Kapedani i Bregdetit, Gjikë Thanasi

1716
Nga Gëzim Zilja
Qeparo, o buzë shkëmbi,
Pataksem që s’loz nga vendi!
Në plejadën e luftëtarëve shqiptarë nga vitet 1828 deri në vitin 1852 veçohen një sërë luftëtarësh nga Bregu i Detit; si Spiro Gjika, Spiro Çali, Sokrat Leka, Llambro Rexhua, Kiço Dhuli, Jano Kumiu, Dhimitër Leka, Jorgji Stefani, Vasil Guma etj, ku shkëlqen sigurisht figura e papërsëritshme e Thanas Gjikës. 
Në një këngë për figurën madhore të Avdul (Vasil) Borshit, krahas lavdërimeve si një luftëtar i madh i çështjes shqiptare dhe pasardhës i një race të sojshme, mik dhe komandant në ushtrinë e Mehmet Pashës së Egjiptit, thuhet: 
Avdul Borshi(Vasili),ku kish lerë
Në Borsh sinuar në Fterrë
Vallë ç’nënë e kish pjellë
Xhiko zonja me Ahmenë
Vall ç’nip na kish si djalë?
Kapetan Gjikë Thanasnë
Gjik Thanas, Qeparonë.
Asllan në japi’ e kordhë
Figura e Avdul Vasilit (Borshit) ngrihet edhe më lart, duke pasur nip Gjikë Thanasin. Pra nipi i jep lavdi dhe nur emrit të dajës apo xhaxhait dhe jo anasjelltas. Emri i tij do të shfaqej sidomos në kryengritjet e viteve 1947-1948, së bashku me atë të trimave Zenel Gjoleka, Hodo Aliu, Dervish Ali Dukati, Cane Miftari etj. Në asnjë nga betejat e shumta të atyre viteve në Gjirokastër, Delvinë, Janinë, Berat e deri në Mal të Zi (janë mbi njëzetë beteja) nuk mungojnë trimat e Bregdetit. Fshatrat e Lumit të Vlorës dhe atyre të Bregdetit kanë qenë të bashkuar në luftën kundër Portës së Lartë dhe më vonë, sidomos pas vitit 1852 kundër grekëve. 
Dërgon Gjonleka njerinë
Lumi e Bregu lart të vinë
Gjonleka kërkoi ndihmë…
Aq të famshëm ishin fshatrat e bregdetit sa poeti popullor i quan “Bajrakë”, ku çdo fshat ka flamurin e vet, Himarën e quan “rigatë” , mbretëri dhe ushtrinë e saj “armatë”. Kjo tregon sa i madh ishte ndikimi dhe fuqia, që kishin këto formacione luftarake, kur bashkoheshin për luftë me pjesën tjetër të Labërisë.
Mesaplik te Rrapi i thatë 
Për një ditë e për një natë 
Ç’u mbëluadhë gjithë kazatë…
Vjen Himara me rigatë
Me trembëdhjetë bajrakë
Gjika (Thanas) e Leka(Sokrat) me armatë.
Në këtë mbledhje (Besëlidhja e Mesaplikut 15 gusht 1947) kishte ardhur dhe Rrapo Hekali. Himariotët të udhëhequr nga Sokrat Leka e Gjikë Thanasi, erdhën në krye të luftëtarëve të 13 fshatrave (bjarakëve të Bregut): Palasë , Dhërmi, Vuno’, Himarë, Pilur, Kudhës, Qeparo, Çorraj, Piqerras, Lukovë, Shëvasi, Nivicë-Bubar dhe Lëkurës. Stefan Çali nga Qeparoi, u dërgua me një letër të nënshkruar nga 89 krerë të kryengritjes me në krye Zenel Gjolekën, Rrapo Hekalin, Çelo Picarin, për t’i kërkuar ndihmë mbretit Oton dhe kryeministrit Kiço Xhavella të Greqisë, megjithëse krerët kryengritës pak besonin, që kjo ndihmë do të vinte. Sidoqoftë shqiptarët llogaritë i kishin bërë mbi forcat e tyre
Stefan Çali me një kartë
Athinë do lerë vrapnë
Shkon te mbreti për imdatnë (ndihmë)
Po mos kthehet duarthatë? 
