“Kanceri filloi luftën me mua, por unë do ta përfundoj atë luftë me sukses”

791
Sigal

Argita Zalli ka mbaruar studimet në Universitetin e Sussexit. Pas diplomimit në degën e Mjekësisë Molekulare të këtij universiteti, mbrojti doktoraturën në Universitetin e Birmingamit. Argita kryen kërkime shkencore në fushën e kancerit, imunologjisë e hematologjisë. Së bashku me binjaken e saj, Detinën ajo ka themeluar institutin shkencor “We Speak Science’’. Ndryshe nga herët e tjera, sot nuk ju flas vetëm si një shkencëtare. Sot ju flas si një prej jush të dashur prindër, vëllezër e motra, të cilët jeni duke luftuar, keni luftuar apo jeni duke u kujdesur për të afërmit tuaj, të cilët janë mbërthyer nga një sëmundje e pamëshirshme si kanceri. Ai ka vjedhur dhe vazhdon të vjedhë dalëngadalë shumë jetë. Rastet e reja të prekura nga kanceri në vitin 2012, arritën deri në 12.1 milionë në të gjithë botën, ndërsa 8.2 milionë persona humbën jetën. Me mënyrën e tij të fshehtë kanceri shfaq shenja të vogla sipërfaqësore, duke na “mbyllur sytë’’ e duke na futur në bublezën e injorancës. Simptomat e tij si: kollë persistente (që nuk ikën pas 3 javësh), kollë e shoqëruar me sekrecione gjaku, infeksione persistente në gjoks, dhimbjet të pashpjegueshme të trupit, dhimbje grykësh që nuk shërohen, zëri i ngjirur, ndjesi sikur të merret fryma, ulçer në goj apo në gjuhë, ndryshime të pashpjegueshme në gjoks (si në formë ashtu edhe në madhësi), gjëndra apo ënjtje kudo në trup, lodhje persistente së bashku me humbjen e energjisë, humbja e oreksit, humbja e peshës, shpeshherë lihen pas dore dhe ngatërrohen me simptoma të një gripi apo i “atribuohen një periudhe stresante. 

