Kapaciteti i Kanunit të Labërisë dhe vlerat historike

992
Analizë nga Av. Vasil Bendo

Vijon nga numri i kaluar

Koncepti i Kanunit
Nuk mund të mohohet që edhe në shoqërinë e sotme labe ndeshen në praktikë dukuri të kanunit, sidomos në marrëdhëniet familjare dhe martesore, marrëdhëniet civile, të detyrimeve e kontratave që lidhem me mirëbesim me gojë kur duhet të bëhen me shkrim, deri në fushën penale e procedurale, duke përjashtuar gjakmarrjen, e cila në Labëri i përket të kaluarës së dhimbshme. Realiteti objektiv tregon se ndodhemi para një dualizmi juridik. Nga njëra anë, veprojnë kushtetuta dhe ligjet e shtetit demokratik dhe, nga ana tjetër, veprojnë edhe normat e kanunit, pavarësisht nga sfera e kufizuar e marrëdhënieve shoqërore që ato rregullojnë. E drejta zakonore njihet si burim i së drejtës, përderisa ajo vepron në një masë të kufizuar të popullatës. Normat e së drejtës zakonore janë mbledhur e kodifikuar në kanun, por kanuni nuk është miratuar si ligj nga shteti. Me civilizimin e shoqërisë, ndërtimin e forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e nivelit arsimor dhe kulturor të njerëzve, dukuritë negative që rregullohen me kanun shkojnë duke u pakësuar, drejt zhdukjes së plotë të tyre, ndonëse ky është një proces i vazhdueshëm dhe i gjatë. Shqipëria e tashme është republikë parlamentare, shtet unitar dhe i pandashëm, me kushtetutë të evropianizuar, me ligje të avancuara për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore në fusha të ndryshme të bashkëjetesës sociale, me një sistem të organizuar të drejtësisë, ndonëse jo të plotë. Pra, pamja e përgjithshme e zhvillimit të sotëm shtetëror krijon bindjen se kemi kushte të favorshme për mbrojtjen e të drejtave e të lirive themelore të njeriut dhe nuk ka arsye bindëse të kthehemi prapa për zbatimin e normave të kanunit. Qëllimi kryesor i kanunit është kufizimi gradual i zbatimit të tij në praktikë, duke i dhënë përparësi zbatimit të ligjeve të shtetit, që përbëjnë bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së tij. Dëshiroj të përkufizoj “të drejtën” dhe “normën” në kuptimin e trajtimit historiko-juridik të vendit tonë dhe jo të lidhura me përcaktime fjalë për fjalë të autorëve të veçantë. Mendimi im është se: E drejta shqiptare është një tërësi normash juridike që rregullojnë jetën shoqërore në vend dhe sanksionet që garantojnë zbatimin e tyre, kurse norma është një rregull i përgjithshëm sjelljeje me rëndësi për njerëzit që bëjnë pjesë në një komunitet apo kolektivitet të caktuar. Në analizën e librit në fjalë, them se krijuesi i normave të kanunit është populli i Labërisë me mençurinë e tij. Ato pasqyrojnë botën shpirtërorë të krijuesit, kushtet materiale të jetesës, etj. Nevojat historike, shoqërore, ekonomike, jetësore të njerëzve kanë diktuar vendosjen e normave, zakoneve, rregullave të sjelljes, bazuar në parimet e larta të moralit. Zakonet kanë luajtur rol parësor në formacionet e hershme shoqërore parashtetërore për rregullimin e marrëdhënieve brenda një grupi shoqëror. Në mënyrë të veçantë normat zakonore kanë rëndësi për formimin e sistemit të së drejtës publike dhe private. Zakonet tona kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë shumë gjatë, pavarësisht se nuk janë sanksionuar me ligj. Kushtet historike në të cilat ka kaluar Shqipëria në tërësi