Në luftimet e zhvilluara për marrjen e Delvinës, Janinës e Beratit, shquhen luftëtarët e pashoq të Bregut të Detit:
U gremis shkëmbi, ra mali
U vra Llambro (Rexhua, Himarë) rrënjëdali
Ngreu Llambro bukuria
Erdhi gjithë Arvanitia… 
Dhe më tej:
..Gjikë Thanasi vet i pestë
shtiu e vrau pesëdhjetë…
..Pashai vuri dulbinë
Të më zini peshlizinë
Kapedan Jano Kuminë… 
Pas shuarjes së kryengritjeve të vitit 1848, një pjesë e drejtuesve të luftës u syrgjynosën në humbëtirat e Turqisë dhe të tjerë si Gjikë Thanasi e Sokrat Leka, duke përfituar nga amnistia e Portës së Lartë u kthyen në vendlindjet e tyre. Por lufta do të vazhdonte këtë herë në Mal të Zi. Në këngët e mëposhtme të Bregut të Detit, jepet një tablo e plotë mbi mobilizimin e forcave shqiptare në kuadrin e ushtrisë turke, për të mbrojtur trojet shqiptare (1852) nga Mali i Zi. Ja si nis kënga me titull: “Në ndihmë Shkodrës i shkoi”:
Nga Janina të shëtunë
Vjen Bregut karta me vulë
Mbi kapedanë Kiço Dhulë
Nga Nivica, Kiçua shkroi
Natënë njerinë dërgoi
Për te Gjikë Qeparoi.
Po ç’thuhet e ç’ kërkohet në “kartën me vulë?”
O ti Gjikë Qeparoi
Janina kartë dërgoi
Malëzia luftën filloi
Shkodra ndihmë na kërkoi.
Është për t’u vënë në dukje, se në gjithë këngët e epikës historike theksohet se kjo është luftë e shqiptarëve, për të mbrojtur trojet e tyre. Nuk ka mëdyshje në qëndrimin e përfaqësuesit të Bregut të Detit, që ishte tashmë i sprovuar në kryengritjet kundër Reformave të Tanzimatit. Ja si vjen përgjigja nga ky luftëtar i vjetër, i regjur në luftëra, por si do të shohim dhe më poshtë ende i ri në moshë:
Gjikë Thanasi, Qeparoi
Shpejt përgjigjen ia dërgoi
Bregdeti është i gjallë
Se nderin e ka në pallë
Në pallë nderi i vatanit
Edhe vdekja e dushmanit
Gjikë Thanasi, nuk ka kohë për të humbur. Me anë të korrierëve ai lajmëron e mbledh kapedanët e të trembëdhjetë fshatrave te Lisikoi, krua në malin Gjivlash të Qeparoit. Nuk ka sesi të mos bëjë përshtypje fjalët “dita sa ëngjëlloi,”dhe jo “dita sa zbardhi”…
Dhe dita sa ëngjëlloi
Gjikë Thanas Qeparoi
Mblodhi djemt te Lisikoi
Si petriti fluturoi
Në ndihmë Shkodrës i shkoi. 
Mali i Zi u bë varri i ajkës së kapedanëve dhe luftëtarëve të sprovuar shqiptarë si Zenel Gjoleka, Hodo Aliu, Shuaip Qorduka, Luman Brahimi, Llambro Kaçupi etj. Ja si na vjen kënga për dëshmorët e Bregut:
Erdhi telegram nga Reka
Dërgon Goreci bileta (fisi Goreci nga Dhërmiu)
Eni merrmëni se mbeta
Mbeta tek mbeti Gjoleka
Tek mbeti Gjolekë Kuçi
O barba Llambro Kaçupi (vunjotas)
Mbete si Mane Barushi (vunjotas)
Me çepe si Çeço Shkurti (vunjotas)
Simo Mërtiri aty ra (kudhësjot)
Edhe Vjero Jetua (kudhësjot)
Në një këngë tjetër të kohës, jepet në mënyrë më të hollësishme sesi vjen lajmërimi (tesqereja) ku valiu i Janinës, i kërkon kapedanit të mobilizojë forcat vullnetare (redifët) për luftë me Malin e Zi, që kërkon të pushtojë tokat e banuara nga shqiptarët.
