Kapshticë, kapen ilaçe dhe midhje kontrabandë

588
Sigal

Goditen dy raste të kontrabandimit të mallrave në Korçë. Finalizimi i operacionit të koduar “Zëmblaku” vuri në pranga 1 shtetas, si edhe procedohen penalisht 2 të tjerë, njëri prej të cilëve me detyrë doganier pranë Doganës të Kapshticës.

Policia ka sekuestruar mallra të dyshuara kontrabandë, produkte ushqimore të ndaluara, një sasi veshjesh, medikamentesh dhe pajisjesh të ndryshme.

U arrestua- N.V, 42 vjeç, banues në Korçë.

Filloi procedimi penal në gjendje të lirë për- N.B, 58 vjeç, banues në Durrës (me detyrë doganier pranë Doganës së Kapshticës) dhe E.Sh, 22 vjeç, banues në Tiranë.

Mallrat kontrabandë u gjetën në dy autobusë

Policia thotë se në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se në autobusat e linjave Athinë-Shqipëri dhe Turqi-Shqipëri, transportoheshin mallra të dyshuara kontrabandë, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Kapshticë-Korçë, në afërsi të fshatit Zëmblak, në mjetin autobus tip “Setra”, me drejtues shtetasin N.V., si edhe në mjetin autobus tip “Benz” në të cilin udhëtonte si pasagjer shtetasi E.Sh., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

– 50 kg midhje (shpuese shkëmbi), produkt i ndaluar që prej vitit 2013, për të hyrë dhe për t’u tregëtuar në Republikën e Shqipërisë.

– Një sasi medikamentesh, veshjesh dhe pajisjesh të ndryshme, të cilat shtetasit e mësipërm dyshohet se i kanë kaluar kontrabandë, pa i deklaruar tek autoritetet doganore në Kapshticë.

Shtetasi N.B, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos ushtruar kontroll në mjetin tip “Setra”, me drejtues shtetasin N.V.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Kontrabanda me mallra të licencuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.