dhe Labëria në veçanti, kanë përcaktuar faktin që shumë zakone ndryshuan në brendësi dhe u bënë pjesë përbërëse e burimit të sistemit të së drejtës. Përcaktimi im është se: E drejta zakonore është forma fillestare dhe më e lashtë e të drejtës shqiptare. Fakti që ajo vazhdon të veprojë deri në kohën tonë, tregon për forcën dhe potencialin e të drejtës popullore. Burimi i parë dhe kryesor i normave të Kanunit të Labërisë, në mungesë të burimeve arkivore, janë zakonet që u kthyen në norma juridike të pashkruara, për shkak të zbatimit të tyre të vazhdueshëm dhe të detyrueshëm. Veç normave të përbashkëta të së drejtës zakonore, në njësi tokësore të veçanta, në fshatra, kanë vepruar edhe zakone të “vendit të detyrueshëm” për t’u zbatuar brenda tyre. “Sipas vendit bëhet edhe kuvendi” thotë një fjalë e urtë popullore. Burim tjetër kryesor i normave të Kanunit janë vendimet e kuvendit të burrave, besëlidhjet për çështje të rëndësishme, pajtimi i gjaqeve (hasmërive) etj. Në Labëri janë zhvilluar mjaft kuvende të rëndësishme që njihen në historinë e popullit shqiptar, si ai i Himarës në shekullin XV, Kuvendi i Progonatit më 1846, Kuvendi i Mesaplikut më 1847 dhe kuvende të tjerë që lidhen me reformat e të drejtës zakonore të Labërisë. Këto burime të së drejtës përbënin bazën për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore ndërmjet njerëzve të bashkësisë labe. Normat e Kanunit ishin mburoja nga çdo arbitraritet, sepse askush nuk mund të vihej para përgjegjësisë civile, penale apo çdo shkelje tjetër pa u mbështetur në ato norma. Askush nuk mund të vepronte në kundërshtim apo duke i anashkaluar normat kanunore, përndryshe reagonte e gjithë bashkësia dhe nuk lejonte vetëgjyqësinë vdekjeprurëse ndërmjet banorëve të komunitetit.
Vlera juridiko-historike
Studimi i kulturës shpirtërore e materiale, i traditave dhe zakoneve, si dhe i normave të së drejtës zakonore kanë rëndësi të veçantë për historinë e çdo kombi. Parë në këtë këndvështrim, mbledhja e normave të Kanunit të Labërisë, krahas kanuneve të tjera shqiptare, paraqet interes të veçantë që shprehet në unitetin e kulturës juridike mbarëkombëtare, pa mohuar veçoritë vendore. Historikisht në Shqipëri është mbledhur i pari Kanuni i Maleve në Gziq të Mirditës, nga Shtjefën Konstandin Gjeçovi në fillim të shekullit XX. Në vitin 1933 u kodifikua dhe u botua nga kleri françeskan në Shkodër në një vepër të mbiquajtur Kanuni i Lekë Dukagjinit. Ky kanun është burim i parë kryesor i së drejtës zakonore shqiptare dhe ka tërhequr vëmendjen e studiuesve shqiptarë dhe të huaj, është përkthyer në gjuhët italiane, angleze dhe ruse. Tri dekadat e fundit janë mbledhur e botuar edhe kanune të tjera si Kanuni i Skënderbeut nga Dom Frano Ilia më 1993, kanuni i Dibrës nga Xhafer Martini më 2003, kanuni i Lumës nga Shefqet Hoxha, kanuni i Malësisë së Madhe dhe Malësisë së Lezhës nga Fadil Mehmeti, kanuni i Malësisë së Gjakovës dhe kanune të tjera lokale. Këtyre u shtohet edhe Kanuni i Labërisë i vitit 2006 që e kemi objekt analize dhe vlerësimi. Të gjithë së bashku përbëjnë kanunin mbarëshqiptar nga Labëria, në Veri të Shqipërisë dhe deri në Kosovë e troje të tjera ku banojnë e jetojnë shqiptarë. Mbledhja e normave të Kanunit të Labërisë filloi me mbështetjen e ish-Institutit të Shkencave në vitet 50’ të shekullit të kaluar, kur