Kanadaja dhe menaxhimi i dhimbjes kronike

760
S’mund të jemi tjetër veç vetes, prandaj është thelbësore të mësojmë për mënyrat se si mund të kontrollojmë dhimbjen
Jon Dizdar ka lindur në Vankuver, Kanada. Jetën e ka kaluar mes Vankuverit dhe Viktorias, ku edhe jeton. Ai është anëtar i Shoqatës Kanadeze të Dhimbjeve Kronike. Në vitin 2007 krijoi një grup suporti në Viktoria (Kolumbi Britanike) “Pain Victoria” në Spitalin Royal Jubilee, për menaxhim të dhimbjes kronike. Ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe evente, ku nisma e tij ka bashkuar pacientë për të shpërndarë informacion sa më realist mbi sistemin mjekësor, si edhe për opsionet e tyre për shërim. Ai ka punuar pranë një mjeku onkolog dhe një mjeku naturopath në spitalin e Viktorias. Në bashkëpunim me këta mjekë të cilët kanë zhvilluar studime mbi vetitë kuruese të kanabisit, ai ka ndërtuar një program kurativ me vaj kanabisi, specifikisht për të sëmurët me kancer, dhimbje kronike dhe epilepsi. Ndër 20 pacientë të trajtuar dy vitet e fundit, janë raportuar rezultate të shkëlqyera të efektit të vajit në trup, dhe pa efektet anësore që shoqërohen me kemioterapinë. 
“Në moshën 25 vjeçare jeta ime ndryshoi përgjithnjë: një aksident me makinë bëri që unë të pësoja thyerje të ligamentit C5 në shtyllën kurrizore. M’u desh të mësoja dështimet e sistemit mjekësor mbi kurriz, dhe të merrja një vendim drastik për të rikthyer jetën time në rrjedhshmëri funksionale. Vite më vonë, kur u them njerëzve për aksidentin, askush nuk më beson. Por kur kjo ndodhi, pasi më dhanë 50/50 shanse për të jetuar ose mbetur tetraplegjik, unë vendosa të mos mësohem me dhimbjen dhe të jetuarit si i paralizuar, por të luftoj për të vazhduar rrugëtimin tim. Për çudi të mjekëve e gjithë stafit në Spitalin e Përgjithshëm të Vankuverit, unë firmosa daljen nga spitali vetëm 10 ditë pas aksidentit, dhe dola “me këmbët e mia”. Edhe pse gjysma e majtë e trupit ishte në një gjendje sedentare, arrija të lëvizja por dhimbjet ishin të paimagjinueshme. Dy vite më vonë, kur lista e ilaçeve kundra dhimbjeve po bëhej çarçaf, unë përjetova momentin më të rëndësishëm të jetës sime. Në orën 4 të mëngjesit, gjysmë në gjumë (kështu ndodhin epifanitë), u ngrita e dola për një vrap të gjatë buzë oqeanit. Që atë mëngjes nisa një rutinë ushtrimesh fizike (vrap, not, yoga), duke e kombinuar me vaj kanabisi për dhimbjen. Kështu arrita të heq dorë përfundimisht nga pilulat dhe jeta ime filloi të marrë përsëri kuptim. Vetëm dikush që ka jetuar me dhimbjen kronike, mund të kuptojë se në çfarë barriere stërmunduese kthehet të jetuarit, dhe se do të bëje gjithçka për një moment qetësie, pa dhimbje… 89 për qind e vizitave mjekësore në Kanada janë të lidhura me dhimbjet, qofshin këto dhimbje kronike apo akute. Dhimbja kronike mund të kthehet në një sëmundje torturuese, që luan me psikozën e pacientit dhe kjo përkeqësohet prej faktit se nuk ka ndonjë përgjigje të qartë se si të kurohet. Shumica e njerëzve varin shpresat tek mjekët, duke kërkuar përgjigjen që presupozohet të kenë, por në masë nuk e kanë. Zgjidhja e zakonshme sjell që mjeku të shkruajë një recetë, për të marrë një pilulë të një origjine të panjohur, të cilën pacienti nuk e di nga vjen dhe çfarë kombinimi është, por beson tek mjeku dhe fillon kështu një cikël varësie. Ky cikël bëhet i qartë kur dhimbja nuk kurohet me këtë pilulën e parë, kështu pacienti shkon përsëri tek mjeku, i cili i shkruan recetë për një tjetër pilulë, pak më të fortë, që ta bëjë punën siç duhet. Efektet anësore nga këto pilula për dhimbje janë të shumta, e zakonisht nuk shpjegohen nga mjeku. Kur është tepër vonë, pacienti e gjen veten thellë në depresion, i varur ndaj këtyre ilaçeve të forta, akoma me dhimbje, dhe me një sërë tjetër problemesh psikologjike dhe fizike me vete. Askush nuk arrin të ndjejë dot dhimbjen e tjetrit, e ai që është në dhimbje nuk rresht dot së foluri për dhimbjen e tij. Është e vërtetë. Cikli që krijon të qenit në dhimbje ndikon në çdo aspekt të jetës së atij që është i prekur. Raportet me njerëzit bëhen të padurueshme, sepse ti do të flasësh për dhimbjen tënde, ndërsa tjetri nuk do të dëgjojë diçka që mbetet prapë e paprekshme nga ai. S’mund të jemi tjetër veç vetes, prandaj është thelbësore të mësojmë për mënyrat se si mund të kontrollojmë dhimbjen. Shumë prej nesh nuk e dimë se mjekët trajnohen vetëm një ditë mbi dhimbjen kronike, ndërsa një veteriner trajnohet 5-herë më shumë. Dhimbja kronike është problem për gati 7.5 milionë kanadezë, e këto numra vetëm rriten. Me një rritje të ndjeshme të luftës për ndërgjegjësim kundrejt dhimbjes kronike, grupe suporti, udhëzime shpirtërore, meditimi, yoga, dhe mjekësi alternative ose popullore, si kanabis dhe produktet me bazë kanabis, po bëjnë një rikthim të fuqishëm në botën moderne. Është shkencërisht e provuar se trupi i njeriut konsiston në më shumë receptorë kanabinoid, se sa receptorët anagjelistikë apo opioid. Këto receptorë rifillojnë aktivitetin e tyre në momentin që vijnë në kontakt me dy komponentët gjendur në lulen e kanabisit: CBD dhe THC. Rezultati është se kanabisi ka veti për të minimizuar e zhdukur dhimbjet e sidomos dhimbjet kronike, duke vepruar mbi më shumë se çdo medikament tjetër me bazë bimore. Ai penetron qelizat dhe rregullon fushën e rrotullimit të tyre. Në këtë mënyrë, qelizat janë të afta të pastrojnë trupin nga sëmundjet duke rritur imunitetin. Shumica e mjekëve nuk do të promovojnë këtë metodë, për arsye të paqarta morali, stigma e përdorimit të kanabisit si drogë e jo si medikament, si edhe mungesa e eksperiencës së të punuarit me këtë bimë kurative. Është e drejta e gjithkujt prej nesh të kurohet në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe të ketë informacion për çfarë është metoda më efikase për të kontrolluar dhe përmirësuar shëndetin.
Origjinali publikuar në Cannabis Digest #20, Kanada
Përktheu nga origjinali: Anja Basha
Sigal