Kanione që kërkojnë miq dhe miqtë që kërkojnë kanionet

991
Sigal

Enver CAKAJ

Ka qenë traditë për skraparasit e larguar,që kur afrohej festa e 5-shtatorit,kërcisnin telefonat dhe telegramet për të mësuar,se kur do të bëhej festa. Ndodhte kështu sepse kur nuk kishte përvjetorë të plotë,ajo ndryshonte. Madje në vitin 1971 ajo u përkujtua në datën 15 shtator,sepse do të merrte pjesë edhe Enver Hoxha. Tani as telefonat, as telegramet nuk duken gjekundi. Por drejt Skraparit kanë vërshuar telefonata e mesazhe fejsbuku nga të gjitha anët e botës për të ditur se ku bien kanionet e Skraparit. Disa kërkojnë t’u sigurohet hotel,të tjerë kërkojnë një shoqërues për t’u shkuar kanioneve deri në fund. Edhe pse në qytetin e Çorovodës janë vënë disa tabela orientuese në shqip e anglisht, telefonat nuk pushojnë. Përse tani ky vërshim drejt kanioneve të Skraparit? Në të vërtetë ato aty kanë qenë prej shekujsh, por s’ishin aty skraparasit, se Skrapari ishte i izoluar dhe banorët e saj nuk e kishin mendjen tek argëtimet, por te buka e fëmijëve, për të cilën bridhnin nëpër disa pazare sa të gjenin qoftë dhe një qase misër sa të mbanin fëmijët me shpirt. Fal investimeve të shtetit Skrapari ka marrë tjetër pamje. Pra, për t’i bëre të vizitueshme kanionet, lipset të përshtatet dhe pamja e qytetit. Çuditërisht edhe skraparasit e larguar, që kanë kaluar qindra herë nëpër kanione, kërkojnë për t’i vizituar. Kjo, sepse në Skrapar nuk nisin më bisedat si dikur, që pyetjen e parë e kishin për bukën. Po të kishe bukën kishe jetën. Kjo nuk gojoset më në Skrapar, edhe pse shumica e tokave në Skrapar kanë mbetur djerrë. Njerëzit kanë filluar të kërkojnë të bukurën. Kjo ka rritur dhe kërkesat e njerëzve për më shumë investime. Anës kanioneve janë bërë disa ndërhyrje për t’u dhënë mundësinë vizitorëve të shikojnë çdo cep të tyre. Buzë kanioneve janë ngritur edhe lokale shërbimi për t’u shërbyer turistëve e vizitorëve të shumtë. Ditët e pushimit qyteti i Çorovodës boshatiset e zhvendoset nëpër kanione. Skraparasit janë të vetmit që nuk kanë pasur kurrë kontakte me të huajt. Edhe një herë që erdhën disa amerikanë në kohën e Luftës, nuk i lanë të qëndronin në Skrapar asnjë natë, por i shoqëruan me njeri të besuar për në Korçë në mes të një dimri të rreptë. Tani Skrapari është mbushur me të huaj të ngjyrave të ndryshme dhe të duken sikur janë vendalinj. Ato firma që punojnë në Skrapar i kanë propaganduar këto kanione të bukura dhe vërshimi i tyre nuk ndalet. Fillimisht, kur shikonin turistë të ngarkuar me çanta shpine si dikur zboristët në vapë e në acar, thoshin me vete: “Ç’janë këta budallenj që ikin nga shtetet e tyre me famë dhe enden shkretëtirave tona?” Por ishte koha kur skraparasit nuk e kishin parë botën me sy. Ata e mësuan vonë, se botën që do, ta sjellë pranë puna, jo qibra e kapardisja. Lokalet e qytetit të Çorovodës i gjen të mbushura me turistë dhe biznesmenë të huaj. Edhe kur pinë kafe punojnë nëpër kompjuterët, që i mbajnë gjithmonë me vete. Ata kanë marrë nga bukuritë e kanioneve, por edhe kanë lënë tek skraparasit kulturën e punës dhe njerëzimit.

Buzë rrugës së kanioneve janë edhe dy vende të shenjta, që kanë mbetur nga vitet e hershme. Gjurma e Abaz Aliut e ngjeshur në shkëmb dhe Vrima e Nuses në mes të shkëmbit. Natyrisht këto kanë mbetur si legjenda, se askujt nuk ia mbushin mendjen se mund të kenë ndodhur vërtet. Natyrisht feja e atyre kohëve i përdori për t’u treguar besimtarëve forcën e saj. Besohet apo s’besohet, këtu është ngritur një kult fetar që festohet çdo vit me madhështi. Tani në Çorovodë janë krijuar mundësitë për t’i pritur turistët, sepse ka një hotel enkas për ta, por edhe infrastruktura ka përmirësime. Nga ana tjetër është duke ndërtuar edhe rruga Hambull-Përmet, e cila u krijon mundësi më të mira vizitorëve për të hyrë në kanionet e Skraparit.

Kanionet e Skraparit e kanë fituar diplomën e qytetërimit, por këtij vërshimi turistësh, u duhet përgjigjur me shërbime të tjera. Nëpër kanione ata mund të rrinë tre-katër orë, por jeta aktive, sidomos e turistëve të huaj, nuk është vetëm kanione. Është e nevojshme që t’u serviren edhe veprimtari të tjera. Nesër, kur të fuqizohet shteti, do të jetë ndryshe. Skrapari ka shumë vende turistike. Kulmaku, me ato perlat e tij që festohet vetëm një ditë në vit për pelegrinazhe fetare, kur të ndërtohen hotele turistike, për të cilat po flitet, do të jetë nga qendrat më të preferuara. Jo pak joshës janë pamjet rrëzë Ostrovicës dhe Qafës së Martës, për të cilat lipset të sigurohet infrastruktura. Të pushosh në këto vende, do të thotë t’i shtosh vite jetës. Të mos harrojmë,e ardhmja e njerëzimit do të jenë zonat malore. Tani që teknologjitë informative gjenden edhe majë malit, s’kemi pse ngjishemi qyteteve, ku të mbyt smogu. Nuk e kanë keq ata skraparasit e larguar, që janë rikthyer e po rindërtojnë shtëpitë e braktisura. Që të jetosh si njeri nuk mjafton të kesh vetëm një banesë. Ne po trokasim nëpër dyert e Evropës, po atje nuk shkohet me brekë nëpër këmbë. Evropianët nuk lindin e vdesin vetëm në një banesë. Edhe ne t’u rikthemi zonave turistike që t’i afrojmë turistët e botës.