Kamerat e policisë, aparate që përdorin biologët në xhungël për filmime në vrimat… e urithëve

739
Në takimin që Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, zhvilloi dje me “çunat dhe gocat” që konkurrojnë për shkollën e lartë të policisë, përmendi si arritje të modernizimit të policisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit edhe pajisjen e disa shërbimeve të policisë me video-kamera, që janë vendosur në gjokset e policëve që shërbejnë rrugëve! Po a mund të quhet arritje, futja në veprim e disa kamerave që nuk kanë parametrat e kërkuar për një shërbim policor publik? Sa kushtuan këto kamera? Ku u blen? Si u blen? Sa funksionale janë në shpejtësi filmimi e raportimi ngjarjeje? Për çfarë shërbimi përdoren realisht këto kamera në botë, të cilat ne i përdorim për shërbim anti-krim në policinë e shtetit? Janë kamera që transmetojnë pamje direkt, apo me… “WSB”? Po flasim konkretisht, nisur prej një investigimi, që gazeta “Telegraf” ka kryer në bashkëpunim me ekspertë të fushës e madje edhe me punonjës policie të pajisur me këto lloj kamerash, të cilët deklarojnë se “kamerat që mbajnë të varura në qafë, janë kot”!
Projekt korruptiv i kamerave, më i abuziv se “Kutitë e ndihmës së shpejtë”
Projekti që u fut në zbatim për pajisjen e policëve shqiptar me kamera, gjoja për të luftuar korrupsionin e punonjësve të policisë, rezultoi jo vetëm një dështim si funksion, por edhe abuzim financiar me vlerën blerjes së tyre. Po kështu, mësohet se kamerat që janë instaluar në trupat e policëve, nuk janë kamera speciale e profesionale anti-korrupsion, siç janë në shumë vende të perëndimit, por janë kamera pa kapacitet regjistrimi e transmetimi për gjithë kohën kur policët janë në shërbim e po kështu, nuk kanë kapacitet serverimi të informacionit filmik e zanor. Skandali dhe sensi komik i këtyre kamerave, qëndron në faktin se kamerat e policisë janë aparate që përdoren në xhungël nga biologët, për regjistrime filmike zanore që bëjnë në foletë e shpendëve, në strofullat e dhelprave, luanëve, milingonave dhe në vrimat e minjve dhe urithëve! Por le ta lëmë këtë fakt komik dhe të ndalemi në skandalin me çmimet, funksionalitetin dhe efiçencën e këtyre kamerave, të cilat Ministri i Brendshëm i paraqiti para kandidat rekrutëve për policë, si “arritje moderne”. Për blerjen e këtyre kamerave, nëpërmjet firmës dhe vulës së ministrit Tahiri , shteti shqiptar pagoi 5.7 milionë euro nga taksat e shqiptarëve. Kjo blerje u bë pa tender, pa njoftim publik, pa konkurrim ofertash, por me urdhër dhe përzgjedhje ilegale të bërë prej ministrit dhe një komisioni që nuk iu publikua e nuk i publikohet përbërja, duke hedhur hije dyshimi nëse ekziston si komision edhe në letra, apo jo! Gjithë procedura ilegale blerjes, ose më saktë e pazarit të këtyre kamerave u bë me shpejtësi sikur të ishin “prapa dere” dhe në fshehtësi të plotë, duke keq-përdorur Nenin Nr. 6, të Ligjit Nr. 9643, datë 20. 11. 2006 “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar me Ligjin Nr. 9800, datë 10.09.2007, me Ligjin Nr. 9855, datë 26.12.2007, me Ligjin Nr. 10170, datë 22.10.2009, me Ligjin Nr. 10309, datë 22.07.2010, me Ligjin Nr. 22/2012, me Ligjin Nr. 131/2012 dhe me Ligjin Nr. 182/2014 “Për Prokurimin Publik”, sipas të cilit ministri Tahiri paska të drejtë të bëjë blerje pa tenderim, pa garë, pa paraqitje e konkurrim ofertash, duke preferuar firmat dhe çmimet që përzgjedh ai, pa pyetur askënd në shtet! Në fakt, ministri Tahiri, ka pyetur “dikë lartë” dhe ka marrë “bekimin” për blerjen e këtyre kamerave që janë pajisje pune të biologëve, të cilat kushtuan 5.7 milionë euro! Dhe këtë blerje ilegale e ka justifikuar me ligj, duke përdorur Nenin 6 të Nr. 9643, datë 20. 11. 2006 “Për Prokurimin Publik”, i cili thotë: “Kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit13 Ky ligj nuk zbatohet në përzgjedhjen e fituesve të kontratave publike, në rast se zbatimi i tyre kërkon masa të veçanta sigurie, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore, në fuqi, ose në rast se një gjë e tillë diktohet nga interesat thelbësorë të shtetit”. Po sa kushtojnë realisht këto kamera? 