Pesë ditë shënëndre
Gjikë Thanasi o lule
Të erdhi një tesqere
Maksus për muharrebe(luftë)
Për Karadak u nise
Që na u bë havale
Kërkon shehre dhe ulqe
Ti me Gjonlekën u re
Dhe i bëre kallame’.
Po ç’ndodhi atje në Malësi, te Vlladika? Vargjet për vrasjen e Thanas Gjikës në luftën për mbrojtjen e trojeve të banuara nga shqiptarët, janë nga më të bukurat dhe të arrirat në epikën historike. Nëse kujtojmë vrasjen e Zenel Gjolekës ku ai i lutet Shuaip Qordukës t’i presë 
(Shuaip të kamte djalë
hiqëm kukënë me pallë)
kokën e t’ia çojë në vendlindje, në Kuçin e pamposhtur, vdekja e Thanas Gjikës është po aq heroike por amaneti i tij është i ndryshëm. Shumë piktorë të huaj të shekullit të XIX, kanë krijuar tablo e portrete, ku dallojnë luftëtarët shqiptarë me bukurinë e tyre fizike, veshjet mahnitëse plot ngjyra e armët plot shkëlqim, të stolisura me ar e argjend. Nga sa kam parë vetëm për Marko Boçarin, ka disa tablo ku ai jepet i plagosur ose i mbajtur në krahët e shokëve. Për Thanas Gjikën e Qeparoit, e të tjerë luftëtarë të famshëm shqiptarë nuk ka një portret ose tablo nga piktorët e kohës, duke luftuar ose në çastin e vdekjes. Por mendoj se nuk është ndonjë pishman i madh. Vargjet me të cilat përshkruhet vdekja e Thanas Gjikës, e kalojnë një pikturë në telajo, mjafton të ndalesh e meditosh sado pak, kur i lexon.
…Përtej hudutit u dhe
Se të erdh një plumb rrufe
Hapasës dhe ti s’e pe
Të qëlluan me hile
Pas jelekut kadife.
Gjikë Thanasi është duke luftuar ballas me malazestë, jashtë mundësive (përtej hudutit) e fuqive të tij, duke kërkuar e bërë të pamundurën. Por ja, një plumb rrufe, hapasës( ç’fjalë e mrekullueshme shqipe), një plumb dinak, hileqar, i papandehur, dredharak, i “ngjitet” në jelekun kadife. Vini re: jo jelek (fermele’ në disa raste) dosido, por prej cohe të shtrenjtë, i kadifenjtë. Dhe më tej:
T’u derth gjaku rrëke
Potureve, kalceve.
Nga brinjët, gjaku kullon mbi poturet e zeza (pantallona të shkurtra shajaku), e pastaj mbi kalcet ( çorapet e trasha prej shajaku, ku lidhen poturet) që shtrëngohen në kupën e gjurit, me gjalmë të fortë e xhufka të kuqe. Sa mund të mbajë njeriu kur plumbi i shkon tejpërtej jelekut? Zenel Gjoleka kishte merak ta varrosnin në Kuçin e tij të dashur por luftëtari i Bregut ka amanet tjetër. Mendja e tij ashtu e mjegulluar, në prag vdekjeje shkon në Qeparoin buzë Jonit të kaltër, ku harlisen portokajtë, limonët, e ullinjtë, nën gjelbërimin e përjetshëm. Ç’bëjnë atje vallë, nëna e tij, gruaja e re dhe motra e pamartuar? Tani që shpirti i tij po shkon në qiell, sigurisht në parajsë, atje ku shkojnë luftëtarët, ç’do të bëhet me to? 
Kur u përgjunje edhe re
U kujtove edhe the:
Më mbet’ nëna kallogre
Motra manastireve
Dhe gruaja vajzë e re.
Kaq. Poeti popull, e mbaron këngën, pa shtuar asnjë varg tjetër. Këtu fiket jeta e Thanas Gjikës, heroit të Qeparoit, me kokën andej nga vendlindja, te nëna që mbeti kallogre, gruaja ende vajzë e re dhe te motra, që tashmë pa vëllanë e saj kapedan, e priste manastiri. Të tjerë bregdetas më vonë kënduan:
Kapetan Gjikë Thanasi
Lule Gjikë Qeparoi
Bregn’ e detit ç’e nderoi.
Sigal