Kapedan i Jugut që ra në Veri të Shqipërisë

1414
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Rruga e mundimshme e luftëtarëve

Në vjeshtën e vitit 1906, Çerçizi dhe Bajo Topulli shkojnë në Gjirokastër, për të organizuar çetat e jugut. Bëmat e tyre kishin shqetësuar Stambollin. Të katër vëllezërit Basri, Daut, Banush dhe Halil nuk i gjejnë në shtëpi. Me urdhër të mytesarifit të qytetit, ata ishin lidhur me pranga dhe ishin dërguar në burgun famëkeq të Janinës. Arrestimi i tyre nuk i trembi dy vëllezërit trima ndaj ata porositën dhe vëllezërit e tjerë të bëjnë kujdes dhe vetë u nisën sërish në fshehtësi për në Manastir. Gjatë udhëtimit çeta e Çerçiz Topullit bie disa herë në prita nga ushtritë osmane duke luftuar trimërisht. Por osmanët i ndjekin trimat këmba-këmbës, edhe në trevat e Manastirit, Strugës e Resnjës, Tetovës e Shkupit dhe falë komiteteve të këtyre trevave, Çerçiz Topulli mbërriti në Sofje, ku u pritën me madhështi nga shqiptarët e shumtë që jetonin aty, me ç’rast u mblodhën për të përshëndetur trimat. Për mbërritjen e vëllezërve Topulli, shkroi edhe shtypi i kohës, duke bërë me dije krejt Evropën, se Shqipëria do t’i dalë zot fateve të saj me komitat e vet trima dhe të mençur. Natyrisht Bajo dhe Çerçiz ishin atje, në shoqërinë e Shahin Kolonjës. Ata diskutuan me të jo vetëm fatet e Shqipërisë por edhe rrugët e mundshme të organizimit të lëvizjes kombëtare shqiptare. Çerçizi do të ndikonte në këtë lëvizje dhe me idetë e tij përparimtare. Në faqet e gazetës “Drita” protesta e tij kundër Portës së Lartë do të ishte e fuqishme. Në një prej artikujve të shumtë Çerçiz Topulli do të shkruante: “E fëlliqura Turqi, shqiptarët i ka rrjepur dhe i ka varfëruar kaq shumë, sa mund të themi se varfëri si e shqiptarëve nuk gjendet gjëkundi. Pa shtëpi pa bagëti, pa mësim e pa më të voglën shpresë kanë mbetur. Dhe prapë pagesat brenda i paguajnë Turqisë e cila i merr ushtarë që të venë e të vdesin nga klima dhe nga shigjetat e Mahmut Jahjait, ndë Arabi”. Po në këtë artikull, duke u bërë thirrje bashkëkombësve të vet që t’i lanë mënjanë përçarjet dhe dasitë fetare, shkruan tekstualisht se duhet të bëjmë kurban, sakrificë e çdo gjë që kemi, që të shpëtojmë nga Turqia. Dua prapë të them, se vdes për një shqiptar të krishterë, se ay është gjak prej gjakut tonë dhe se ka eshtra prej eshtravet tona, ndërsa me turqit ndryshojmë si dita nga errësira, si jeta nga vdekja!

Kapedani i Gjirokastrës
Në janarin e vitit 1907, me porosi të Shahin Kolonjës dhe Bajo Topullit, Çerçizi shkon në Bukuresht. Edhe këtu një grup shqiptarësh i mblidhen rreth kapedanit të Gjirokastrës dhe duke e respektuar. Këtu Çerçizi takohet me atdhetarin tjetër shqiptar, Mihal Gramenon, me të cilin do të ndanin paskëtaj gëzimet, shpresat dhe zhgënjimet e çetës së tyre. Në fillimin e shkurtit të vitit 1907, Çerçiz Topulli e Mihal Grameno, hartojnë së bashku një thirrje drejtuar popullit shqiptar ku flitet për njëmijë e një të zezat e nga sundimi osman. Thirrja përfundon me fjalët “Rroftë kryengritja e Shqipërisë së robëruar e cila do t’i sjellë asaj lirinë dhe mirëqenien”. Në marsin e këtij viti, Grameno së bashku me Çerçizin, marrin rrugën për në Shqipëri. Prej majit të vitit 1907 e deri në dhjetor, Çerçiz Topulli i ndejkur këmba këmbës nga spiunët dhe ushtria osmane, do të luftonte sa në Vlorë, në Delvinë, në Gjirokastër, në Kolonjë, në Përmet dhe në Tepelenë. Pas këtij trimi të madh, shkonin me dhjetra djem të jugut, të cilët mundën të zhvillojnë luftime të ashpra, ndonëse nuk kishin armë moderne e fishekë të shumtë. Në librin me kujtime të Mihal Gramenos, i cili gjatë kësaj kohe ndiqte në çdo hap çetën e Çerçiz Topullit, dëshmohen dhjetëra episode trimërie e guximi ku bijtë e shqipes dhanë pranverat e tyre të njoma për lirinë e Shqipërisë.

