Kapen dy thasë me drogë, kishin destinacion Malin e Zi

80

48 kilogramë kanabis, që kishte si destinacion Malin e Zi është sekuestruar nga policia kufitare në Shkodër.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat, blutë e këtij qyteti sqarojnë se gjatë orëve të mëngjesit, teksa patrullohej kufiri jeshil në afërsi të piramidës A-2-9/1, në vendin e quajtur Bukoviç mbi fshatin Brigjë të Malësisë së Madhe, falë kamerave termike, autoritetet dalluan disa persona që lëviznin në drejtim të Malit të Zi duke transportuar dy thasë, ku dyshohej se kishin lëndë narkotike.
Kjo bëri që efektivët e policisë të viheshin në ndjekje të personave në fjalë. Këta të fundit, sapo dalluan policinë e fshehën drogën dhe u larguan në drejtim të pyllit.
Falë krehjes së zonës, policia arriti të gjente thasët me drogë, brenda së cilëve kishte 44 pako, me peshë totale rreth 48 kilogramë.
Aktualisht policia vijon punën për kapjen e personave që transportonin lëndën narkotike.