Kaos në sistemin e transportit të pasagjerëve

89

Gjendja kaotike në të cilën ndodhet sistemi i transportit të pasagjerëve në rrethe, shpesh herë është bërë burim edhe për konflikte mes shoferëve. Situata paraqitet e rrëmujshme me treg të parregulluar të minibusëve të qyteteve të ndryshme të vendit. Mjafton të nevojitet të udhëtosh në rrethe ose thjesht të kalosh në Tiranë pran vendeve të caktuara si stacione të furgonëve të rretheve dhe menjëherë do të vësh re mungesën e sistemimit të këtij lloji transporti si dhe pajisjen me pasagjer në mënyrë të çrregullt. Janë të shumta rastet që shoferët nuk tregohen aspekt korrekt në zbatimin e orareve në mënyrë që të krijojnë një sistem transporti ndërurban të mirë rregulluar, duke e pasur edhe më të lehtë furnizimin me pasagjer, për ti dërguar në destinacionin e paracaktuar. Tregu i çrregullt në të cilin shoferët ushtrojnë veprimtarin e tyre flet qartë për nevojën e ndërhyrjes së menjëhershme me qëllim përmirësimin situatës, duke u lehtësuar në këtë mënyrë punën edhe shoferëve por edhe udhëtimin pasagjerëve. Fakt problematik paraqitet edhe 
mënyra se si në kundërshtim me rregulloren shoferët e minibusëve shpesh herë drejtohen për në stacionin e autobusëve me destinacion të përbashkët duke u marr pasagjerë dhe duke krijuar konflikti me shoferët e autobusëve. Ndërkohë edhe auto-veturat e vogla procedojnë në këtë mënyrë duke u “vjedhur” pasagjerët autobusëve dhe minibusëve, të cilat në të shumtën e rasteve nuk janë të licencuara për të kryer transportin e pasagjerëve, por me gjithë atë ushtrojnë veprimtarin e tyre në fshehtësi. 

Sektori i çrregullt i furgonëve dhe lufta për pasagjer

Mungesa e një tregu të mirëfilltë dhe mos respektimi i orareve të caktuara në sektorin e furgonëve, shpesh herë është kthyer në një fushë betejë, ku rasti më i fundit është edhe ai i shënuar dje në qytetin e Shkodrës. Kryesisht shkak për konflikt të cilat më pas degjenerojnë deri në dhunë ose duke shkuar edhe më larg, janë udhëtarët, pasi shoferët në të shumtën e rasteve për shkak të mungesës së një tregu të mirë organizuar akuzojnë njëri-tjetrin për marrjen e pasagjerëve. Dy shofer dje në kryeqendrën e veriut , u konfliktuan pikërisht për pasagjerët, ku njeri prej tyre u plagos me thikë dhe më pas u dërgua në spitalin rajonal të këtij qytetit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori u arrestua nga policia e këtij qyteti. Gjithashtu jo të pakta kanë qenë rastet ku ndalesat e furgonëve për marrjen e pasagjerëve në mes të rrugës janë bërë burim aksidentesh, të shoqëruara edhe me pasoja të mëdha deri në humbje jetësh. Edhe pse disa herë janë marr masa dhe u janë vendosur gjoba për mos zbatimin e rregullores, asnjëherë nuk u është pezulluar aktiviteti. Sektori i furgonëve deri tani ka ushtruar veprimtarin në mungesë të plotë të rregullores dhe shumë larg standardeve të vendeve të rajonit, qoftë në qeverisjen e majtë ashtu edhe në të djathtën. Situata në të cilën ndodhet ky sistem flet qartë për nevojën e menjëhershme të standardizimit të shërbimit publik dhe respektimi të rregullave ndërurbane. Për mirëfunksionimin e këtij tregu nevojitet kontrolli i vazhdueshëm për respektimin e standardeve, si dhe heqja e licencave për ata që nuk zbatojnë rregulloren duke mos menaxhuar siç duhet transportimin e pasagjerëve.