Çeta në mbrojtje të shkollave shqipe
Çeta e Çerçiz Topullit, me luftime të shumta kundër ushtrisë osmane, po mbronte dhe shkollat shqipe të sapoçelura. Çerçizi kishte miqësi me Sevastinë, Parashqevin e Gjergj Qiriazin, që me përpjekjet e tyre madhore luftuan për mbajtjen çelur të shkollave së vashave në Korçë, e cila po rrezikohej të mbyllej prej shovenëve grek. Por, edhe Katerina Cilka, bashkëshortja e Gligor Cilkës, po bashkohej me çetën e Çerçiz Topullit, kundër synimeve të mbrapshta greke. Në kujtimet e tij, Grameno midis të tjerave do të shkruante se kjo interesohet për luftëtarët tanë. U qep këtyre nga një qese të madhe për të vënë bukën dhe u thotë që thërrimet t’i mbledhin me kujdes, se mund t’u duhen kur të jenë ngushtë. Nga kujtesa e luftëtarëve, nuk do të mund të harrohet lehtë, trimëria e Çerçiz Topullit në qytetin e Përmetit. E vërteta është se për shumë ditë çeta e tij qëndroi në Teqenë e Frashërit. Në këtë kohë Çerçizin e bëjnë me dije se në Përmet ka mbërritur peshkopi i Korçës, i cili kërkon të përçajë shqiptarët në ortodoksë e mysliman duke dashur në fakt të përçajë lëvizjen kombëtare shqiptare. Natyrisht të hyje në qytetin e Përmetit për të luftuar ishte e vështirë pasi garnizoni osman ruhej nga forca të konsiderueshme. Çerçiz Topulli në këtë moment vishet me uniformën e kapitenit të ushtrisë osmane, dhe fill vetëm futet në Mitropolinë e qytetit. Kur gjendet përballë peshkopit, i thotë këtij se është vetë Çerçiz Topulli dhe se kësaj radhë vetëm sa të këshilloj të heqësh dorë nga punët e liga, ndërsa radhën tjetër ju e kuptoni si do t’ju flas. Kështu me këtë rast, konsulli austriak njoftonte Vjenën se “komitat si Çerçiz Topulli bëjnë gjëra që nuk rrëfehen”.

Çerçiz Topulli më thonë…
Çeta e udhëhequr nga Çerçiz Topulli nuk e ndërpreu aktivitetin luftarak të saj. Lufta e Mashkullores mbetet ende sot, një epope e ndritur e guximit dhe trimërisë shqiptare, ku pak burra me fishekë të numëruar luftuan për 32 orë rresht kundër qindra ushtarëve dhe oficerëve turq. Kështu vlen të përmenden luftimet e ashpra të zhvilluara në Frashër, në Delvinë dhe në fshatin Labovë. Të udhëhequr nga kapedan Çerçizi, trimat e jugut, ndofta se patën menduar se do të hynin qysh herët në këngët e popullit të tyre. Kështu pas betejës në Delvinë, kur Çerçiz Topulli pati paralajmëruar komandantin turk të mos i zinte pritë, në fund të betejës ku numëroheshin dhjetëra turq të vrarë, populli ngriti këngën: 

“Milazim largo taborrë,
Leri djemt e mij të shkojnë,
Se të skuq të bëj me bojë,
Çerçiz Topulli më thonë”. 

Korriku i vitit 1908, do të sillte ngjarje të reja për krejt lëvizjen kombëtare shqiptare. Në këto kushte, nga atdhetarët shqiptarë të Manastirit, u pa si domosdoshmëri organizim i çetave të komitëve të cilat ishin vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Nga Komiteti i Manastirit, dërgohet urdhri që Çerçiz Topulli duhet të takohet patjetër me Nijazi Resnjën, edhe ky një tjetër patriot në trevën e Maqedonisë shqiptare. Të dy çetat e komitëve, takohen në pyllin e Pirgut, pranë Pogradecit. Në fund të këtij takimi, midis të tjerave u ra dakord që “të luftohet bashkërisht për rrëzimin e regjimit autokratik”. Çerçiz Topulli ndihmon të formohen çeta të reja të luftëtarëve shqiptarë, sidomos në trevat e Korçës dhe Kolonjës. Prania e Çerçizit në Kongresin e Manastirit, do të ishte një ngjarje e madhe për të. E vërteta është se ka qenë Bajo Topulli, si përfaqësues i Gjirokastrës në këtë kuvend, por kjo nuk ka penguar patriotët e mbledhur aty, të përfaqësohen dhe të njihen nga afër me trimëritë e Çerçizit. Gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit të Manastirit, fjala e Çerçiz Topullit do të dëgjohej me respekt, sidomos në pikëpamje të organizimit të çetave të luftëtarëve. Edhe në vitet që rrodhën më pas, 1909-1912, çeta e bijve të Gjirokastrës, do të jetonte në hallet e popullit të vet, do të luftonte për t’i shuar ato halle. Ndërsa në ngjarjet pas ngritjes së flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, Çerçiz Topulli dhe trimat e tij, i shohim në beteja të mëdha, në ruajtje të kufijve jugorë të Shqipërisë. Nëse furitë e andartëve greke, u ndaluan me dhjetëra e dhjetëra herë në Tepelenë, në Vlorë, në Korçë e në Kolonjë, kjo nuk e harroi askurrë vendin e vet në male të Shqipërisë, në krye të trimave të vet. Këtu do ta kishte gjithmonë vendin, ky bir i Gjirokastrës edhe kur rrëmbeu armët dhe vrapoi në Shkodër, të luftonte kundër forcave malazeze që pushtuan qytetin. Në Fushë të Shtoit në vitin 1915, binte në fushën e nderit si dëshmor dhe luftëtar, kapedani i jugut, trimi i paepur Çerçiz Topulli. Populli i Shkodrës dhe i Shqipërisë u betua se do të ecnin në rrugën e ndriçuar prej tij, për liri dhe bashkim kombëtar.
Sigal