u ngarkua etnografi i shquar prof. Rrok Zojzi i cili bëri ekspedita në shumë zona të Labërisë dhe një punë të jashtëzakonshme për mbledhjen e materialit folklorik dhe etnografik nga gojëdhënat popullore labe duke shkelur fshat më fshat dhe shtëpi më shtëpi. Pasi autori i Kanunit u njoh me materialin e mbledhur, vendosi të vazhdojë punën për mbledhjen dhe sistemimin e materialit normativ dhe për këtë qëllim i kushtoi rëndësi të dorës së parë kodifikimit të normave të së drejtës zakonore të Kurveleshit që ende ruheshin në traditën gojore të popullit vendor. Kanuni përmban në pjesën më të madhe normat e së drejtës zakonore të shekujve XVIII-XX, pa përjashtuar norma më të hershme. Për hartimin dhe kodifikimin e Kanunit autori ka përdorur tri metoda të ndryshme: Anketim individual me burra të njohur zakoni; Pyetësorë në disa fshatra me persona të ditur, mësues, intelektualë e të tjerë; Krahasim i materialeve të mbledhura në fshatra të njohur të zonave të ndryshme. Evidencimi dhe krahasimi i normave të grumbulluara krijuan mundësinë që të përcaktohen karakteristikat kryesore të përbashkëta të Kanunit të Labërisë dhe të verifikohet përafërsia e saktësisë të këtyre normave. Fakti që ato në përgjithësi harmonizohen me njëra-tjetrën, se tregimet e pleqve të zonave të ndryshme janë të ngjashme në përmbajtje, tregon për besueshmërinë e burimeve dhe identitetin e normave. Ne rast se normat e Kanunit të Labërisë do të ishin mbledhur dhe kodifikuar 80-90 vite përpara Kanunit të Lekë Dukagjinit, nuk ka dyshim se ato do të ishin më të plota e më te sakta. Autori është plotësisht i vetëdijshëm se Kanuni nuk është e nuk mund të jetë i plotë, derisa shumë gjurmë të së kaluarës janë zhdukur. Autori dhe populli thonë “më mirë pak, sesa hiç”, por unë mendoj se me këtë Kanun të hulumtuar më shumë se gjysmëshekulli “jepet shumë, nga pak”.
Përkufizimi dhe objekti
Përmbajtja themelore e Kanunit jepet me përkufizimin dhe objektin e tij, citoj fjalë për fjalë normën e parë dhe të dytë me qëllim që të kuptohet vlera dhe pasurimi i të drejtës zakonore dhe influenca në të drejtën e përgjithshme shqiptare. “ Kanuni i Labërisë është tërësia e normave të së drejtës zakonore (rregullave të sjelljes), të pashkruara e të vendosura kohë pas kohe, të përcjella në traditën gojore brez pas brezi, që shërbejnë për rregullimin e marrëdhënieve juridike në mes njerëzve në fusha të ndryshme të jetës në njësitë tokësore të vetëqeverisjes vendore të Labërisë”; “Kanuni ka për objekt sanksionimin e parimeve kryesore të jetës shoqërore, rregullimin e organizimit tokësor e shoqëror, të rendit shoqëror – marrëdhëniet familjare e martesore, të rendit ekonomik – pronësisë, trashëgimisë, detyrimet, kontratat, si dhe rregullimin e marrëdhënieve në fushën penale, procedurale dhe administrative”. Po ta vërejmë me kujdes këtë përkufizim, shënoj se ka katër elemente që plotësojnë kuptimin e të drejtës: Tërësia e normave të së drejtës që krijojnë shtratin për të drejtën e moderuar shtetërore; norma juridike që trashëgohen në kohë e breza dhe krijojnë traditën dhe trashëgiminë e të drejtës; marrëdhëniet juridike në fusha të ndryshme të jetës shoqërore; vetëqeverisja vendore në çdo kohë sipas ndarjes administrative. Në përmbajtje të Kanunit, veç normave të përgjithshme, kanë përparësi parimet kryesore: