimeve kontraktuale midis firmave ndërtuese dhe palëve-agjencive kontraktuese. 

Ankesat e banorëve të zonës

Por këtë s’kanë përse ta paguajnë udhëtarët por shkaktarët e tyre. Kjo situatë ndodh kur krenaria e mburrja e kësaj qeverie është shlyerja e detyrimeve të prapambetura të ndërtuesve dhe justifikimi i rritjes kreshendo të borxhit gjatë viteve 2013-2014-2015, në emër të shlyerjes të detyrimeve të krijuara gjatë vitit 2013 e më parë. Në këtë kushte do ishte e dobishme t’i hapej drita jeshile gjatë muajit Qershor –Korrik të paktën të kryerjes së investimeve për asfaltimin e rrugës së Korçë –Kolonjë, për pjesën Drenovë-Floq-kthesa e Vithkuqit. Kjo do mundësonte mosndëshkimin e padrejtë të banorëve, arsimtarëve, nxënësve e fermerëve që preken nga kjo situatë absurde, por do të krijonte dhe një fushëpamje më të qartë për zgjidhjen e problematikës që mund të ketë lindur midis agjencisë kontraktuese dhe firmës ndërtuese. Një informacion sintetik për mbarë opinionin publik mbi të dhënat sintetike të kontratës për ndërtimin e rrugës Korçë-Kolonjë, se kur ishte momenti i fillimit dhe mbarimit të kësaj vepre, vlefta e investimit, parashikimi i tyre në buxhetin e shtetit për vitin 2014, 2015,2016, detyrimet thelbësore të ndërsjellta të firmës dhe agjencisë kontraktuese për financimin e punimeve, do të hidhte dritë mbi atë se sa e kanë më lehtë Qeveritë dhe Drejtësia Shqiptare zbatimin e detyrimeve kontratuale. Nga ana tjetër ajo do të krijonte një truall për të gjykuar se cila është rruga që duhet ndjekur në të ardhmen për moskrijimin e detyrimeve të prapambetura apo mos kryerjen në kohë të investimeve dhe mosrealizimin e detyrimeve kontratuale. 

Dokumentacioni i fitimit të tenderit për ndërtimin e rrugës Korçë–Kolonjë, monitorimi i realizimit të saj janë një objekt i pazëvendësueshëm, si për mbajtjen parasysh të efikasitetit të investimeve publike, në përzgjedhjen e tyre në buxhetin e shtetit dhe për përmirësimin e punës të organeve shtetërore, por dhe një rast që ja vlen të jetë objekt studimi i Universiteteve Inxhinierike, Juridike, Ekonomike, qofshin në nivel Bachelor apo Master pa bërë fjalë për atë Ph.D. Kjo do ishte ndoshta një rrugë tjetër e dobishme që konfliktet midis firmave ndërtuese dhe agjencive publike kontraktuese të minimizohen dhe të parandalohen. Ajo do të hidhte dritë mbi risitë e realizimin e nxitjes së zhvillimit ekonomik, nëpërmjet zbatimit të teorive kejsianiste nga ekonomistët dhe administrata shqiptare, nëpërmjet kryerjes së investimeve sidomos nga fillimi deri në Qafën e Qarrit. Nëse për rrugën e Kombit justifikim është ai nacional, cili është pretendimi në rastin e investimit në fjalë për rrugën Korçë- Kolonjë lidhur me mos mbajtjen parasysh të efiçencës për kryerjen e investimeve publike, sidomos në Qafën e Qarrit? Realizimi i investimeve për 2016, por dhe vështirësitë absurde që u janë krijuar banorëve të Dvoranit e më gjerë, kërkojnë shtrimin e asfaltit të paktën në rrugën Korçë-Qafa e Qarrit.

Thoma Vasili 
Sigal