Por JO. Këtyre simptomave u duhet dhënë pesha e duhur dhe duhet të merren seriozisht. Pak muaj me parë mora një telefonatë helmuese, e cila me ndryshoi jetën. Mamaja ime kishte shkuar për një kontroll të gjoksit, sepse i ishin shfaqur disa gjëndra që nuk ndodheshin më parë, i ishin shfaqur papritur. Kur mi tregoi fillimisht u shqetësova shumë, por kanceri nuk mund të prekte nënën time. Jo-mendova, mami im nuk ka faktor risku për të pasur kancer, kanceri nuk është në familje, ajo ndjek një dietë të ekuilibruar dhe ka një jetë aktive. Brenda vetes shpresoja shumë që ato të ishin thjesht gjëndra të padëmshme qumështi. Në atë periudhë, isha duke punuar në departamentin e Mjekësisë, duke bërë një sërë eksperimentesh në lidhje me një projekt në fushën e trombozës. Ishte e premte, mbaj mend që isha veshur me bukur se herët e tjera, sepse ashtu siç çdo te premte do të dilja e të kaloja kohë së bashku me prindërit. Diçka brenda meje ishte e shqetësuar, ndonëse logjika me thoshte që gjithçka do të shkonte mirë. I telefonova shpesh atë të premte, por ndryshe nga herët e tjera, zëri i babit ishte i prerë, ndërsa mami ishte gjithnjë e zënë duke ju nënshtruar procedurave rutinë. Pas mamografisë, ajo i ishte nënshtruar edhe biopsisë. Në këtë moment u shqetësova vërtet. Pyeta veten: “Përse duhet’’? Dhe menjëherë mendja më vajti se diçka s’do ishte normale në rezultatet e mamografisë. Fillova të frikësohesha, me padurim prisja mbarimin e procedurave, kur babi më telefonoi dhe më tregoi se kishte lajme të këqija dhe më kaloi mjeken përgjegjëse. ‘Me vjen shumë keq, por mendojmë se mamaja jote ka kancer’’, – u dëgjua nga ana tjetër e telefonit. Fjalët nuk mund të përshkruajnë dhimbje që ndjeva në ato moment. E shokuar, e mpire, shkova ne një cep te laboratorit dhe ndërsa lotët me mbuluan çdo cep të fytyrës, provova të mblidhja veten edhe ta pyesja nga ana mjekësore, se në cilën stad ishte zhvilluar kanceri. Ndërpreva punën menjëherë dhe ashtu, e pavetëdijshme siç isha, shfrytëzova kohën që të qaja e të nxirrja të gjithë “dufin’’, në mënyrë që kur të takoja prindërit të isha e forte. Sepse e dija që gjendja ime shpirtërore duhet të ishte pozitive, në mënyrë që të ndikonte pozitivisht edhe tek prindërit, e kryesisht mami. Unë isha shpresa e tyre, shmanga çdo telefonate të motrës sime binjake, që më telefononte nga Bostoni dhe u përpoqa ti përgjigjem me mesazhe. Kjo sepse s’doja ta shqetësoja pa dalë një përgjigje e saktë dhe konkrete. 
U përpoqa të kurseja disa orë tmerri, derisa ajo të merrte vesh lajmin dhe jeta e saj të ndryshonte plotësisht. Mu desh një javë kohë të përthithja atë që doktoresha me kishte thënë ne telefon, atë pasdite te premteje dhe plot një muaj për ta pranuar. Në këto kohë ndërhyrja mjekësore filloi menjëherë. Menjëherë u krye ‘mastektomi’, ndërhyrja në të cilën hiqet gjoksi i prekur nga tumori. Kjo ndërhyrje doli me sukses, ndonëse nënës sime ju hoqën të dyja gjokset. Shpeshherë i përmendja mamit faktin se duhet të konsideroheshim me fat, sepse kanceri kishte kapur një pjesë të jashtme të trupit, pjesë e cila mund të hiqej, ndryshe nga kanceri i mushkërive ku mundësitë për heqjen e tumorit janë të pakta. Megjithatë brenda vetes kisha frikë se si do të reagonte mami pas heqjes gjokseve, pasi një ndërhyrje e tillë le një impakt të madh si shëndetësor ashtu edhe fizik e shpirtëror. Për këtë arsye, së bashku me binjaken time, e cila erdhi nga Bostoni për të qenë pranë familjes dhe nënës në një moment të tillë, zbukuruam dhomën e spitalit dhe në bashkëpunim me të gjithë njerëzit tanë të dashur, që na qëndruan pranë në ditët tona të vështira, përpiqeshim t’ia bënim me të lehtë ndërhyrjen dhe sëmundjen nënës dhe pacientëve të tjerë që gjendeshin në të njëjtën dhomë e i ishin nënshtruar të njëjtës ndërhyrje. Ndonëse deri tani, nuk ekziston ende një evidencë e fortë shkencore që të theksojë se optimizmi ndalon progresionin e kancerit, është vënë re se kujdesi i shëndetit mendor dhe mbështetja emocionale mund të ndihmojë pacientët dhe të afërmit e tyre te menaxhojnë me mirë kancerin dhe trajtimin e tij. Në fakt, kanceri nuk kishte prekur vetëm mamin, por gjithë familjen tonë. E shoqëronim atë në takimet me onkologun dhe e siguronim atë se çdo trajtim apo analizë ishte një hap me i afërt në asgjësimin total të kancerit. I mbajtëm dhe shtrënguam dorën çdo te enjte, kur bënte kimioterapinë, ndërsa i kujtonim momentet e bukura nëpër bisedat e ngrohta gjatë pirjes së një çaji. E befasonim me një surprizë pas çdo seance të kimioterapisë, e cila vështirësohej gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës. 
E inkurajonim dhe përpiqeshim ta bënim të ndjehej gruaja më e bukur në botë, ndonëse mungesës së flokëve dhe mbi të gjitha e mbushnim plot me dashuri e ngrohtësi. Sigurisht, gjatë rrugës ka patur edhe shumë momente dobësie e dyshimi, të cilat janë të pashmangshme në natyrën njerëzore, qoftë ai shkencëtar/mjek apo jo. Dyshime të tilla si: Po sikur mami te ketë temperature pas kimioterapisë, po sikur të ketë probleme me frymëmarrjen? Pyesja veten dhe përpiqesha të mbaja në kontroll këto parametra, sepse nëse pacienti ka temperaturë që arrin më shumë se 38 grade Celsius pas çdo seance kimioterapie, apo i shfaqen probleme me frymëmarrjen duhet të shkoj urgjentisht në spital. Eh, sa herë kemi shkuar në urgjencë, edhe sa herë trishtimi na veshi për ditë të tëra, por ja ku jemi përsëri, të forta si kurrë më parë, gati për t’i dhënë fund kësaj lufte. Sot, data 19 Mars, jam më e lumtur se ditët e tjera. Sepse jam ne vendin tim, në Shqipëri me prindërit e mi, duke festuar mes njerëzve tanë më të dashur përfundimin e kimioterapisë, një hap të rëndësishëm të kësaj betejë të gjatë. Edhe si në çdo përfundim të seancave të kimioterapisë, kjo është surpriza jonë për ty mami! Jemi shumë të bekuara që të kemi ne jetën tonë, je shoqja jonë më e mirë dhe do të kesh gjithmonë dorën tonë të ngrohtë me vete, ashtu siç e kemi patur në dorën tënde dikur kur ishim të vogla, ndërsa shkonim në poliklinikë për të bërë ndonjë gjilpërë e vazhdojmë ta kemi deri sot.
Mami, u shërofsh sa më shpejt plotësisht!
Të duam shumë, Gita-Deti!