Kaosi në terminalin e kontejnerëve në Durrës po shkakton vonesa dhe korrupsion

555
Sigal

NGARKIM-SHKARKIMI/ Biznesi po detyrohet të paguajë, jo vetëm tarifat portale, por edhe nën dorë, për të marrë shërbimin

Bizneset që operojnë në transportin kontejnerik, kanë mbetur në mëshirë të fatit, ndërsa viti 2012 ka shënuar rënie drastike të transportit të mallrave nëpërmjet kontejnerëve nga Porti i Durrësit. As autoriteti Portual dhe as Kompania, e cila ka fituar tenderin për këtë shërbim “CARGOTEC” nuk e vënë ujin në zjarr për qindra shoferë kamionësh të shoqërive të transportit, të cilët sorollaten sa në shesh në tjerrin në pritje për të ngarkuar kontejnerët e për t’i dërguar në destinacion, tek bizneset porositëse të mallit. Kjo sepse pajisjet që APD vinte në dispozicion të ngarkim shkarkimit dhe transportit të kontejnerëve në procesin nga shkarkimi i anijes, me dy vinçat e mëdhenj, zhvendosja e tyre, me mjete ristegera, qëndrimi në kalatë, stivimi i tyre, ngarkimi në automjete drejt destinacionit etj., ka hasur në një problematikë të madhe për të gjithë biznesin që operon në këtë fushë. APD fillimisht kishte në dispozicion 4 stegera, por kohë pas kohe ato kanë pësuar defekt e për pasojë edhe i fundit  prej tyre është prishur. Kompanitë transportuese të kontejnerëve në Portin e Durrësit shqetësimin kanë dy vjet që po e paguajnë me një kosto të lartë. Me një kosto të lartë, siç është vonesa në operacionet e ngarkim shkarkimit, stivosjes dhe zhvendosjes së kontejnerëve bosh dhe me mallra. Në dispozicion të tyre nuk janë më 4 mjetet e domosdoshme. Situata është rënduar edhe më shumë gjatë javës së fundit, ku shoferët e transportit qëndrojnë mbi  dy ditë në pritje, për të marrë mallin dhe kjo është një kosto e rëndë për biznesin. Për çdo dite mbi  100 kamionë në pritje kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia, por edhe nga qytete të ndryshme të vendit, presin të ngarkojnë kontejnerët për në këtë vende, ku është porositur malli. Aty ku ka vonesa ka edhe korrupsion në mungesë të shërbimit për biznesin, i cili po detyrohet të paguajë, jo vetëm tarifat portale, por edhe nën dorë, për të shpëtuar nga makthi që përjetojnë në Portin e Durrësit.