Pazari sekret që bleu kamerat primitive të biologëve të xhunglës
Sipas letrave të financës që ka buxheti i shtetit dhe “llogaritë” e Ministrisë së Brendshme, rezulton se kamerat e policëve shqiptarë që janë kamera regjistrimi biologësh, janë blerë 5.7 milionë euro, duke përdorur kodin sekret të kësaj blerjeje sekrete e cila nuk përbën asnjë sekret, mbasi është thjeshtë pajisje pune për policët, siç janë koburja, këpucët, shkopi gomës dhe bilbili! Në fakt, gjtihçka është trajtuar qëllimisht si “Blerje sekret kombëtar”, kur në realisht është blerje e lirë në treg, mbasi kamerat nuk janë blerë në shërbime sekrete të ndonjë shteti tjetër, por në tregun e lirë në “tezgat” e Afrikës, nga një firmë pajisjesh elektronike e cila u përzgjodh me preferencë personale ose të rekomanduar nga ministri Tahiri dhe i bleu lirshëm nga tregtarë, që këto kamera i shesin për turistët dhe biologët, apo të pasionuarit pas jetës së gjallë në xhungël. Mirëpo blerja e tyre u trajtua si “sekret”, për të përligjur blerjen korruptive, duke shumëfishuar çmimin real që kanë këto kamera regjistrimi, që nuk ndryshojnë aspak as si fuqi e as si teknologji nga kamerat e aparateve celularë. Ky projekt kamerash policore, u prezantua publikisht në datën 2shkurt 2016, duke deklaruar, se vrojtimi dhe raportimi i çdo rasti krimi, apo korrupsioni, do të bëheshin “on-line” në kohë reale. Por nuk rezultoi kështu. Praktika e funksionimit të këtyre kamerave, po tregon se kemi të bëjmë me një dështim të plotë të projektit dhe investimit, ose më saktë kemi të bëjmë me një blerje klienteliste sa për të zhvatur ca milionë euro! Kamerat që janë “ngulur” në gjokset e policëve, sipas ekspertëve të fushës brenda policisë dhe sipas deklarimeve të administrimit të serverit, rezulton se filmojnë por nuk transmetojnë “on-line” regjistrimet e bëra në terren! Rrjeti i kompanisë celulare, që është financiar nga Ministria e Brendshme, nuk realizon dot transmetimin në të njëjtën kohë të krejt ”Userëve” që krijohen nga filmimet që kryhen prej kamerave të të gjithë policëve. Ato to mund të transmetojnë njëherazi “on-line” vetëm afro 15-20% të volumit të tyre! Vetë policët e pajisur me këto kamera biologësh, deklarojnë në konfidencialitet e nën frikën e largimit nga puna dhe të “nxjerrjes së sekretit shtetëror”, se ata pas mbarimit të turnit, detyrohen me urdhër të shkojnë në rajonin e policisë, ku dorëzojnë kamerat që të “shkarkojnë” filmimet tek shefat që administrojnë serverët me sistemin “Donload”, si veprohet me shkarkimet e video e fotove nga adresat “e-mail”, ose aparatet celularë! 
—————————- 
Projekti “Kamera” u inskenua me procedurë e vlerë abuzive, kushton 10 herë më lirë
Sa ka kushtuar blerja e 1 kamere të tillë? Sa kanë kushtuar të gjitha kamerat që janë belrë? Sa kamera janë blerë? A kushtojnë 5.7 milionë euro kamerat dhe krejt shërbimi server i instalimi-funksionimit të tyre? Gazeta “Telegraf”, kontaktoi ekspertët e fushës, të cilët zbardhën të vërtetën e këtij shpenzimi, që në gjuhën e ministrit Tahiri quhet “shërbim modern dhe sekret shtetëror”! Blerja e kamerave të policëve, jo vetëm si procedurë, si kosto për 1 kamer e në total, por edhe si pagesë instalim programi shërbimi serverimi, përbën një skandal të rëndë financiar dhe sigurie e shpejtësie shërbimi, pa llogaritur objektin për të cilin janë shpenzuar afro 8 miliardë lekë, ose 5.7 milionë euro! Sipas specialistëve të Ministrisë së Brendshme e të teknologjisë së avancuar informatike, cilësia, funksionaliteti dhe kapaciteti i kamerave që ministri Tahiri ka blerë në Afrikë dhe ka ngjitur në trupat e policëve shqiptarë janë primitive, janë jashtë çdo standardi. Prapa “perdes” se gjoja ‘sekretit shtetëror të blerjes së tyre, qëndron abuzimi, më troç vjedhja gjigante e fondeve publike! Pse? Ekspertët e tregut, i kanë bërë me dije gazetës “Telegraf” se vlera e krejt projektit “Kamera” që ka përlarë 5.7 milionë euro është afro 10 herë më e vogël se kostoja reale që kushton projekti! Sipas dosjes “Kamera”, që mbahet e fshehur në kasafortën private të ministrit Tahiri, për blerjen e 2000 aparateve të llojit “Smartphon-Kartë SIM 3G” që janë blerë për polict shqiptarë e që gjenden me shumicë në “tregun e rrugës” edhe getot e Afrikës dhe zonat periferike të Kinës, rezulton me prova konkrete se ka abuzim të madh financiar dhe abuzim me përcaktimin “sekret sigurie shtetërore”. Po flasim konkretisht. Ministria e Brendshme ka financuar 5.7 milionë euro kosto projekti. Ka blerë gjithsej 2000 aparate “Smartphon-Kartë SIM 3G”. Vlera maksimale me pakicë e një aparati të tillë në treg (1-3 copë) kushton 8-10 dollarë! Ministria, thotë se i ka blerë me 90 dollarë copa! Por edhe sikur t’i ketë blerë me 90 dollarë copa, ose edhe me 100 dollarë, 2000 aparatet që janë blerë dihet se sa kushtojnë! Kujtojmë që janë shpenzuar 5.7 milionë euro për këtë projekt. Në këtë kosto përfshihet blerja e 2000 kamerave, pagesa e licencës së shërbimit “Server” në vlerë maksimale 100 mijë dollarë, vlera e Software deri në 200 mijë dollarë me shërbim interneti “3G” siç e ka ministria në këtë shërbim, por që e ka si shërbim çdo paketë telefonie celulare e zakonshme me çmim 1 mijë lekë. Bëni llogarinë e shpenzimeve reale me ofertë maksimale të tregut të lirë dhe del se sa është abuzimi i bërë në 5.7 milionë eurot e akorduara për një blerje shërbimi e pajisjesh që nuk shërbejnë siç duhet! 
Sigal