Kanioni i Langaricës në Përmet, nën kërcënimin e shkatërrimit nga dy HEC-et

345

KRRTRSH-ja jep leje ndërtimi për hidrocentrale edhe në zonat të cilësuara në mbrojtje kulturore dhe arkeologjike

Mbledhja e fundit e KRRTRSH-së nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, veç të tjerash, ka miratuar edhe ndërtimin e HEC-ve mbi lumin Vjosa në Komunën e Peshtanit, në zonën që quhet Kanioni i Langaricës në Përmet.

A është marrë vendimi mbi bazën e një studimi?

Derisa KRRTRSH-ja, arrin të miratojë projektin e  ndërtimit të këtyre HEC-ve, supozohet që, paraprakisht,  është njohur dhe studiuar edhe gjithë dosja e këtyre dy HEC-ve, që kërkohet të ndërtohen në Komunën e Petranit në Përmet. Ajo dosje e projektit të ndërtimit të 2 HEC-ve, duhet të ketë brenda edhe një studim për zonën, ku parashikohet të ndërtohen 2 HEC-et. Pyetja është? Kush e ka lexuar e studiuar këtë projekt? Dhe më tej. Nëse ndonjë e ka marrë mundimin dhe e ka lexuar, a i kanë rënë në sy disa faktorë më të rëndësishëm, që patjetër duhet të merren parasysh në vendimmarrjen për dhënien e lejendërtimit?

Hidrocentralet do të ndërtohen në zonën e cilësuar në  mbrojtje kulturore

Kanioni i Langaricës në Përmet, në atë zonë ku është miratuar të ndërtohen 2 hidrocentralet, është shpallur “zonë e mbrojtur”, për vlerat e mëdha kulturore, arkeologjike që përmban.   Në këtë zonë, jo vetëm janë banjat termale të famshme të Bënjës, por janë diku tek 10-12 shpella të paeksploruara ende, të cilat kanë materiale arkeologjike shumë të hershme, duke i bërë ato një potencial shumë të rëndësishëm për studime dhe turizëm kulturore. Këto bukuri natyrore të Kanionit të Lagnaricës shumë mirë mund të shfrytëzohen edhe për turizëm, sepse përbën një perlë të vërtetë natyrore dhe e rrallë edhe në Ballkan.

Papërgjegjshmëri, apo krim i parashikuar?

Duke u njohur me këto vlera të çmuara dhe të rralla, të Kanionit të Langaricës, në Komunën e Petranit, me të drejtë të lind pyetja: Sa i ligjshëm është vendimi i KRRTRSH-së për të dhënë lejendërtimi për 2 hidrocentralet në atë zonë të mbrojtur, për vlerat e saj të  çmuara dhe të rralla kulturore e arkeologjike? Cilët janë ata drejtues shtetërorë që kanë shpërfillur ligjet e shtetit dhe kanë miratuar realizimin e këtyre projekteve të HEC-ve që do të shkatërrojnë tërësisht vlerat kulturore dhe arkeologjike të Kanionit të Langaricës? A mund të ndodhë në një shtet ligjor, marrja e këtyre vendimeve, që do të kenë pasoja shkatërrimtare mbi faunën, ekologjinë, kulturën dhe mbi arkeologjinë e zonës? Dhe më tej, pyesim këta drejtues të shtetit që kanë dhënë votën e tyre për lejendërtimin e 2 hidrocentraleve në Kanionin e Langaricës në Komunën e Petranit në Përmet. Cili interes ju motivoi të merrnit vendimin e dhënie lejendërtimit të 2 hidrocentraleve? Motivi i interesit të përgjithshëm? Domethënë, të ndërgjegjshëm që do të shkatërrohen vlerat kulturore e arkeologjike të Kanionit të Langaricës, miratojë lejendërtimin?! Apo, shpërfillin – me dashje dhe me vetëdije –  këtë katastrofë kulturore e arkeologjike të zonës, sepse qëllim parësor, edhe drejtuesit e shtetit, kanë fitimin që do nxjerrin disa nga ndërtimi i hidrocentraleve në një zonë të mbrojtur nga ligji!

 Katastrofa e lejimit të ndërtimit të 2 HEC-ve dhe debati që duhet të bëhet

Auron Tare, deputet i Kuvendit që mëparshëm, ka reaguar ndaj miratimit nga KRRTRSH-ja të ndërtimit të 2 hidrocentraleve në Komunën e Petranit të Përmetit, duke e cilësuar “ një shkatërrim” dhe nga ana tjetër, shtron domosdoshmërinë e debatimit ga të gjitha palët e interesuara, përpara se shkatërrimi të bëhet fakt. Auron Tare, ndër të tjera, thotë: “Kanioni i Langaricës në Përmet  është  tani nën kërcënimin e shkatërrimit nga dy HEC të miratuara nga Qeveria Berisha. Ajo që të lë pa gojë në këtë projekt është fakti se investitorët dhe shteti nuk kanë bërë asnjë studim mbi vlerat kulturore dhe ambientale të këtij Kanioni. Duhet një debat i hapur me komunitetit mbi ardhmërinë e këtyre investimeve,  pasi nëse Kanioni i Langaricës do të dëmtohet kemi një humbje të madhe për natyrën shqiptare dhe një humbje të madhe për zonën e Përmetit, si një zonë me të ardhme turistike”.