Kaos, shthurje edhe destabilitet institucional në qytetin e Durrësit

640
Sigal

Institucionet në Durrës nuk njohin dhe nuk zbatojnë ligjet

Ajo ç’ka po ndodh sot në institucionet e shtetit në Shqipëri, mund të përmblidhet me pak fjalë, “kaos dhe destabilitet institucional”. Kjo pasi në asnjë institucion të shtetit, nuk takon një zyrtar të interpretojë dhe citojë drejt ligjin, por vetëm sa i referohet atij me mangësi të theksuara, dhe nuk e zbaton as verbalisht atë. Po ndalem në institucionet e shtetit në Durrës,(një qytet për nga rëndësia i dyti pas Tiranës), në marrëdhëniet mes tyre dhe subjekteve private që operojnë në fushën e ndërtimit. Konflikti mes firmave të ndërtimit dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, ka rezultuar gjithmonë shoë mediatik, në dëm të pasurisë nëntokësore mbi të cilën ndërtohet përditë.Para disa ditësh u komunikua në shtyp shpallja e betejës institucionale mes disa firmave të ndërtimit që operojnë në qytetin e Durrësit si dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Prej vitesh kjo betejë ka qenë e nëndheshme. Kur firmat shkelin ligjet, IMK, në rastin më të mirë i bllokon dhe pas zhurmës mediatike shihet se ndërtimet vazhdonin me konsensus që në gjuhën e qytetarëve të thjeshtë përkthehet “korrupsion”. Megjithëse u publikua se një firmë ka paditur ish drejtorin e Institutit t ë Monumenteve të Kulturës, Prokuroria e Durrësit i është shmangur çdo informacioni lidhur me të. Ndërkaq, bisnesmenë ndertimi e persona që kanë lidhje me monumentet në Durrës thonë se është firma private që e ka bërë këtë padi penale. Në Durrës ka firma të gjobitura,të denoncuara, nga Instituti i Monumenteve për dëmet që i kanë shkaktuar në kontekstin historik e monumental qytetit. Pak muaj më parë u gjendën të hedhura në Porto Romano, gjurmë arkeologjike, thesare me vlera të jashtëzakonshme. Dega e IMK, e denoncoi firmën për dëmin e shkaktuar në qendër të Durrësit,( e cila duhet thënë se ka prapavijë politike) dhe tha se “do ta denonconte në Prokurori duke nisur betejën juridike”. Interpretimi ligjeve nga institucionet bëhet nga drejtuesit e rinj, të cilët as i dinë dhe as I zbatojnë ato. Vonesat e përcaktuara në ligj të shkaktuara kanë shërbyer për të nisur goditjen juridike. Sipas ekspertëve në rastin konkret IMK “nuk ka respektuar afatet që i njeh ligji për dërgimin e specialistëve arkeologë për mbikëqyrjen e punimeve gjatë gërmimeve në qendër të Durrësit”.Të paditurit kundër paditës siç njihen në terminologjinë juridike, nuk kanë toleruar më vonesat të cilat do të thonë humbje monetare dhe kanë kundër paditur në Prokurori. Duke sfiduar ligjet e shtetit, hetuesit thonë se “drejtuesit e rinj kanë mangësi të theksuara në njohjen juridike, dhe po fusin institucionet në rrugë pa krye”. Në morinë e probleme me të cilat është ndeshur organi akuzës veçanërisht muajt e fundit, Prokuroria veçon dëmet e pariparueshme që kanë sjellë gërmimet dhe betonimi i vendeve në pesë pika të cilësuara shumë të nxehta për sa i përket dëmtimit të pasurisë së nëntokës së Durrësit. Qendra e qytetit pothuajse nuk ekziston, pasi kemi 5 sheshe ndërtimi problematike ku gjatë gërmimeve janë dëmtuar si dhe janë evaduar për në pikat e grumbullimit të materialeve inerte, shumë gjetje me vlera arkeologjike. Departamenti i Arkeologjisë nuk është përfshirë në detyrimin e subjekteve të ndërtimit për të pasur në marrëveshjen për ndërtim edhe të një eksperti të arkeologjisë. Kjo i ka dhënë mundësi industrisë së ndërtimit të shpërfillë çdo ankesë të departamentit. Në lagjen 6 firmat dhe persona të veçantë kanë zhdukur pasurinë arkeologjike të zbuluar nga gërmimet duke i hedhur në kanale. E ndërsa arkeologët fajësojnë Bashkinë e cila nuk ka përfillur kërkesat e tyre, kjo e fundit duket se ka jurist me mangësi njohurish mbi ligjet. Nisur nga masakra në Durrës, logjika e gjitha këtyre veprimeve me pasoja të rënda për trashëgiminë arkeologjike ka një prapavijë të përcaktuar, vetëm politike duke injoruar ligjet e shtetit. Firma dhe persona të veçantë me mbrojtje politike, po shkatërrojnë pasuritë e nëntokës, duke ndarë shpërblime për të heshtur, në një kohë kur Durrësi ka disa projekte për ekspedita arkeologjike angleze e italiane. Dueli Prokurori-Institut Monumentesh-Bashki ka gjasa të zgjasë deri në fund të mandatit qeverisës. Kjo pasi në dy raste Prokuroria rezulton shkelëse dhe dëmtuese e vlerave historike , pasi ndërtoi pak vite më parë në mënyrë të paligjshme një shtesë pallati që bllokoi fushëpamjen e një objekti me vlera historike për Durrësin, që quhet Pusi i Top -Hanes. IMK e bllokoi ndërtimin e shtesës, por më në fund Prokuroria, organi që do të mbronte ligjshmërinë, e shkeli atë dhe e ndërtoi. Duke renditur këto raste dhe qindra të tjera, që vetëm interpretime dhe zgjidhje ligjore nuk marrin, padyshim mbetet të mendosh se shteti po ecën si anija pa busull, pa ditur ku do të përfundojë.