Kanabisi, protesta kundër Ramës në Vlorë

574
Është pritur me protesta dhe ironi kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së djeshme në Vlorë për të kremtuar 105-vjetorin e Pavarësisë. Një grup qytetarësh kanë ironizuar arratinë e tre ish-drejtuesve të lartë të policisë së Vlorës, si dhe marrjen nën hetim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ata kanë kërkuar që edhe vetë Rama të hetohet për mbështetjen e prodhimit e trafikimit të kanabisit. “Ismail Qemali shpalli pavarësinë, Rama narkoshtetin”, shkruhej në parullat e tyre. Mësohet se kanë qenë disa të rinj, pjesë e forumit rinor të PD-së, që e kanë pritur kryeministrin me parulla në duar, pikërisht në Sheshin e Flamurit. Ata kanë mbajtur në duar parulla, ku shiheshin tre efektivët e policisë të arratisur Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode. Mbi ta qëndron ish-ministri i Brendshëm dhe në krye të piramidës kryeministri Edi Rama. Bashkë me pankartat, ata kanë hedhur në rrugë edhe disa qese, të ngjashme me paketimet e përdorura për kanabisin. Vlora ka qenë ndër zonat kryesore të prodhimit të kanabisit në vitet e fundit, ndërsa sasi të mëdha droge janë dërguar edhe në Itali e Greqi, duke u kthyer në një shqetësim për policitë e këtyre vendeve.


Sigal