liria, barazia, nderi, besa, mikpritja, si vlera morale, shoqërore dhe parime juridike. Në Kanun kodifikohen: rendi shoqëror, rregullimi i marrëdhënieve familjare e martesore; rendi ekonomik, rregullimi i marrëdhënieve civile për pronën, detyrimet, kontratat, trashëgiminë etj.; rendi publik, veprat penale dhe dënimet, normat procedurale të gjykimit të çështjeve penale dhe civile, kundërvajtjet administrative (dëmet) etj. Në parathënie nuk është parë e arsyeshme nga autori të zhvillohen gjerësisht institutet kryesore të Kanunit, për shkak se është botuar më parë libri “E drejta zakonore e Labërisë” që mund të quhet komentuari i Kanunit, kështu që nuk ka vend për përsëritje. Struktura është e ndryshme nga ajo e kanuneve të tjera shqiptare, duke u bazuar në kritere të avancuara juridike dhe shkencore. Kanuni paraqitet i kodifikuar me kërkesat e teknikës së sotme ligjore, ka formën e një kodi zakonor, ruan me besnikëri përmbajtjen e normave të trashëguara dhe të sistemuara sipas objektit të marrëdhënieve juridike që rregullohen. Praktika e zbatimit kanunor ka një veçanti në krahasim me kanunet e tjerë të vendit tonë. Sipas autorit, Kanuni i Labërisë vendos një lidhje organike midis nenit të kodifikuar dhe zbatimit të tij në praktikë, se kështu bëhet më i kuptueshëm nga njerëzit zbatues. Puqem plotësisht me këtë mendim dhe veprim të autorit, sepse njerëzit që zbatojnë kanunin janë të thjeshtë dhe duhet t’i kuptojnë rregullat e bashkëjetesës sociale sa më troç dhe sa më qartë. Siç kemi analizuar më sipër, Kanuni nuk është ligj, por është një tërësi rregullash bashkëjetimi, bashkëqeverimi dhe bashkëgjyqësimi. Kush shkel kanunin e pashkruar, shkel nderin, besën dhe qytetarinë, sipas mendimit tim. Gjuha e përdorur në kodifikimin e Kanunit është gjuha e pastër letrare shqipe, pa përjashtuar disa shprehje koncize të dialektit lab që janë shpjeguar në fjalorthin terminologjik. Kjo bëhet me qëllim që përmbajtja e çdo norme të Kanunit të kuptohet mirë, lehtë dhe popullarisht. Kanuni i Labërisë mund të jetë më i kufizuar në raport me kanunet e tjerë, por në përmbajtje i përgjigjet kërkesave dhe standardeve të një kodi zakonor në bazë të materialit të grumbulluar me vështirësi nga tradita gojore.
Autori, Profesori
Afërsisht, për tri vite mbushet shekulli kur Profesori ynë legjendar Ismet Elezi mbush njëqindvjeçarin e jetës së tij. E kemi gjallë ndërmjet nesh, por nuk e kemi vlerësuar sa duhet. Duhet ta falënderojmë për veprat e shkruara në shërbim të vendit dhe të shoqërisë shqiptare si dhe për librin “Kanuni i Labërisë” që shërben sot dhe do t’u shërbejë brezave të ardhshëm për njohjen e së drejtës zakonore të Shqipërisë se Jugut. E gjithë vepra e Profesorit karakterizohet nga puna e palodhur për përsosuri profesionale, deri edhe në vendosjen e interesave akademike, qeverisëse dhe mësimdhënëse mbi interesat familjare. Ky është një nder kombëtar që nuk e bën çdokush, këtë e bëjnë vetëm njerëz të mëdhenj që kanë shpirtin dhe zemrën e atdhedashurisë. I urtë, modest, i dashur, tolerant, profesional, intelektual, historik, bashkëbisedues, shok, mik, bashkëhallexhi, ndihmues, mbështetës, novator, reformator, atdhetar, patriot, etj. etj. Këto janë cilësitë dhe principet që e karakterizojnë këtë figurë të madhe të drejtësisë shqiptare. Ka nxjerrë breza juristësh të aftë në shërbim të gjyqësorit dhe administratës publike, ka dhënë asistencë të jashtëzakonshme në shërbim të qeverisë, akademisë shkencore, jurisprudencës shkruese, mësimdhënies 50-vjeçare në Shqipëri dhe Kosovë. Ka qenë dhe mbetet një profil juridik shumëplanësh dhe aspak i ndikuar politikisht. Fjalën e tij profesionale e ka thënë gjithmonë ndershmërisht, duke sakrifikuar karrierën dhe familjen. Botimet e këtij Profesori janë pa fund. Unë kujtoj, konceptoj dhe administroj dispensat e leksioneve të viteve 70’ për të drejtën penale, pjesa e posaçme dhe e përgjithshme, me autorësi dhe bashkautorësi, tekstet e sotme konceptualisht ndryshojnë pak prej tyre. Botimet e kohëve të fundit, të azhurnuar dhe plotësuar me reformat ligjore të viteve 2000, janë ato të vitit 2009. Gjithmonë me stilograf me bojë, kurrë nuk ka reshtur së shkruari për të drejtën shqiptare në përgjithësi, të drejtën penale në veçanti, të drejtën administrative, oponencën ndaj projekt-akteve normative të Këshillit të Ministrave, kundërshtimin e pashoq kur politikat apo projektet strategjike të zhvillimit kanë qenë të vobekta, inovativ në zhvillimin politik, ekonomik dhe ligjor të vendit tonë problematik. Vlerat e tij në shërbim të kombit shqiptar janë të padiskutueshme. Në kushte shumë të vështira politike të marrëdhënieve serbo-shqiptare gjatë periudhave të viteve 70’ dhe 80’ të shekullit të kaluar Profesori shkonte në Prishtinë, Gjilan dhe Prizren, jepte leksionet e të drejtës penale, sakrifikonte kokën nën trysninë serbe dhe kur kthehej tek ne, tek studentët e Fakultetit të Drejtësisë të Tiranës, na thoshte: “Nuk patëm probleme”,“erdhëm shëndosh e mirë”,“kemi detyrë t’i shërbejmë kombit, civilizimit, kulturës juridike”,“t’i shërbejmë përçarjes së dijes shqiptare në trevat tona”. Atdhetar dhe patriot i luftës çlirimtare dhe i përhapjes së dijes dhe kulturës juridike në kombin shqiptar. Në festën e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, më 27 nëntor të vitit 2012 erdhën në Fakultetin e Drejtësisë të Tiranës më shumë se 15 akademikë kosovarë, të cilët lexuan jetëshkrimin e gjatë të Profesorit, e falënderuan ndershmërisht për kontributet në shërbim të kombit dhe i dhanë titullin “Honoris causa” të Kolegjit Gjilan-Prishtinë. Mendova dhe pyeta veten: “Po Universiteti i Tiranës i ka dhënë këtë titull!?”. Janë ndryshuar shumë rektorë dhe dekanë ndër 50 dekadat e mësimdhënies por asnjëri nuk u kujtua t’i bëjë një falënderim apo t’i shprehë një mirënjohje për vlerat e tij akademike në shërbim të vendit. Ne kemi detyrë profesionale, shoqërore dhe mirënjohjeje ta vlerësojmë si njeriun e shkencës të shekullit tonë, që ka dhënë shumë për vendin e tij dhe ka marrë pak nga ky vend. Profesori na ka lënë një vepër që do të jetojë ndër shekuj dhe do t’i shërbejë brezave dhe kulturës publike, juridike dhe historike shqiptare. Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, si dy aktet themelore, historike dhe zakonore shqiptare nuk mund të krahasohen me veprën “Kanuni i Labërisë” të Profesorit tonë shekullor Ismet Elezi. Ky është akti më madhor i shekullit të Shqipërisë moderne të gërshetuar me Shqipërinë konservatore. Madhështia e kësaj vepre qëndron në faktin se është studiuar, hartuar, sistemuar dhe kodifikuar mbi baza të teknikës legjislative moderne dhe dashurisë së pamasë të autorit për zonën dhe vendin e tij.
Sigal